Qendra e Mbajtjes i kundërpërgjigjet edhe sfidës së re
Shkaku i pandemisë Covid-19, këto ditë edhe Qendra e Mbajtjes në Prishtinë është mobilizuar që personeli policor dhe të ndaluarit të kenë sigurinë maksimale të mundshme të mbrojtjes nga ky virus i rrezikshëm.
Qendra i është nënshtruar dezinfektimit, deratizimit dhe dezinsektimit e hapa konkretë janë ndërmarrë edhe sa i përket distancës sociale në mes të burgosurve, me qëllim parandalimi të ndonjë infektimi eventual me Covid-19. Nga ana tjetër, zyrtarët e Qendrës së Mbajtjes janë pajisur me mjete mbrojtëse: dorëza, dezinfektues për duar, dhe maska.
Gjatë akomodimit të të ndaluarve bëhet respektimi i distancës, ku secili i ndaluar vendoset në qeli të ndarë dhe ata, gjatë gjithë kohës së qëndrimit janë me maska dhe kanë qasje në mjete të nevojshme higjienike.
“Gjatë kohës së pandemisë kemi pasur tre raste të dyshuar se janë të infektuar me COVID-19. Masat që i kemi ndërmarr janë: kontaktimi me Qendrën Emergjente, dhe pas kontrollit kur mjeku ka rekomanduar që i ndaluari të dërgohet në Klinikën Infektive për t’ju nënshtruar testit për COVID-19, atëherë me urdhër të Qendrës Komanduese të DRP-Prishtinë , një njësi nga Policia e Kosovës e ka bërë përcjelljen e tyre”, thotë udhëheqësja e qendrës, togerja Drita Shala.
Edhe pse të gjitha këto raste kanë rezultuar negativ, për secilën herë është bërë dezinfektimi i Qendrës së Mbajtjes.
Ishte kjo një sfidë e radhës e Qendrës së Mbajtjes në Prishtinë, këtij organizmi shumë të rëndësishëm në sistemin e sundimit të rendit dhe sigurisë, që funksionon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë – Prishtinë, e ku mbahen personat e ndalohuar nga policia për shkak të veprave të ndryshme penale. Të ndaluarit mund të mbahen deri në 48 orë, përkatësisht 24 orë për të miturit, ku gjithmonë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me porkurorin shtetëror vendoset për procedimin e mëtutjeshëm të personit të ndaluar.
Meqë është një organizëm që vepron në kryeqytet, numri të ndaluarve këtu është më i madh se në qendrat e tjera të mbajtjes në Kosovës.
Togerja Shala tregon për vëllimin e madh të punës të kësaj qendre që e udhëheq, ku numri mesatar i të ndaluarve për një muaj është rreth 120 persona.
“Gjatë vitit 2019, Qendra e Mbajtjes në Prishtinë ka pasur gjithsej 1258 raste, prej tyre 82 të mitur. Ndërsa gjatë tre mujorit të parë të vitit 2020 ka pasur gjithsej 334 të ndaluar, ku prej 334 të ndaluarve, 25 kanë qenë të mitur, kurse 12 kanë qenë femra, Të miturit në këtë qendër i kanë dhomat e ndara nga të rriturit dhe u kushtohet kujdes i veçantë, ata nuk pranohen në Qendrën e Mbajtjes pa raport të kontrollit mjekësor. Të miturit që mbahen në këtë qendër i kanë dhomat e ndara nga të rriturit dhe u kushtohet kujdes i veçantë, ata nuk pranohen në Qendrën e Mbajtjes pa raport të kontrollit mjekësor”, thotë Shala.
Ngaqë kujdestaria në këto ambiente është e domosdoshme stafi policor i kësaj qendre punon me tri ndërrime, me sistem rotacioni, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Qendra e Mbajtjes numëron gjithëset 21 zyrtar policorë, prej tyre 1 toger, 4 rreshterë dhe 16 policë.
Çdo pjesë e hapësirës ku qëndrojnë të ndaluarit është nën vëzhgimin e vazhdueshëm të kamerave, ngaqë siguria për të ndaluarit është prioritet.
Zyrtarët policorë të Qendrës së Mbajtjes në Prishtinë mundohen që të respektojnë me përpikëri të drejtat e njeriut që kanë të ndaluarit. Ky respektim i të drejtave të njeriut shprehet me veprimet konkrete të zyrtarëve policor gjatë trajtimit të të ndaluarve, duke ju ofruar qasje në të drejtat e tyre elemenare, trajtimin dinjitoz, qasje në kujdesin mjekësor dhe atë ligjor, përkatësisht kontaktin me avokatin mbrojtës.
“Të ndaluarit kanë qasje në shërbime mjekësore çdo herë kur ata kërkojnë në raste kur nuk ndihen mirë (psh. tensioni i gjakut, probleme me zemër, lëndime apo dhimbje të ndryshme…). Vlen të ceket se bashkëpunimi me Qendrën Emergjente është në nivelin e duhur dhe janë shumë efikas në çdo thirrje nga ana jonë”, thotë togerja Shala.
Njëherit, ajo cek se Qendra e Mbajtjes monitorohet në vazhdimësi nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Institucioni i Avokatit të Popullit, si dhe nga ekipe të posaçme nga Këshilli i Evropës.
Me Ligjin nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit (neni 17), parashihet krijimi i një mekanizmi të veçantë, që do t’i kryejë të gjitha funksionet e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT). Detyrat e e përcaktuara të këtij mekanizmi janë vizitat e rregullta dhe pa paralajmërim në të gjitha vendet ku mbahen personat e privuar nga liria, duke përfshirë ndalimin policor.
“Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës i Avokatit të Popullit, gjatë vizitave të saj në qendrën e ndalimit në Prishtinë, gjatë këtyre viteve, nuk ka hasur në shkelje dhe mosrespektim të këtyre të drejtave themelore të garantuara me legjislacionin në fuqi”, thotë zyrtari për komunikim dhe qasje në dokumente publike në Institucionin e Avokatit të Popullit Petrit Çollaku.
Ekipi i MKPT-së, sipas tij, gjithmonë ka hasur në bashkëpunim të plotë nga policët e Qendrës se Mbajtjes në Prishtinë, me qasje në të gjitha hapësirat e qendrës, qasje në të gjitha dokumentet, dosjet e të arrestuarve, si dhe duke mundësuar intervistimin e personave të arrestuar pa praninë e zyrtarëve policorë. Vizitën e fundit pa paralajmërim në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë, ky mekanizëm e ka realizuar më 23 janar 2020, dhe nuk ka hasur në shkelje të këtyre të drejtave themelore të të ndaluarve.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) që mënyrë të vazhdueshme që nga viti 1999, ka monitoruar qendrat e mbajtjes dhe paraburgimit, si dhe qendrat korrektuese në Republikën e Kosovës, ka vlerësim të lartë për këtë qendër.

“Sa i përket trajtimit të të privuarve nga liria në vendin tonë, pa asnjë dyshim del se Kosova qëndron më mirë se vendet e rajonit si: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës”, shprehet kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala.
Shala thekson bashkëpunimin shumë të mirë dhe në nivel profesional me stafin e Qendrës së Mbajtjes. Gjatë viteve sa është monitoruar Qendra e Mbajtjes në Prishtinë, asnjëherë të vetme KMDLNJ nuk ka hasur që ndaj të ndaluarve është ushtruar abuzim, qoftë fizik apo psikik, nga ana e stafit të qendrës.
Puna në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë monitorohet edhe nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila përveç publikimit të raporteve, disa herë ka organizuar edhe tryeza diskutimi mbi respektimin e të drejtave të njeriut.
Alban Muriqi, menaxher i projekteve në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës po ashtu thekson raportet e mira komunikimi e bashkëpunimi me Qendrën e Ndalimit, ku kanë qasje të plotë edhe të papenguar gjatë monitorimit dhe vlerësimit të të drejtave të personave të ndaluar.

“Në përgjithësi të drejtat e njeriut të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës në fazën e ndalimit dhe arrestit policor respektohen në masë të konsiderueshme nga ana e stafit përgjegjës policorë në dhomat e ndalimit në Prishtinë”, shton ai.
QKRMT tregon se të ndaluarve iu garantohet ushqimi (tri racione ditore), kujdesi shëndetësor sipas kërkesës/nevojës, njoftimi i familjes apo të afërmëve për vendndodhjen dhe e drejta për të pasur avokat, dhe se të ndaluarit kryesisht kanë fjalë të mira për stafin policor që shërben në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë.
Ankesat kryesore të institucioneve si KMDLNJ dhe QKRMT janë sa i përket kushteve fizike të objektit të vjetëruar të Qendrës së Mbajtjes, ku mungon ajrosja dhe drita natyrale.
Mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë është çështje e cila monitorohet vazhdimisht edhe në nivel ndërkombëtar, ku më pastaj publikohen të gjeturat dhe vlerësimet në raporte mbi progresin apo ngecjet eventuale në këtë drejtim.
Në raportin e fundit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se nuk ka raportime të konfirmuara se policia ka abuzuar me rregullin 48 orësh, dhe prokurorët ose iu kanë ofruar të ndaluarve dokumentacionin që tregojnë arsyen e ndalimit të tyre, ose i kanë liruar ata.
“Gjatë të gjitha fazave të hetimit, të dyshuarit kanë të drejtë të refuzojnë të përgjigjen në pyetje, përveç atyre pyetjeve që kanë të bëjnë me identitetin e tyre, si dhe kanë të drejtë në shërbimet pa pagesë të avokatit dhe përkthyesit, si dhe në trajtimin mjekësor dhe psikologjik. Gjatë të gjitha fazave të procesit, të dyshuarit mund të komunikojnë me përfaqësuesit e tyre ligjor, si dhe mund të njoftojnë familjen për arrestimin e tyre”.
Por, sfidat, gjithsesi ka që shihet edhe nga një raportim i Komisionit Evropian, i cili monitoron dhe përcjellë me kujdes respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
“Korniza ligjore gjërësisht garanton mbrojtjen e të drejtave fundamentale dhe njerëzore, në vijë me standardet evropiane, megjithatë, implementimi i strategjive dhe legjislacionit mbi të drejtat e njeriut, shpesh herë rrezikohet nga burimet e pamjaftueshme financiare dhe burimet e tjera, veçanërisht në nivelin lokal, prioriteti i kufizuar politik, dhe mungesa e koordinimit”, thuhet në raportin e vitit 2019 e KE-së.

Mbi autorin: Besart Shala, ka qenë trajner dhe menaxher i projekteve në Organizatat joqeveritare “FOL TASH” dhe “Perspektika Pro Evropine”. Ai gjithashtu ishte bashkëpunëtor dhe kolumnist në revistën “Realiteti”. Besarti ka qenë pjesë e grupit të dytë të “Gazetarisë Transformuese” në Kosovalive.
Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.