Ditari i një dite gjatë pandemisë Covid-19 nga prespektiva gjinore
Të gjitha organizimet shoqërore duke filluar
nga më themeloret e deri tek shteti si
organizim kulmor shoqëror kanë si model
familjen.
Nga rrethi i gjerë familjar gjithnjë jam rritur
duke dëgjuar shprehje të gabuara nga të tjerët
rreth punëve të shtëpisë, të cilat gjithmonë janë
konsideruar si detyrë e grave, që punët e
shtëpisë nuk janë për burra, dhe se burri që
është burrë nuk merret me punë të shtëpisë
sepse nëse merret vë në pikëpytje burrërinë e
tij dhe se ata e kanë si obligim që vetëm të
punojnë jashtë shtëpisë dhe të sigurojnë të
ardhura për familjen. Kjo mënyrë e të
menduarit që të parët tanë na e kanë lënë
traditë është një mendim jo i duhur dhe i
gabuar.
Në familjen time gjatë ditëve të pandemisë
shumicën e punëve të shtëpisë i ka përfunduar
nëna ime si përgatitjen e ushqimit, pastrimin e
rrobave, pastrimin e enëve dhe gjithë shtëpisë,
mirëpo unë si vajza e saj jam munduar që t’i
ndihmoj gjatë këtyre ditëve duke shërbyer çaj
apo kafe.
Babai gjatë gjithë ditës ishte duke shikuar
televizion dhe duke analizuar dokumentarët që
shfaqeshin në ekranet televizive, isha unë ajo
që shpesh e ftoja të më ndihmonte në ndonjë
gjë, dhe po, ishte në gjendje gatishmërie të
ndihmonte, mirëpo disi me një lloj përtacie.
Edhe pse nuk kishte ndonjë punë e vështirë,
rastiste ndonjëherë të më drejtohej me
shprehjen “pse s’e thirrshe nanen tande me
t’ndihmue”?! Aty vërejta dhe e analizova që
babai im e mendonte brenda vetes si një punë
të grave atë ndihmesën për të rregulluar dhe
për t’i larguar nga rruga gjërat që gjindeshin në
dysheme gjersa unë përdorja fshesën elektrike.
Sa i përket vëllait tim nuk është se ka shprehur
ndonjë interesim rreth punëve të shtëpisë. Edhe
pse shumë herë e kam ftuar të më ndihmojë,
përgjigja e tij ishte “nuk mundem, jam i nxan”,
ku në fakt rrinte vetëm në telefonin e tij.
Nga gjithë kjo e nxjerrim një përfundim që as në trungun
familjar nuk i kemi të ndara punët në
mënyrë të barabartë gjinore dhe se të gjitha
punët e shtëpisë janë mbi supe të gruas dhe ne
si shoqëri duhet më shumë të bëjmë të mundur
vetëdijësimin e të gjithë burrave rreth
përgjegjësive familjare mbi punët e shtëpisë.
Detyrat dhe përgjegjësitë e grave gjatë kësaj
pandemie veç janë shtuar për shkak se të gjithë
anëtarët e familjes janë brenda në shtëpi, dhe
po ashtu edhe burrat brenda familjes duhet të
shfaqin interesim më të madh rreth punëve të
shtëpisë dhe të ndihmojnë në ndarjen e
barabartë të punëve të shtëpisë.
Një ndër parimet e Nenit 3 të ligjit të familjes
në Kosovë thotë se rregullimi i marrëdhënieve
familjare bazohet në barazinë ndërmjet burrit
dhe gruas, respektin dhe ndihmën e ndërsjellë
ndërmjet tyre dhe anëtarëve të familjes.
Prandaj është e nevojshme që shoqëria të
vetëdijësohet për edukimin masiv të grave dhe
vajzave, emancipimin dhe integrimin e plotë të
tyre në shoqëri, kjo duhet të mbështetet nga të
gjitha gjinitë, e posaçërisht nga gratë të cilat
tashmë janë të suksesshme, në mënyrë që gratë
ta gëzojnë vendin e merituar në shoqëri që të
mos bëhen vegel dhe të konsiderohen si të afta
vetëm për punë të shtëpisë dhe të luftojnë me
të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore që të
jenë e barabarta në të gjitha punët, qoftë ato
brenda shtëpisë apo edhe jashtë saj sepse gratë
duhet të përkrahen nëse kemi për qëllim të
kijojmë një shoqëri të shëndoshë.
Ky artikull është shkruar nga Blerina Saliuki, studente në Departamentin për Punë Sociale në UP nën mbikqyrje të profesoreshë Vjollca Krasniqi në kuadër të bashkëpunimit me SIT. Ky artikull u shkrua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim, dhe Fondacioni OAK.