BURRË DHE BABA: RISHIKIM IDENTITETESH

Me m’pasë thanë po të desin te tanë, pelenat ndërru s’jau kisha. Edhe kjo me pasë kenë e dekun, e kisha pagu ni grua tjetër e tybe pelenat ndrru nuk jau kisha.”

Kështu shprehet një burrë në të 70-at nga rajoni i Hasit në Kosovë në pyetjen se a do t’ua kishte ndërru pelenat fëmijëve përderisa flasin për rolin e tij dhe të bashkëshortes së tij në rritjen e fëmijëve të tyre. Për të, kujdesi për fëmijë dhe punët në shtëpi janë, siç shprehet ai, “punë të koklavitura” që u takojnë vetëm grave. Ai madje tregon se si në mendësinë në të cilën është rritur “me e pa burrin tu i ndihmua gruas diçka, asht’ kenë shumë marre, kanë keshë tanë me to. U kanë marre me e marrë mashkulli djepin n’dorë ose me e marrë ni fmi të vetin n’gryk”, e tutje në përpjekje për të legjitimuar mendësinë e tillë ai shprehet “s’e ka falë Zoti burrin për me ndërru pelena!”. Të njejtës pyetje, një tjetër burrë i gjeneratës shumë më të re dhe i martuar së fundmi, i përgjgjet: “nana osht’ me ja ndërru pampersat, jo baba”.

Këto biseda janë zhvilluar në kuadër të dokumentarit “Dasmat dhe pampersat” me regji të Antoneta Kastrati dhe Cassey Cooper Johnson. Në këtë dokumentar paraqiten katër çifte nga rajone dhe gjenerata të ndryshme në Kosovë ku ndër të tjera flasin se si ata angazhohen në rritjen e fëmijëve dhe në punët e shtëpisë. Në bisedat që zhvillohen me këto çifte vërehet më së miri se si definimi i atësisë i ndikuar nga faktorë të ndryshëm social e ekonomik formësohet ndryshe ndër rajone e breza të ndryshëm. Disa nga këta faktorë dhe rëndësinë e përfshirjes së baballarëve në rritjen e fëmijëve do t’i shtjellojmë në vazhdim edhe si përpjekje për të ofruar një pasqyrë se si normat gjinore, sidomos ato të maskulinitetit toksik, përcaktojnë rolin e burrave si baballarë në shoqërinë tonë.

Si dhe pse?

Para se të flasim se si normat tradicionale të burrërisë në shoqërinë tonë, të ngjajshme ndër shoqëritë patriarkale kudo, përcaktojnë burrat si figura autoritare në raport me familjet e tyre në përgjithësi duke përfshirë edhe fëmijët e tyre, le të diskutojmë se pse është e rëndësishme si për fëmijët poashtu për vetë baballarët që të jenë të angazhuar dhe të përfshirë në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve dhe në çfarë forma ata mund ta bëjnë këtë. 

Një listë me aktivitete që baballarët mund t’i zhvillojnë me fëmijët e tyre paraqitet në artikullin “Rëndësia e përfshirjes së babait në programet e fëmijërise së hershme”, të publikuar në revistën shkencore “Young Exceptional Children” në 2018. Aty ndër të tjera përmenden: aktivitetet kreative në shtëpi, aktivitete të gatimit, aktivitete muzikore, letrare, si dhe aktivitete të ndryshme që prindërit mund të zhvillojmë në natyrë. Të gjitha këto aktivitete ndihmojnë që të krijojnë raporte më të ngushta të baballarëve me fëmijët e tyre duke kaluar më shumë kohë me ta dhe duke krijuar lidhje emocionale të shëndetshme. Përpos aktiviteteve që mund t’i zhvillojnë, është shumë e rëndësishme që baballarët të angazhohen në përkujdesje për fëmijët, duke ua plotësuar nevojat fizike dhe psikologjike fëmijëve të tyre dhe duke mos e konsideruar këtë vetëm si përgjegjësi të nënave, ashtu siç ndodh në shumë raste. Kjo sepse përfshirja e baballarëve në këto forma, pos që është së pari përgjegjësi e gjithsecilit prind, poashtu studimet tregojnë se kjo krijon edhe familje dhe rrjedhimisht shoqëri më të shëndosha dhe më të lumtura për të gjithë.

Rohner dhe Veneziano (2001) shprehen se në shumë studime të publikuara në revistën shkencore “Review of General Psychology”, ku flitet për raportet baba – fëmijë, thuhet se fëmijët me baballarë më të përfshirë në krahasim me fëmijët me baballarë më pak të përfshirë në rritjen e tyre, “kanë tendencë të jenë më të aftë në nxënie, më kompetent në marrëdhëniet sociale, më pak të prirur ndaj stereotipeve gjinore, më empatik”, si dhe në përgjithësi me shëndet mendor më stabil (f.392). Këto studime janë treguesi më i mirë se sa e rëndësishme është që një baba, aty ku ka mundësi, të jetë i përfshirë dhe të krijojë raporte të shëndosha, sidomos raporte emocionale, me fëmijët e tij.

Madje, ky lloj i atësisë, atësia aktive, nuk ka ndikim pozitiv vetëm tek fëmijët, por edhe tek vetë baballarët. Sipas UNFPA (United Nations Population Fund) përpjekjet e së cilës janë përqendruar në angazhimin e baballarëve për të marrë rol më aktiv në rritjen e fëmijëve, kjo edhe si mënyrë për të sfiduar stereotipet gjinore dhe për të luftuar pabarazinë gjinore, angazhimi më i madh i baballarëve në kujdesin për fëmije, rritjen dhe zhvillimin e tyre, bënë që baballarët të ndjehen më të lidhur emocionalisht me parterët dhe fëmijët e tyre, dhe te jetojnë një jetë më të lumtur dhe më të gjatë. 

Përkundër kësaj, shumë baballarë vazhdojnë të pësojnë nga normat gjinore të burrërisë të cilat tentojnë të krijojnë raporte autoritative dhe jo të shëndetshme mes burrave në rolin e baballarëve dhe familjes në përgjithësi, përfshirë edhe fëmijët. Prandaj, për të krijuar raporte më të shëndetshme dhe për të qenë më të përfshirë në rritjen dhe kujdesin për fëmijët e tyre, baballarët duhet të luftojnë dhe sfidojnë normat gjinore të burrërisë që përcaktojnë se burrat nuk duhet të shfaqin emocione pozitive, se ata duhet të shtypin këto emocione përpos kur ato shfaqen në formë të dhunës, si tregues të fuqisë.

Lidhja në mes të maskulinitetit dhe atësisë

Se ekziston një lidhje e ngushtë mes maskulinitetit dhe atësisë, është argumentuar në shumë studime në fushën e familjes dhe gjinisë.Atësia dhe maskuliniteti potencialisht kryqëzohen në mënyra të shumta”, thuhet në kapitullin “Atësia dhe maskuliniteti” në librin “Roli i babait në zhvillimin e fëmiut” (2010, f.28). Tutje, për të analizuar lidhjen në mes të atësisë dhe maskulinitetit, në këtë kapitull prezantohet Modeli i Atësisë – Maskulinitetit, si një kornizë konceptuale që ndihmon në ekzaminimin e atësisë si status i prindërve dhe atësisë si identitet i prindërve; duke prezantuar kështu atësinë në dy nivele, të dyja këto nivele shumë të rëndësishme për të kuptuar lidhjen mes atësisë dhe maskulinitetit si diçka komplekse.

Ndërsa për të kuptuar maskulinitetin përbrenda këtij raporti kompleks, na ndihmon edhe kategorzimi i maskulinitetit të cilin e bënë Kristy Krivickas (2010), duke i identifikuar tri kategori kryesore: maskulinitetin tradicional, bashkëkohor, dhe modelet e hiper-maskulinitetit. Kështu, edhe forma se si shprehet maskuliniteti përmes atësisë pastaj ndryshon. Tek maskuliniteti bashkëkohor, për shembull, vërehet se ka avantazhe socio-ekonomike dhe ka më shumë cilësi pozitive të maskulinitetit, baballarët që bien në këtë kategori edhe kanë tendenca të jenë emocionalisht më të lidhur me fëmijët e tyre. Baballarët që bien në kategorinë e hiper-maskulinitetit kanë tendenca të kenë sjellje më abuzive, të shtypin më shumë emocionet pozitive, dhe kanë më shumë predispozita që të jenë të dhunshëm. Kurse baballarët nga grupi i tretë, ata që përqafojnë një maskulinitet tradicional, bien në mes të baballarëve bashkëkohorë dhe atyre hiper-maskulinë. Kështu varësisht se çfarë normash të maskulinitetit ndjekin burrat, ajo edhe e përcakton formësimin e rolit të tyre si baba. Krivickas (2010) konstaton se marrëdhëniet intime të burrave, përfshirë ato në rolin e babait, ndryshojnë varësisht nga format e maskulinitetit që ata burra ndjekin.

Normat gjinore në ndërthurje me faktorët e tjerë social dhe ekonomik

Siç e pamë pra, roli dhe përgjegjësitë e pritshmëritë prindërore të një babai mbeten thellësisht të ndikuara nga normat gjinore, sidomos ato të lidhura me maskulinitetin tradicional hegjemonist. Mundësitë për t’i adresuar dhe sfiduar këto norma pastaj ndryshojnë varësisht edhe nga ndërthurja me faktorë të tjerë social, ekonomik, e politik. Të qenit burrë është koncept i mësuar. Se çfarë do të thotë të jesh burrë ndryshon ndër kultura e kohë të ndryshme, sidoqoftë në shumë shoqëri patriarkale vazhdojnë të mbizotërojnë pothuajse të njëjtat norma gjinore për burrat. Këtu vie në shprehje maskuliniteti toksik, që është një koncept që u referohet normave gjinore që vënë në pah stereotipet tradicionale të burrave duke i paraqitur ata si dominues, të vrazhdë, të paaftë për të krijuar lidhje emocionale të shëndetshme; këto norma quhen toksike sepse promovojnë dhunë dhe e pengojnë zhvillimin e djemve dhe burrave duke ua limituar atyre mundësinë për të gjetur veten jashtë roleve të paracaktuara për ta.

Se si normat gjinore mund të ndryshojnë varësisht nga ndërthurja e tyre me faktorë të tjerë paraqitet edhe në dokumentarin qe u përmend në fillim të këtij artikulli. Në atë dokumentar, dy nga katër çiftet i takojnë gjeneratës së re, sidoqoftë, një nga çiftet që jeton në zonë urbane, ku të dy janë të shkolluar dhe punojnë, perceptimet e tyre mbi rolet gjinore dhe prindërimin ndryshojnë thellësisht nga ato të çiftit tjetër të cilët jetojnë në një zonë më të thellë dhe nuk janë të punësuar dhe me nivel jo shumë të lartë të shkollimit. Tek çifti i parë, babai e konsideron si përgjegjësi të tijën përkujdesjen për fëmijë, duke përfshirë ndërrimin e pelenave, kurse tek çifti tjetër, bashkëshorti shprehet prerazi me “Jo!” kur pyetet se a do të pranonte t’ua ndërronte pelenat fëmijëve të tij dhe e konsideron atë vetëm si përgjegjësi të nënës. Këta të dy e dëshmojnë që varësisht nga faktorë të tjerë, në këtë rast siç është edukimi, zona ku banon, e punësimi, edhe formësohet pranimi apo sfidimi i normave gjinore të dëmshme si për ta ashtu edhe për familjen dhe fëmijët në veçanti.

Në këtë proces, sidoqoftë, rëndësi të veçantë ka edhe intervenimi institucional për të ndihmuar në ridefinimin e këtyre normave. Një gjë e tillë mund të bëhet edhe përmes lejes prindërore për baballarët që punojnë në mënyrë që të nxitet pjesëmarrja e tyre në përkujdesjen dhe rritjen e fëmijëve.

A po ndryshon koncepti i atësisë?

Një studim i publikuar nga Bringham Young University (BYU) (2018), tregon se si normat e atësisë po ndryshojnë së bashku me normat e maskulinitetit dhe se baballarët janë çdo herë e më të pranishëm në jetën e fëmijëve. Kevin Shafer, profesor i sociologjisë në BYU dhe bashkautor i studimit tha: “Ne zbuluam që baballarët e sotëm kalojnë më shumë kohë, ofrojnë më shumë kujdes dhe janë më të dashur ndaj fëmijëve të tyre se kurrë më parë. Shumica e baballarëve e shohin veten si duke luajtur një rol po aq të rëndësishëm për të ndihmuar fëmijët e tyre sa edhe nënat.” 

Sidoqoftë, një grup i burrave vazhdojnë të konsiderojnë se roli kryesor dhe i vetëm i tyre është të ofrojnë të mira materiale për familjen. Këto të dhëna na tregojnë se çfarë po ndodhë në Angli. Kurse në Kosovë, edhe pse nuk kemi ndonjë studim të kësaj përmase, organizata SIT në kuadër të Koalicionit K10 dhe me mbështetje të zyrës së UNFPA-së, ka zhvilluar një pyetësor me baballarët në Kosovë si përpjekje për të kuptuar se si ata e perceptojnë rolin e tyre si baba dhe sa angazhohen në përkujdesje për fëmijë.

Atësia në Kosovë

Në pyetësorin “Sa merren baballarët me rritjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve?“ të zhvilluar nga SIT kemi synuar të mbledhim të dhëna se sa angazhohen baballarët në rritjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve dhe si e shohin ata këtë çështje. Të dhënat janë mbledhur nga 341 baballarë, 88.6% e tyre nga zonat urbane dhe vetëm 11.4% nga zonat rurale. Duke u bazuar në këtë, mund të konkludojmë se kjo mostër jo domosdoshmërisht pasqyron gjendjen reale në Kosovë, meqenëse shumica e baballarëve në zonat urbane potencialisht mund të qëndrojnë më mirë në raport me kujdesin për fëmijët dhe ndarjen e përgjegjësive në shtëpi. Sidoqoftë, nga të dhënat e mbledhura dalin të gjetura mjaft interesante dhe ndonjëherë kundërthënëse.

Në pyetjen se kush kujdeset për fëmijët, 79.9% e tyre janë përgjigjur se kujdesen të dy: nëna dhe babai. 19.9% e tyre kanë thënë se vetëm nëna kujdeset për fëmijët, kurse vetëm 0.9% kanë thënë se kujdeset vetëm babai. Sidoqoftë, në pyetjet se kush e pergatitë ushqimin për fëmijët, 61.9% e tyre kanë thenë se nëna është ajo qe e pergatitë, 37.5% kanë thënë se e përgatisin të dy, dhe vetëm 0.6% kanë thënë se e përgatitë vetëm babai. Përgjigjet se kush kujdeset për pastërtinë e fëmijëve ishin: Të dy 51.1%; nëna 48.1%; dhe babai 0.9%.

Edhe pse shumë prej baballarëve janë shprehur se kalojnë një kohë të gjatë me fëmijët, në shumicën e kohës ata e kalojnë këtë kohë jashtë shtëpisë. Kështu të pyetur se çfarë bëjnë në kohën që e kalojnë më fëmijët e tyre, 69.5% kanë thënë se i dërgojnë fëmijët në park, tek lodrat. Kështu koha e mbetur në shtëpi duket se i mbetet përgjegjësi nënës, gjë të cilën edhe e konfirmojnë 72.61% të baballarëve duke thënë se nënat kalojnë më shumë kohë me fëmijët.

Edhe pse 93.5% të baballarëve të përfshirë në këtë hulumtim deklaruan se të dy prindërit, aty ku është e mundshme, duhet të kujdesen për fëmijët, dhe vetëm 6.5% deklaruan se vetëm nënat duhet të kujdesen, sërish shihet një ndarje jo e barabartë e kohës që ata kalojnë me fëmijët ne krahasim me kohën qe e kalojnë nënat. Të pyetur se a hezitojnë baballarët të kujdesen për fëmijët e tyre nga presioni i shoqërisë dhe rrethit, 76% e tyre deklaruan se nuk hezitojnë, 18.8% deklaruan se hezitojnë ndonjëherë, dhe 5.3% deklaruan se hezitojnë të kujdesen për fëmijët e tyre shkaku i presionit të rrethit. Të pyetur se pse hezitojnë, disa nga ta u shprehën që rrethi “e marrin për dobësi të karakterit”, dikush tha nuk kujdeset dhe heziton “se është marre”, “se më keshin”, “se jam burrë”, “për shkak të trajtimit nga rrethi pastaj”, këto janë disa nga përgjigje të shumta.

Këto të dhëna mund të interpretohen si shpresëdhënëse duke e konsideruar si ndryshim pozitiv nga e kaluara faktin që më shumë baballarë janë duke kaluar kohë me fëmijët e tyre në publik, dhe kjo mund të shërbejë si model i mirë për të ndryshuar perceptimet rreth rolit të babait në publik, por në të njejtën kohë mbetet shqetësues fakti që këto të dhëna mund të pasqyrojnë vetëm një pjesë të vogël të shoqërisë te fokusuar kryesisht në zonat urbane dhe poashtu fakti që nënat përkundër kësaj vazhdojnë të kalojnë më shumë kohë për kujdesje për fëmijët, sidomos brenda në shtëpi. Kjo do të mund të çonte në një ndarje të hapësirës publike dhe private edhe në rrafashin e prindërimit, gjë e cila nuk u shërben përpjekjeve për barazi dhe për sfidim të roleve gjinore që lidhen ngushtë pikërisht me mundësinë e shfrytëzimit të këtyre hapësirave.

Pse atësia është çështje feministe?

Meqenëse roli i babait ndikohet kaq shumë nga normat e maskulinitetit toksik, ne duhet të ripërcaktojmë këtë rol nga një perspektivë feministe. Kjo është poashtu thelbësore në arritjen e barazisë gjinore dhe në ridefinimin e maskulinitetit. Vetëm nga një perspektivë feministe ne mund të zhvillojmë një maskulinitet që nuk është shtypës dhe që nuk i kufizon dhe ç’njerëzon djemtë dhe burrat. Ashtu siç thotë autori Ariel Chesler në një artikull në TIME, “baballarët modern nuk do të ishin të mundshëm pa feminizmin që i inkurajon baballarët të përfshihen më shumë në jetën e fëmijëve të tyre”, prandaj ne duhet të vazhdojmë që të trajtojmë çështjen e atësisë nga një lens feminist sepse vetëm kështu mund të sfidojmë normat gjinore që shtypin dhe që krijojnë pabarazi gjinore duke filluar nga mosha e hershme apo edhe akoma para se fëmijët të lindin. Siç thotë Bell Hooks, “Feminizmi është për të gjithë”, prandaj edhe të gjitha çështjet dhe përpjekjet për drejtësi shoqërore janë çështje feministe.

Ky artikull është shkruar nga Mirishahe Syla nga SIT në kuadër të aktivitetit për shënimin e Ditës Globale të Prindërve. SIT është pjesë e Koalicionit K10 i cili mbështetet nga UNFPA zyra në Kosovë.

Pikëpamjet e paraqitura në këtë shkrim jo domosdoshmërisht paraqesin pikëpamjet e UNFPA-së, Kombeve të Bashkuara ose ndonjë organizate të lidhur me të.

sqAlbanian