Ditari i një dite gjatë pandemisë COVID-19
Barazia gjinore dhe përfaqësimi i barabartë gjinor në secilin aspekt është i garantuar me ligjin për Barazi Gjinore. Ky ligj mbron dhe promovon barazinë mes gjinive dhe ofron mundësi të barabarta në të gjitha sferat e jetës sociale. Por, në realitet dhe praktikë ndodh gjithmonë ndryshe. Sikur në pozita të punës jashtë shtëpisë, ashtu edhe në shtëpi, posaçërisht në punët e shtëpisë që sipas burrave/djemve konsiderohen si punë të grave dhe vajzave që ata nuk duhet t’i bëjnë.
Kjo gjë e paraqet akoma dominimin e patriarkatit dhe mos dëshirën që të ndryshojnë diçka tek vetja e tyre dhe të bëjnë diçka të dobishme së pari për veten e pastaj për familjen e tyre.
Në librin e Simone De Beauvoir – Seksi i dytë, në volumin e parë të librit paraqiten faktet dhe mitet mbi gjininë dhe perspektivat e ndryshme gjinore. Në libër paraqitet se si disa kur pyeten së cka është gruaja – përgjigjja e tyre është që gruaja është vetëm MITËR, ndërsa për burrin thonë që ai është tema, ai është absoluti ndërsa ajo është ‘tjetra’.
Kështu edhe në familjet tona, gruaja/vajza kryesisht konsiderohet dhe trajtohet si “tjetër”, si dikush që duhet të punojë në shtëpi dhe të mos i dëgjohet zëri. Gjithmonë t’i bindet bashkëshortit, babait, vëllait, në fakt secilit pjesëtar burrë në familje pasi patriarkati ashtu e do.
Prej mëngjesit i shikoj sjelljet e burrave/djemve në familjen time dhe nuk dua të mendoj apo nuk kam guxim të mendoj që ndoshta edhe unë, nëna, apo gjyshja jemi ‘tjetër’ për ata. Por kur janë në pyetje punët e shtëpisë e vërej që edhe ata janë deri diku në pajtim me atë mentalitatin e shumicës që punët e shtëpisë janë punë që gratë dhe vajzat duhet t’i bëjnë dhe ata nuk duhet të përzihen aty. Kjo më bën të kuptoj që barazia gjinore nuk është ashtu siç duhet të jetë!
Megjithëse në familjen time unë gjithmonë përpiqem t’i ndaj punët e shtëpisë me vëllëzërit e mi, prapë së prapë unë gjithmonë punoj më shumë pasi që vëllezërit arsyetohen me atë punë që bëjnë jashtë shtëpisë që sipas tyre janë punë më të ‘rënda’.
Punët e shtëpisë janë gjëja më esenciale për higjienën, për jetesën e njeriut që pa marrë parasysh gjininë duhet të bëhen, por sistemi patriarkal krijon norma gjinore që i largon burrat dhe djemtë nga kjo sferë jetësore.
Moskryerja e punëve të shtëpisë burrave dhe djemve u duket krenari pasi që mendojnë së nëse ndihmojnë në kryerjen e këtyre punëve do të jenë më të dobët karshi personalitetit të tyre si burra dhe djem.
Përderisa kjo gjendje e mentalitetit nuk ndryshon, asnjëherë nuk do të arrihet barazia e plotë.
Duke u munduar ta kuptoj këtë gjë, kam ardhur në përfundim që burrat e familjes mendojnë që kjo gjë në lidhje me punët e shtëpisë është një lloj tradite që ata duhet ta respektojnë dhe ta vazhdojnë pasi që të parët nuk kanë bërë asgjë në lidhje me punët e shtëpisë prandaj as këta nuk duhet të bëjnë, gjë është shumë e papranueshme dhe nuk është në përputhje me ligjin për barazi gjinore e as me normat gjinore e sociale të civilizimit të sotëm.
Punët e shtëpisë nuk njohin gjini dhe asnjëherë nuk kanë njohur!
Ky artikull është shkruar ngaAmela Pejcinovic, studente në Departamentin për Punë Sociale në UP nën mbikqyrje të profesoreshë Vjollca Krasniqi në kuadër të bashkëpunimit me SIT. Ky artikull u shkrua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim, dhe Fondacioni OAK.
YMI – Young Men Initiative#CareInternational#CARE#AustriaDevelopmentAgency#OAKFoundationFacebookTwitterLinkedInWhatsApp