Ditari i një dite gjatë pandemisë COVID-19

Kaluan muaj të tërë prej se jemi të mbyllur në shtëpitë tona. Kjo për shkak të gjendjes që është krijuar nga një pandemi e njohur si COVID-19 që po merr
jetëra të shumta. Për shkak të kësaj situate jemi të detyruar të qëndrojmë të mbyllur, për një siguri më të madhe të mbrojtjes nga kjo pandemi.


Po filloj të shkruaj se si është një ditë e imja në shtëpi. Sikur ditët e tjera që kaluan, ashtu edhe sot kjo ditë është e zakonshme për mua, pa ndonjë dallim nga ditët e tjera. Zgjohem me shpresë se kjo ditë do të jetë më e mirë, nuk do të kemi raste që janë të prekur me këtë virus, por me shpresë që do të marim një lajm të mirë dhe do të lirohemi nga ky izolim brenda shtëpive tona. Kaloj nga dhoma ime në kuzhinë, aty gjej nënën time e cila si gjithmonë zgjohet herët dhe fillon me përgatitjen e ushqimit për ne. Ndihmoj nënën në shtrimin e tryezës dhe vendosjen e ushqimit.


Thërras babain për të ngrënë mëngjesin i cili po ashtu zgjohet herët dhe e gjej në oborrin tonë duke u kujdesur për kopshtin, duke ujitur lulet. Kjo është puna e tij e përditshme të cilën e bën me kënaqësi. Vëllai im i cili zakonisht zgjohej herët dhe nisej për në punë, edhe në këtë kohë pandemie e ka vazhduar punën e tij si gazetar dhe i kanoset rreziku i prekjes nga ky virus, gjë që na bën të merakosemi për të më shumë. Pastaj filloj me pastrimin e shtëpisë, gjë që për ne gratë është punë e përditshme. Motra ime e vogël mundohet të na ndihmojë mua dhe nënës në punët e shtëpisë.

Pjesën tjetër të ditës e kaloj duke iu përkushtuar mësimit, duke lexuar dhe hulumtuar rreth studimeve të ndryshme, dhe nganjëherë shikoj ndonjë film. Në këto ditë mbrëmjeve po e praktikoj ecjen. Ashtu bëra edhe sot. Për disa orë e shijova natyrën e kësaj stine të bukur, gjelbërimin mahnitës të saj, dhe bukuritë natyrore të fshatit tim. Kjo më bën ta largoj mendjen nga mediat dhe gjërat që na shqetesojnë gjatë kësaj periudhe.

Kjo është një ditë e imja e zakonshme në këtë kohë pandemie. Po e përfundoj më shpresë që herën tjetër të shkruaj më shumë rreth asaj çfarë kam bërë edhe jashtë shtëpisë, si shkuarja në fakultet, takimi me koleget, shoqet, vizita e vendeve të ndryshme, dhe shumë gjëra të tjera.

Ky artikull është shkruar nga Erblina Bajra, studente në Departamentin për Punë Sociale në UP nën mbikqyrje të profesoreshë Vjollca Krasniqi në kuadër të bashkëpunimit me SIT. Ky artikull u shkrua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim, dhe Fondacioni OAK.

sqAlbanian