Çka është Maskuliniteti Toksik?
Koncepti ka ekzistuar gjithmonë. Por papritur, termi duket të shfaqet gjithandej.
“Deri më tani gjëja më e keqe që ua bëjmë meshkujve – duke i bërë të ndjehen se duhet të jenë të vështirë – është se i lëmë me ego shumë të pasigurt.” – Chimamanda Ngozi Adichie, shkrimare.
Për dekada me radhë kemi përdorur terme si “maço”, e të ngjashme, për ta përshkruar llojin e maskulinitetit të vrazhdë që burrat deri në një masë, pritej të synonin të ishin.
Tani e kemi “maskulinitetin toksik” – një shprehje që njëherë u ndalua në klasët e studimeve mbi gratë, që papritmas duket të jetë gjithandej.
Para disa muajsh, kompania e brisqeve “Gillette” ka lansuar një reklamë të titulluar “Ne Besojmë: Më e Mira që Burrat Mund të Jenë”, një ndryshim i slloganit të tyre të kahmotshëm “Më e Mira që një Burrë Mund të Marrë.” Reklama sfidon shikuesit që të përballen me #MeToo (Fushatën kundër dhunës seksuale #EdheUnë) dhe çështjet e “maskulinitetit toksik” që manifestohen me bullizëm dhe ngacmime në rrugë . Reklama sugjeron që burrat ta braktisin mentalitetin “djemtë do të jenë djem” (boys will be boys) dhe në vend të kësaj të kërkojnë përgjegjësi nga burrat tjerë për qëndrimet dhe sjelljet misogjene.
Përveç reagimeve pozitive dhe miliona shikimeve në YouTube dhe Twitter – reklama poashtu ka nxitur edhe një mori reagimesh të ashpra, duke përfshirë thirrje për bojkotim të firmës Gillette.
Reklama doli disa ditë pasi Shoqata Amerikane e Psikologëve (SHAP) i lansoi udhëzimet e para për psikologët/et që punojnë me djem dhe burra që janë mësuar t’i përshtaten “ideologjisë së maskulinitetit tradicional” – e cila thuhet se i pengon ata nga eksplorimi i kuptimit të të qenit mashkull – si dhe një artikull në The Times për një grup rokerësh heteroseksualë që po kundërshtojnë nocionet e vjetra të burrërisë.
“Gjithë këto norma që i shohim nuk janë aspak normale,” tha Xhoi Talbot, këngëtari kryesor i grupit britanez Idles. “Është gënjeshtër gjigante.”
Pra çka do të thotë “maskuliniteti toksik”, apo “ideologjia e maskulinitetit tradicional”? Hulumtuesit e kanë definuar, pjesërisht, si një varg i sjelljeve dhe besimeve që përfshijnë:
Shtypje të emocioneve apo maskim i shqetësimit;
Mbajtja e një pamjeje të ngurtësisë;
Dhuna si tregues i fuqisë (sikurse: sjellja “tip i vështirë”).
Me fjalë tjera: Maskuliniteti toksik është ajo që mund të vijë nga mësimi i djemve se nuk duhet t’i shprehin emocionet haptaz; që ata duhet të jenë “të vështirë gjatë tërë kohës”; që çkado tjetër përveç kësaj i bën të duken “femëror” apo të dobët. (Jo, nuk do të thotë që të gjithë burrat janë qenësisht toksik.)
Janë këto mësime që ndërlidhen me kulturën, sipas SHAP-së që lidhen me “agresivitetin dhe dhunën”, duke i lënë djemtë dhe burrat në “rrezik joproporcional për disiplinë shkollore, sfida akademike dhe dallime shëndetësore”, duke përfshirë problemet kardiovaskulare dhe abuzimin me substanca.
“Burrat jenë tejet të pranishëm në burgje, kanë më shumë gjasa sesa gratë për kryerjen e krimeve të dhunshme dhe janë në rrezik tejet të madh që të jenë viktima të krimit të dhunshëm”, shkroi SHAP.
Ueid Dejvis, ish lojtar i N.F.L. i cili tani u flet për pabarazinë gjinore dhe maskulinitetin burrave në kompani si Google, Netflix dhe N.F.L., tha se nuk ka agjentë më të mirë për t’u ndihmuar burrave të ballafaqohen me këto çështje sesa burrat tjerë.
“Nuk mendoj se është puna e grave”, më tha së voni. “Mendoj se është puna e burrave sikurse unë që duhet të flasin me vëllezërit, baballarët, miqtë tanë.”
Janë burrat individualisht, vazhdoi ai, ata që “do të duhet, në një pikë, të vendosin se si ta definojnë burrërinë dhe maskulinitetin për vete.”
Nga: Maya Salam për “The New York Times”
Ky artikull është përkthyer nga SIT në kuadër të nismës “Aksione në komunitet për të promovuar lejen prindërore” në kuadër të projektit “Dialog social për drejtësi shoqërore” që implementohet nga Demokraci për zhvillim [Democracy for Development (D4D)], financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme International Center dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze.