Të drejtat e pabarabarta për gratë në sportin kosovar

Si në shumë vende të botës edhe në Kosovë sporti konsiderohet ambasadori më i mirë. Kjo u dëshmua më së miri viteve të fundit, ku Kosova tregoi sukses ndërkombëtar në fusha të ndryshme të sportit.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, janë vetëm disa nga sportistet që kanë shkruar histori dhe kanë bërë që Kosova të njihet edhe më shumë në arenën ndërkombëtare.

Pas anëtarësimit në shumë organizata si: FIFA, UEFA, FIBA, KON (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar), është zgjuar edhe më shumë interesimi në sport nga të gjitha gjinitë. Por, sa të barabarta janë gratë dhe vajzat në fushën e sportit dhe sa janë të integruara në këtë profesion kanë folur: Alba Merovci – gazetare sportive dhe njëherësh nënkryetare e shoqatës së gazetarëve sportiv, Donjeta Morina – ish basketbolliste e Sigal Prishtinës  dhe Komuniteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Në të kaluarën kanë ndikuar faktorë të ndryshëm që gruve dhe vajzave t’u imponohet profesioni, por kjo nuk ka ndodhur me ish basketbollisten e Sigal Prishtinës, Donjeta Morinën e cila e ka ushtruar këtë profesion qysh nga mosha 13 vjeçare.

“Kam fillu qysh në moshën 13 vjeçare edhe direkt në kategoritë e super ligës. Nuk kam pasur paragjykime, përkundrazi më kanë përkrahur kur e kanë parë se sa shumë e dua si sport. Në periudhën kur kam qenë aktive në basketboll ka pasur shumë vështirësi sa i përket anës financiare, problemet me salla, stërvitje, pagesa mujore, kurse tani interesimi është rritur”, thotë Donjeta Morina.

Se sa është sfidues si profesion dhe sa ka gjetur hapësirë në gazetarinë sportive, Alba Merovci është shprehur se “inkuadrimi i grave dhe vajzave në sport ka ndikim dominant në sportin vendor dhe atë ndërkombëtar. Prezenca e tyre në sport ndikon pozitivisht në rritjen e përfshirjes së tyre më të madhe.”

Ajo shton se po bëhen katër vite që kur ushtron profesionin e gazetares dhe diplomoi në Media dhe Komunikim.

“E përmenda këtë fakt në fillim për të treguar se ne (gazetarët e sportit) ushtrojmë profesionin për të cilin jemi shkolluar. Fillimet janë gjithmonë të vështira në çdo fushë, sidomos gazetaria është profesion që lidhesh emocionalisht me të, sidomos gazetaria sportive dhe pavarësisht paragjykimeve të bën të mos dorëzohesh vetëm atëherë kur këtë punë e bën me hapa të sigurt dhe pa kthim mbrapa. Unë personalisht kam vërejtur që çdo vit ka vetëdijësim të njerëzve përballë gazetarëve të sportit, në bazë reagimeve që pranojmë”, ka thënë Merovci.

Paragjykimet të cilat shoqëria i shpreh për gratë dhe vajzat dhe se sa duhet sporti të jetë edhe profesion i gruas në vendin tonë – kanë qenë mjaft të mëdha.

“Paragjykimit nuk do t`i shpëtojmë asnjëherë, por vetë fakti se sot shumica e redaksive të sportit në mediumet tona, përbëhen të paktën nga një gazetare ose prezantuese grua si dhe numri i gazetarëve të sportit çdo vit po rritet si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, atëherë kjo mund të mirret si bazë për pranimin tonë në shoqëri dhe vetëdijësimin e audiencës”, tha ajo.

Në shtator të vitit 2019 në Kosovë është formuar shoqata e gazetarëve të sportit me qëllim që të informojë dhe promovojë sa më shumë sportin kosovar. Në këtë shoqatë janë votuar Alba Merovci si nënkryetare e shoqatës dhe Qëndresa Krelani si anëtare e bordit. Kjo tregon pak më shumë një barazi gjinore e cila ka filluar të përmisohet jo vetëm në sport por edhe në profesionet e tjera.

Institucionet e vendit kanë ndikim dhe rol të madh në inkuadrimin dhe fuqizimin e gruas në sport. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në faqen e saj zyrtare mkrs-ks.org ka të krijuar një faqe të veçantë ku ka të dhëna rreth sportit të grave. Në atë dritare mund të shohim politikën programuese të sporti të grave ku për qëllim kanë: përkrahjen materiale të klubeve të reformuara në bazë të akteve nënligjore, dhe konform me rregulloret e federatave sportive, mbështetjen materiale për përfaqësueset e grave, mbështetje për seminare për trajnere, gjyqtare etj. Këto metoda dhe strategji shihen se janë miratuar kohëve të fundit.

Merovci thotë se: “sa i përket inkuadrimit të grave si në lëminë e sportit po ashtu edhe në lëmitë e tjera, mund të thuhet se mbetet shumë për të dëshiruar, pra gratë nuk janë të përfshira mjaftueshëm në sport. Inkuadrimi mendohet të jetë si në rolin e sportisteve po ashtu edhe në menaxhimin dhe administrimin e tij”.

Ajo shton se i takon edhe shoqërisë civile që të avokojë dhe insistojë që përmes mediave të ndikojnë në institucionet shtetërore që dominohen nga burrat  që të përfshijnë gratë në sport dhe të punojnë në masivizimin e sportit në Kosovë dhe shpreson që në të ardhmën të shtrohet kujdes më i madh për sportin të cilit sukseset nuk i mungojnë si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Agjencioni i Statistikave të Kosovës (ASK) në hulumtimin e fundit të bërë në vitin 2013 ka nxjerrë si rezultat se në Kosovë ka gjithsej 25% sportiste gra ndërsa 75% sportistë burra, e sa i përket punësimit në klube sportive ka gjithsej 16% gra të punësuara dhe 84% burra.

Lorik Jashanica, gazetar sportiv, ka folur rreth integrimit të grave në sport dhe se gazetaria sportive nuk është profesion i “burrave”.

“Interesimi i grave për t`u inkuadruar në gazetari sportive është rritur ndjeshëm në vitet e fundit në vendin tonë. Padyshim se inkuadrimi i grave në këtë lëmi e rritë edhe më shumë cilësinë e sportit dhe e zhvillon më tej gazetarinë në vendin tonë. Para më shumë se një dekade nuk ka pasur shumë gra/vajza të cilat janë interesuar për gazetarinë sportive. Megjithatë, ai thekson se viteve te fundit ka filluar të rritet prezenca e grave që kanë më shumë hapësirë në redaksitë e mediumeve në Kosovë e natyrisht se kjo ka ardhur si rezultat i interesimit të tyre”.

Jashanica ka folur edhe për dukurinë e paragjykimeve që është mjaft e përhapur në shoqërinë tonë. Ai thotë se nuk ka vërejtur ndonjë paragjykim nga gazetarët burra kundrejt gazetareve gra të cilat përcjellin dhe punojnë për të informuar publikun.

“Unë zakonisht shoh shumë gazetare gra në shkallët e stadiumeve të ndryshme dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë, pasi ky nuk është profesion i “burrave” por është profesion i të gjithë atyre që e duan sportin dhe e bëjnë me pasion punën e raportimit tek audienca”, thotë ai.

Jashanica beson se gratë duhet të kenë të drejta të barabarta me të gjithë gazetarët e tjerë burra dhe nuk duhet t’u cenohet liria apo e drejta për të ushtruar profesionin e tyre në asnjë stadium, palestër apo kudo që ato dëshirojnë ta praktikojnë punën e tyre. Një qasje e tillë si e Jashanicës, në fakt do të ishte dashur të ndjekej nga secili gazetar tjetër duke e marrë parasysh ndikimin e gazetarëve në forimimin e mendimit të audiencës por edhe të vetë gazetarëve të tjerë.

“Kontributi i grave në çdo sferë sportive është i mjaft i madh dhe shumë efektiv, në vitet e ardhshme pritet që të  rritet akoma më shumë interesimi dhe angazhimi i punësimit  të  grave në sport”, u shpreh Lorik Jashanica.

Komiteti Olimpik i Kosovës është shprehur se sukseset e sportit Kosovar në arenën ndërkombëtare kanë ardhur kryesisht nga gratë/vajzat. Në pesë vite të anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në (KOK), Kosova numëron 11 medalje ndërkombëtare, prej tyre 9 janë fituar nga gratë.

Medalja e artë dhe më e rëndësishmja për vendin tonë, është ajo e fituar në Lojërat Olimpike RIO 2016, nga xhudistja Majlinda Kelmendi. Ndërsa katër medalje të tjera (një e artë, një e argjendtë, dy të bronzta) në Lojërat Evropiane Baku 2015 dhe Minsk 2019, që të gjitha janë fituar nga gratë në sportin e xhudos: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova (2) dhe Loriana Kuka. Një medalje e bronztë në Lojërat Olimpike për të Rinj – xhudistja Erza Muminoviq, një medalje e artë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj – Muhamet Ramadani (atlet), katër medalje, (tri të arta, një e argjendtë) në Lojërat Mesdhetare – Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka. Në Bordin Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), nga gjithsejt 15 anëtarë, pesë sosh janë gra.

Për të marrë pjesë në Asamblenë e KOK-ut, federatat anëtare duhet të kenë së paku një grua në Asamble nga tre ose dy anëtarë pjesëmarrës. Sa i përket federatave dhe pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje, përqindja e grave në Bord Ekzekutiv është prej 10-30%.

Në pozitat vendimmarrëse të federatave, momentalisht kemi pesë gra që janë sekretare të përgjithshshme të federatave dhe ato janë: Elvira Dushku – Federata e Basketbollit e Kosovës, Fjolla Ibishi – Federata e Tenisit e Kosovës, Luljeta Reçica – Federata Skitare e Kosovës, Venita Smakaj – Federata e Sportit Universitar të Kosovës, Njomëza Emini – kryetare e Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Duke parë suksesin e madh të vajzave dhe grave kosovare në sportin ndërkombëtar, lë të kuptojmë se barazia gjinore është një ndër shtyllat kryesore të një shoqërie dhe vlerave të asaj shoqërie. Prandaj ne duhet të investojmë dhe të promovojmë sa më shumë barazinë në vendin tonë.

Krijimi i kushteve dhe mundësive të barabarta për të gjitha gjinitë pa dallime ndikon pozitivisht në çdo sferë të një shoqërie. Vajzave dhe grave duhet t`iu mundësojmë vende të lira pune dhe kushte për zhvillimin e tyre në sport.

Pra, kontributi i grave dhe vajzave duhet të jetë i gjithanshëm në sportin tonë dhe jo të kufizohen aktivitetet dhe idetë e tyre për shkak të mos plotësimit të kushteve elementare të cilat mungojnë tek ne e mbi të gjitha barrierat gjinore që ato i hasin.

Sporti vendor duhet të promovohet sa më shumë në arenën ndërkombëtare por për promovimin e tij duhen investime të mëdha dhe përkrahje edhe nga institucionet e vendit.

Mbi autoren:  Florina Imeri është pjesëmarrëse në programin “Gazetaria Transformuese” që është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ dhe që implementohet nga SIT dhe KosovaLive.

sqAlbanian