Ditari i një dite gjatë pandemisë COVID-19
Duke e pasur parasysh situatën e pandemisë COVID-19 me të cilën po ballafaqohet e tërë bota dhe jo vetëm ne, të gjithë po kalojmë ditë jo të mira mbyllur në shtëpi, por çështja e shëndetit gjithsesi duhet të jetë në rend të parë. Mes frikës, humbjeve të jetëve, izolimit dhe dëmit ekonomik, kjo periudhë karantinimi për shkak të pandemisë së COVID-19 ka edhe anë të mira.
E megjithatë kjo pandemi na ka dhënë mundësi që të kemi më shumë kohë me familjen, më shumë kohë për të lexuar por ndoshta edhe për të reflektuar e për të zbuluar ndonjë talent të fshehur që ritmi i jetës së përditshme nuk na e ka lejuar që ta shfaqim. Gjatë këtyre ditëve të izolimit punët e shtëpisë janë pjesë e pandashme e jetës sonë.
“E pastra bëhet e ndotur, ndotja bëhet e pastër, pa pushim, ditë pas dite”.
Punët e shtëpisë gjithmonë kanë qenë të bezdishme, jo vetëm këto ditë karantinimi. Duke e pasur parasysh se gratë/vajzat janëato të cilat merren më së shumti me punët e shtëpisë, gjatë kësaj pandemie edhe burrat/djemtë kanë filluar të mirren me punët e shtëpisë. Burrat dhe djemtë që gjithmonë e ndjenin veten si mysafir në shtëpitë e tyre, tashmë janë mësuar me këtë situatë. I gërshetuam bashkë punët e shtëpisë. Poashtu edhe kujdesin për fëmijët dhe merren edhe me rrobat e ushqimet e tyre.
Fëmijët në karantinë kanë mësuar online. Do të thotë që edhe ndihmën për mësime e kanë bërë baballarët, sigurisht, edhe duke kaluar kohën edhe duke lozur bashkë. Nëna këto ditë ka qenë më e lirë duke i kushtuar më shumë kohë vetes.
Gruaja ka qenë dhe do të mbetet shtylla e shtëpisë, rëndësia e saj është e papërshkrueshme, dhe vetëm këto ditë izolimi u theksua më së shumti rëndësia e saj.
Në këtë kohë karantinimi u çrregullua edhe orari i ushqimit edhe orari i gjumit. Hanim kur e ndjenim barkun bosh dhe jo kur ishte koha e drekës apo darkës. Poashtu rrinim zgjuar deri në orët e vona të natës duke shikuar ndonjë film interesant apo ndonjë muzikë të preferuar.
Ndërsa mëngjesi ynë ishte ora njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë në mesditë.
E ndienim veten të lodhur duke mos punuar asgjë. Këto ditë izolimi në shtëpi ne nuk mund të dalim jashtë pragut të shtëpisë në çdo kohë. Duhet të dalim me orar të caktuar përndryshe mund të gjobitemi. Ndalimet po bëhen gjithmonë e më të ashpra. Ne mund të dalim të bëjmë pazar ose në barnatore, gjatë dy dritareve të lirisë.
E di që është e nevojshme, e kuptoj arsyen, por është proces i vështirë.
Vazhdoj të lutem dhe i them vetes do të kalojë shpejt, dhe gjërat do të kthehen shpejt në normalitet. Unë shpresoj që të gjitha këto ndalime të hiqen dhe mendoj se çfarë na pret në të ardhmen, sa do të zgjasë kjo. Përpiqem të jem pozitive. Të qetësohem dhe ta shijoj që po rri pa presionin e rutinëssë përditshme.
Ky artikull është shkruar nga Alberita Kolgeci, studente në Departamentin për Punë Sociale në UP nën mbikqyrje të profesoreshë Vjollca Krasniqi në kuadër të bashkëpunimit me SIT. Ky artikull u shkrua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim, dhe Fondacioni OAK.
YMI – Young Men Initiative#CareInternational#CARE#AustriaDevelopmentAgency#OAKFoundation