Ditari i një dite gjatë pandemisë COVID-19
Po shkruaj me shpresën që e nesërmja nuk do jetë e njëjtë si e djeshmja, dhe e sotmja do jetë hap i së nesërmes. Gjërat në jetë janë gjithmonë mister, por prapë e duam jetën ashtu si është. Jo gjithmonë njeriu përjeton ato që dëshiron. Ndonjëherë planet ndryshojnë, por ah ato ndryshime…
Jo nuk duhet t’i shohim si ndryshime që na e prishën planin, por që e rregulluan dhe ndryshe s’do ishte më mirë. Në këto ditë ku i gjithë njerëzimi po i përjeton gjërat e njëjta, shihet se gjithmonë dhe çdoherë jemi të barabartë, pra jemi nga gjaku, eshtrat, mishi dhe shpirti. Çdo gjë tjetër që na rrethon nuk na bën më të mirë ose më të këqij, e as më të pasur ose më të varfër.
Këto kohë virusi çdonjëri po kërkon shëndetin dhe askush nuk vrapoi pas pasurisë apo luksit e po dihet se çfarë është pasuria dhe kush e mposhtë çdo gjë tjetër që na rrethon: “shëndeti, pasuria e shpirtit”. Ditët janë bërë pothuajse të njëjta e ndonjëherë nuk dimë as data, as ditë e as javë. E vetmja që na mban me shpresë është frymëmarrja dhe zemra që s’ndalon së rrahuri.
Nganjëherë mendon që jeta të sjell disa raste që të vlersosh atë që ke, atë që e ke në afërsi por nuk e ndjen dhe nuk e vlerëson si pjesë e jotja. Kjo kohë pandemie na mësoi të vlerësojmë atë se çfarë kemi, na mësoi se si është të duash nga afër dhe si t’i ndjesh gjërat që me të vërtetë i dëshiron. Mjafton vetëm një gjë qoftë e vogël apo e madhe që të na kthejë në jetën reale, afër familjes, njerëzve që i duam, dhe gjërave që me të vërtetë i adhurojmë…
Në këto ditë po mbizotëron pastërtia, jo vetëm pastërti në shtëpitë tona, por pastërti në natyrën që po shohim, dhe pastërti në shpirtin e çdonjërit. Me sa duket virusi jo që solli errësirë dhe “burgosje”, por në anën tjetër na vetëdisoi për atë se çfarë do të thotë të kesh liri, qoftë fizike apo shpirtërore. Jo çdoherë ndryshimet duhet t’i shohim me negativitet sepse ato bartin me vete një sërë gjërash që për ne janë edhe më të mira se nga ato që menduam.
Ditët po vazhdojnë e gjithë çfarë na mbetet është ta mbrojmë njëri-tjetrin nga njëri-tjetri, dhe ta kujtojmë që bashkë, me shumë kujdes, mund ta mposhtim edhe një tjetër sfidë, edhe një tjetër virus.
Ky artikull është shkruar nga Erëz Paçarada, studente në Departamentin për Punë Sociale në UP nën mbikqyrje të profesoreshë Vjollca Krasniqi në kuadër të bashkëpunimit me SIT. Ky artikull u shkrua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim, dhe Fondacioni OAK.