Revolucionet Feministe në Kosovën Rurale

“Qe natë kur u largova nga shtëpia, u largova kur të tjerët po flinin. Ishte e frikshme, por e dija se kthim prapa nuk kishte. Isha krejt e vetme dhe e frikësuar. Nuk e dija ku po shkoja. Gjithë çfarë dija ishte se nuk kishte kthim prapa.”

Xhejrane Lokaj u largua nga shtëpia e familjes së saj në moshë të re, duke e ditur se nëse do të qëndronte, nuk do të ishte në gjendje ta ndiqte ëndrrën e saj për shkollim. Në Kosovën e viteve1970, për vajzat që jetonin në familje tradicionale në zona rurale, ishte jashtëzakonisht e vështirë të ikin nga një jetë e kufizuar nga normat shtypëse gjinore.

Një Tregim nga Malet

Tregimi i Xhejrane Lokaj është ai i një gruaje, kundërshtimi i së cilës për t’iu përshtatur rregullave shtypëse u bë pikënisje për një luftë më të madhe për të drejtat e grave në një sistem patriarkal.

Xhejrane Lokaj është një grua në të 60-at e cila jeton në Dragash, një qytezë me 1,098 banorë, që ndodhet në jug të Apleve Dinarike në Kosovë. Ajo ka punuar si mami në rajonin malor për më shumë se 40 vite, dhe edhe pse ka filluar ta ushtrojë profesionin disi aksidentalisht, sërish do ta zgjedhte këtë punë nëse do të mund të kthehej në kohë sepse, siç thotë ajo, ishte profesioni i mamisë që ia mundësoi të jetë më afër grave dhe t’u ndihmojë në momentet e tyre më të vështira. Ishin momentet e tilla kur ajo i dëgjonte tregimet e tyre dhe i kuptonte orvatjet e tyre në një nivel shumë personal. Tregime që, siç thekson ajo, ishin shumicën e kohës të njëjta për të gjitha gratë. Xhejlanja ua ka kushtuar jetën e saj të drejtave të grave, veçanërisht atyre që jetojnë në zonat rurale.

E lindur më 1955, ajo u rrit në një familje tradicionale, në patriarkat rural në Pobergj, fshat në komunën e Deçanit, një zonë malore në kufi me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Familja e gjerë ndante të njëjtën shtëpi – prindërit, fëmijët, gjyshërit, axhallarët, hallat, vjehrrit, të gjithë jetonin së bashku. Burrat ishin ata që caktonin rregullat dhe merrnin vendime dhe gratë pritej t’u bindeshin atyre, edhe kur vetë gratë shtypeshin nga këto rregulla.

Burri më i vjetër i familjes ishte kreu i shtëpisë (konakut), patriarku. “Në atë kohë, kjo konsiderohej traditë dhe nuk pritej që të sfidonim atë,” thotë Xhejranja. Edhe pse burrat gëzonin privilegje dhe autoritet, prej tyre pritej t’i përmbushnin disa detyra të burrërisë patriarkale. Burri duhej të kishte trashëgimtar, që do të thotë djalë meqë vajzat nuk lejoheshin të trashëgonin. Babai i saj do të gëzonte më shumë respekt nëse do të kishte një djalë për ta vazhduar trashëgiminë e tij, ndërsa nëna e saj pritej ta “bartte barrën” që nuk kishte mundur t’i dhuronte një djalë familjes. Pra, duke pasur parasysh që brenda familjes së gjerë, pozita e prindërve të Xhejranes ishte e cenueshme, ishte ende më e vështirë për të që ta përmbushte dëshirën për të ndjekur shkollim, diçka që nuk ishte e pritur e as e lejuar për shumë vajza në atë kohë, sidomos vajzat që jetonin në zonat rurale.

Vajzat si Xhejranja pritej të martoheshin në moshë të re dhe të lindnin fëmijë. Ky ishte roli i tyre në komunitet, t’u shërbenin burrave dhe të riprodhonin. Jeta rurale ishte shumë e varur në institucionin e familjes, nuk kishte shumë mundësi jashtë saj, dhe rregullat brenda familjes ishin shumë strikte, sidomos për gratë të cilat nuk lejohej të dilnin sikurse burrat. Të ishin të dëgjueshme dhe t’u bindeshin urdhërave të burrave ishin sjelljet kryesore të pritura nga gratë.

Në disa fshatra, siç kujton Xhejranja, gratë nuk lejoheshin të pinin kafe deri në një moshë të caktuar. Deri në fund të 1950-ave ato “duhej të përgatisnin kafe për të tjerët, por nuk u lejohej të pinin për vete. Kafeja përfaqësonte një status të caktuar shoqëror, i cili nuk ishte i lejuar për gra. Pirja e kafesë do t’i ngrinte nga statusi që u ishte dhënë në familje, dhe kjo nuk ishte e pranueshme.”

Largimi për hir të Shkollimit

Pas përfundimit të shkollës fillore, Xhejranja qëndroi në shtëpi për tre vjet. Ajo i kujton kohët kur burrat në familje mblidheshin e bisedonin për ‘t’ia gjetur një burrë’ dhe për t’a martuar sa më shpejt që ishte e mundur, edhe pse ishte ende e re në moshë dhe nuk donte të martohej. “Përvidhesha dhe dëgjoja bisedën e tyre dhe i dëgjoja duke thënë ‘ky po duket burrë i mirë, ky është djali i vetëm në familje, ky është i shkolluar’. Kurrë nuk isha e interesuar për ndonjërin prej tyre. E vetmja gjë që më interesonte ishte të krijoja diçka nga vetja dhe t’u ndihmoja edhe grave të tjera ta bënin të njëjtën”, thotë Xhejranja. Në tërë këtë, ajo nuk kishte askë që t’i dejtohej, nuk kishte gra të tjera që e dinte se ishin të shkolluara apo që po shkolloheshin. Sidoqoftë, nuk u ndal së ndjekuri ëndrrën e saj.

Xhejranja ishte 17 apo 18 vjeçe kur e kuptoi se nëse nuk ikte, do të përfundonte sikurse gratë tjera në familjen e saj, pa marrë parasysh kërkesën e saj të vazhdueshme për të mos e martuar. “E dija që duhej të largohesha, edhe pse do të vinin pas meje, do të më kërkonin sepse i kisha turpëruar”. Duke pasur parasysh ‘turpin’ që i kishte sjellë familjes duke ikur nga shtëpia, sipas Kanunit, burrat e familjes së saj dhe të farefisit mund edhe ta vrisnin. Ajo nuk është se priste ndonjë lloj përkrahjeje. Nëna e saj nuk mund të thoshte asgjë; ajo tashmë do të ishte fajësuar që nuk kishte mundur ta kontrollonte të bijën e saj. E vetmja përkrahje që Xhejranja kishte ishte njëri nga axhallarët e saj, por siç thotë ajo, “Përkrahja e tij ishte t’u thoshte të më kursejnë e të mos me vrasin sepse në fund të fundit, isha njeri”. “Në të vërtetë, as që i tregova nënës për vendimin për të ikur, ishte më mirë për të të mos e dinte, gjithsesi do të fajësohej për veprimet e mia.”

Kështu, kur më në fund Xhejranja iku nga shtëpia kur të tjerët po flinin dhe arriti t’i ikte një të ardhmeje të planifikuar nga të tjerët, e dinte që duhet të ikte diku larg Deçanit, diku ku nuk do të mund ta gjenin, sepse sigurt do ta ndiqnin. “Po të më kishin gjetur, do të ishte fundi im. Dhe nuk ndihesha aq keq për vete sa për nënën dhe motrat sepse e dija që ato do t’i vuanin pasojat e veprimeve të mia. Sidoqoftë, e dija që nuk ka kthim prapa.”

Nga qyteti i saj, Deçan, Xhejranja shkoi në Prizren, si qyteti më i afërt. Aty kishte një shkollë të mesme në të cilën mund të regjistrohej. Ishte hera e parë që udhëtonte e vetme, e për më tepër, jashtë Deçanit. Ishte e frikësuar dhe nuk kishte ide se çfarë do të gjente në Prizren, por vazhdoi duke e ditur që ishte për të mirën e saj. Ajo vazhdonte me mendimin që nëse do ia dilte, gjërat do të përmirësoheshin jo vetëm për të, por edhe për motrat dhe nënën e saj për të cilën më thotë “Ah, nana jem’ e dashtun, ajo ka vujtë më s’shumti.”

“Nuk e kam parë familjen për një vit pasi u largova. Pas një viti, më në fund vendosa të kthehesha.” Gjatë vitit të parë në Prizren, në shkollën e mesme, Xhejranja punoi shumë për të, siç thotë ajo, dëshmuar veten pas asaj që kishte bërë. Kishte fituar bursë që i mundësonte ta ndiqte shkollimin dhe të qëndronte në konvikt dhe mundi i saj u shpërblye, ajo u bë nxënësja më e mirë e klasës dhe u zgjodh Kryetare e Këshillit të Nxënësve. Sidoqoftë, viti i parë vetëm i lehtë nuk ishte. Ajo kujton pushimin e parë dimëror kur të gjithë ktheheshin në shtëpi, dhe ajo do të duhej të rrinte e vetme në konvikt.

Kur më në fund e vizitoi familjen pas një viti, të gjithë e fajësuan për atë që kishte bërë, por tani kishte disa ndryshime që mund t’i vërente. Kishte njerëz që thoshin: “Le të mos insistojmë për t’i martuar vajzat tona, sepse do të bëjnë çfarë ka bërë ajo.”  Në atë kohë, ajo ndjeu se një ndryshim tashmë kishte filluar, se tashmë ishte bërë një idol për vajzat, duke u treguar diçka që nuk kishin parë më parë, diçka që kishin menduar se ishte e pamundur.

Në vitin e dytë në shkollë të mesme, Xhejranja e ftoi të atin në mbledhje të prindërve. Ai u pajtua të shkonte; ishte hera e parë që shkonte në Prizren. Në takim, arsimtarët e njoftuan për sukseset e Xhejranes dhe kishin vetëm gjëra të mira për të thënë për të. “Për një burrë të vjetër nga fshati, i cili vjen në Prizren për herë të parë dhe i dëgjon këto fjalë, ishte një botë tjetër.”

Aty babai i sai mori respekt që nuk kishte menduar se do ta merrte kurrë, duke pasur parasysh faktin që në fshatin e tij ai ishte ‘burri që nuk kishte trashëgimtar’. Pas kësaj, i ati dukej se filloi ta kuptojë se shkollimi nuk është edhe aq i keq pas të gjithash, “Filloi t’a kuptojë se jo gjithmonë ata, burrat e familjes, mund t’i merrnin vendimet më të mira për të tjerët.”

Udhëtim i ri, revolucione të reja

Pas shkollës së mesme, sfida e re ishte ta gjente një punë. Xhejranja tashmë e kishte fituar besimin e familjes, gjë që ia bëri më të lehtë të kërkonte punë. Megjithatë, nuk ishte e lehtë të gjente punë në qytetin e saj, dhe fatmirësisht mori një ofertë nga një shoqe në Prizren e cila i tregoi se po kërkonin mami në Dragash.

“Ishte hera e parë që po shkoja në Dragash. Hipa në autobus dhe më kujtohet që nuk e dija ku duhej të zbrisja. U ngrita në këmbë në disa stacione dhe shoferi i autobusit vazhdimisht më thoshte, nuk duhet të zbresësh këtu, ulu. Ndihesha e turpëruar dhe mezi të prisja që të arrija. E dija që po më priste një udhëtim i ri.” Bashkë me punën e saj në Dragash, ku Xhejranja ende jeton, filloi edhe aktivizmi i saj feminist. Nuk kishte shumë gra në spitalin ku ajo filloi të punonte si mami.

Ato që punonin aty ose ishin serbe, ose nga tjera rajone të Kosovës, jo nga Dragashi. Dukej se këto gra nuk i bezdiste shumë ajo që po ndodhte me gratë tjera në rajon, të cilat ende nuk kishin të drejtë për shkollim dhe ishin të varura nga vendimet e burrave, ishin shumë të qeta përballë padrejtësive. “Unë nuk mund të isha ashtu” thotë Xhejranja. Sërish, e gjeti veten në një ambient ku e dinte se duhet të vepronte ndryshe nëse do të bëhej zëri i grave të tjera. Idetë e saj feministe, edhe pse në atë kohë nuk i definonte si të tilla, nuk e lejuan Xhejranen “t’i injoronte problemet e grave të tjera.”

“Puna si mami më mësoi e më dha aq shumë. Mund të isha afër grave në momentet e tyre më të ndjeshme; mund t’i dëgjoja tregimet e tyre, t’i kuptoja problemet e tyre, nevojat, ëndrrat e tyre.” Xhejranja u asistonte deri në katër grave brenda nate për të lindur, dhe e mira e kësaj ishte që duhej të qëndronin në spital edhe për tri ditë të tjera pas lindjes – kështu kishin mjaft kohë për ta ndërtuar besimin me Xhejranen dhe t’i ndanin tregimet e tyre. Por ajo e dinte se të fliste vetëm me gratë nuk ishte e mjaftueshme, duhej të fliste me burrat.

Përmes tyre, do të mund të arrinte edhe më shumë gra. “Për t’i ndryshuar jetët e grave, duhej të flisnim me ata që ishin në fuqi, e ata në fuqi ishin burrat.”

Megjithatë, iu deshën shumë vite duke biseduar me burra dhe duke avokuar për të drejtat e grave që Xhejranja të shihte ndryshime të vogla.

Nënat filluan të mendonin ndryshe për vajzat e tyre, nuk donin që ato të jetonin jetën e njëjtë sikurse ato. Edhe pse nuk kishte edhe aq gra si shembull për to në rajonet e tyre, ato e kuptuan se edukimi ishte i rëndësishëm nëse donin që vajzat e tyre ta kishin një jetë më të mirë.

Xhejranja ishte aty për ato vajza që donin të shkolloheshin; ajo do të ishte përkrahja e tyre. Për djemtë ishte ndryshe. Nëse donin të shkolloheshin, do të kishin përkrahjen e familjes. Por për vajzat ishte e vështirë, së pari sepse shkolla e mesme dhe universiteti ishin shumë larg për ata që jetonin në fshatra dhe siç thotë Xhejranja, “Nuk u besonin vajzave të shkonin vetëm në universitet në Prishtinë.” Në fund të viteve 70 dhe 80, i vetmi universitet në Kosovë ishte në kryeqytet, Prishtinë. Me gjithë sfidat, nuk ishte e lehtë për Xhejranen dhe gratë e tjera që të qëndronin stoike, por e dinin që duhej të qëndronin të tilla nëse donin të shihnin ndryshim.

Pas shumë vitesh pune me gra dhe burra, Xhejranja e themeloi organizatën e parë për të drejtat e grave në rajon “Shoqata Iniciativa e Grave”, e cila merret me një varg të gjerë çështjesh duke filluar nga fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore, deri te dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore, kundër trafikimit, dhe shëndeti.

Ende rrugë të gjata për t’i kaluar

“Sot nuk diskutojmë nëse vajzat duhet të shkollohen, por a po i kalojnë provimet.” Edhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar, dhe sipas Xhejranes gati secila familje ka një vajzë në universitet, ende ka vajza që nuk mund të shkollohen për shkak të kushteve ekonomike. “Na duhet përkrahje institucionale për këto vajza, na duhen bursa”, thekson ajo.

Hapja e universitetit publik në Prizren, qyteti më i afërt i Dragashit, ka ndihmuar shumë. Edhe shumë vajza të tjera kishin mundësi të largoheshin nga shtëpia e të shkonin në universitet. Sidoqoftë, në disa fshatra, thotë Xhejranja, “Vajzat ende po martohen shumë të reja.” Edhe pse Xhejranja dhe motrat e saj feministe kanë punuar për vite me radhë për t’i ndryshuar gjërat nga rrënja, ende u duhet përkrahje institucionale për shumë prej sfidave me të cilat po përballen sot. Niveli i papunësisë te gratë është ende shumë i madh, të rinjtë që e përfundojnë universitetin kërkojnë mundësi jashtë qytetit; nuk kthehen në Dragash sepse nuk shohin të ardhme këtu. Ende nuk ka qendra të kujdesit për fëmijë/çerdhe në Dragash. Nuk ka as police gra. Qe dy vite nuk ka pasur as gjinekolog. Grave u duhet të udhëtojnë 70 kilometra për në spitalin më të afërt, në Prizren, dhe nganjëherë nuk kanë qasje në transport.

Xhejranja thekson se gratë nuk u besojnë edhe aq mamive tani, lidhja mes grave dhe mamive ka humbur prej kur ka pasur gjinekolog në Dragash para dy vitesh. Edhe pse shumica e grave nuk ndiheshin rehat të kontrolloheshin këtu për shkak se gjinekologu ishte burrë, vetë prania e tij ishte e majftueshme për ta tundur besimin që ishte ndëruar për sa e sa vite. “Gratë nuk kanë faj”, thotë Xhejranja, “por prapë, ato vuajnë nga e gjithë kjo.” Ajo vazhdon, “Sot, fshatrat po zbrazen, por ende ka gra që jetojnë këtu dhe u duhen shërbime.”

Origjinali i këtij teksti është shkruajtur në gjuhën angleze nga Mirishahe Syla.

Përktheu: Liridona Berisha

sqAlbanian