Burrat e rinj e pranojnë barazinë gjinore por ende nuk fshijnë

Studimet e reja tregojnë se qëndrimet tradicionale vazhdojnë lidhur me faktin se kush çka bën në shtëpi, dhe kjo po i pengon gratë.

Të rinjtë janë bërë më mendjehapur rreth roleve gjinore – kjo shfaqet në qëndrimet e tyre për përemrat, politikën dhe sportin. Por në një fushë, ndryshimi ka qenë minimal. Ata po mbahen për pikëpamjet tradicionale lidhur me faktin se kush çka bën në shtëpi.

Në një hulumtin të ri nga Gallup del se në çiftet e seksit të kundërt, ata të moshave 18 deri në 34 vjeç nuk ishin shumë më të prirur sesa çiftet e vjetra t’i ndajnë shumicën e punëve të shtëpisë në mënyrë të barabartë. Dhe nga një hulumtim sociologjik i publikuar në janar të këtij viti doli se kur maturantët u pyetën për rregullimin ideal të familjes me fëmijë, gati një çerek thanë se ishte që burri të punonte me orar të plotë dhe gruaja të qëndrojë në shtëpi, që është numër më i madh sesa ata që donin ndonjë tjetër rregullim të familjes.

Fakti që shtëpia nuk duket aq ndryshe prej gjysmë shekulli më parë i befason hulumtuesit/et, për shkak se në shumicën e mënyrave të tjera, qëndrimet ndaj roleve gjinore kanë ndryshuar shumë. Tani ka pothuaj se përkrahje universale për gra që të ndjekin karrierë apo të kyçen në politikë. Gratë shkollohen më shumë se burrat. Të rinjtë/rejat i pranojnë më shumë personat që nuk identifikohen as si burrë, as si grua.

Dallimi i ndikon asektet tjera të barazisë së grave: Koha shtesë që gratë e kalojnë në punë të shtëpisë, veçanërisht në lidhje me fëmijët, është shkak kryesor për hendekun gjinor në pagë dhe ngritjen në pozitë në punë.

“Nëse të rinjtë/rejat nuk munden as ta paramendojnë një model se si koha e burrave në shtëpi do të dukej, kjo është dëshmi se besimet toan rreth gjinisë janë vërtet të forta dhe të ngulitura,” tha Joanna Pepin, sociologe në Universitetin e Texas-it në Austin dhe një ndër autoret e studimit të publikuar së fundmi, me Brittany Dernberger, kandidate e doktoraturës në sociologji, në Universitetin Maryland. “Edhe kjo është një gjë që po e pengon ndryshimin social”.

Hulumtuesit/et kanë ide të ndryshme se pse ndarja e punëve në shtëpi ka ndryshuar aq ngadalë, përkundër fitimeve të tjera të grave. Një ndër sqarimet më të thjeshta: Burrat mund të jenë të lumtur ta kenë një partnere që sjell një tjetër pagesë në shtëpi, por jo të lumtur të bëjnë më shumë punë të shtëpisë.

Nënat që punojnë kalojnë aq kohë duke bërë aktivitete me fëmijët sa kalonin edhe gratë në vitet e 70-a që nuk ishin të punësuara. Në të njëjtën kohë, shumë punë kërkojnë orar më të gjatë dhe jofleksibil.

Edhe normat rreth asaj se çka pritet të bëjnë burrat kanë ndikim, thonë hulumtuesit/et – duke filluar që në fëmijëri, kur djemtë bëjnë më pak punë të shtëpisë sesa vajzat. Maskuliniteti është i lidhur ngushtë me të fituarit e të ardhurave dhe shmangien e gjërave që konsiderohen femërore. Studimet kanë treguar se burrat mund të ndihen të kërcënuar nëse gratë e tyre fitojnë më shumë se ata, dhe për ta kompensuar këtë, burrat që ndihen kështu mund të bëjnë edhe më pak punë të shtëpisë.

“Të jesh burrë i mirë do të thotë të jesh i punësuar”, tha Sarah Thébaud, sociologe në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara. “Kjo nuk do të thotë që nuk duan të përfshihen – ata duan. Por çështja është se jemi duke shtyrë kundër këtyre besimeve preskriptive rreth gjinisë.”

Autorët/et e studimit të ri të sociologjisë sugjeruan një sqarim tjetër: pasiguria ekonomike. Shumë të rinj/reja përballen me punësim të paqëndrueshëm, borxhe studentore dhe rritje të çmimeve të shtëpive dhe kujdesit ndaj fëmijëve. Mbase familjet e reja janë të hapura ndaj barazisë së grave jashtë shtëpisë për shkak se ju duhet një burim i dytë i të ardhurave, thane hulumtuesit/et, por qëndrimet e tyre rreth roleve gjinore nuk janë zhvilluar edhe aq.

Studimi i tyre, i cili u publikua në revistën Sociological Science (Shkenca Sociologjike), u bazua në një anketë kombëtare të quajtur Monitoring the Future (Moniorimi i së Ardhmes), i mbajtur çdo vit me maturantë/e. Fokusi i tyre ishte t’u kërkojnë respondentëve/eve ta paramendojnë një të ardhme në të cilën janë të martuar (supozohet me dikënd të seksit të kundërt) me fëmijë të moshës parashkollore, dhe t’i vlerësojnë disa aranzhime të punës dhe kujdesit ndaj fëmijëve. 

Përgjatë gjithë viteve të studimit, pjesa më e madhe e respondentëve/eve thanë se aranzhimi më i dëshirueshëm ishte që burrat të punojnë me orar të plotë dhe gratë të qëndrojnë në shtëpi.

Një fushë në të cilën çiftet e reja kishin më shumë gjasa sesa çiftet e vjetra për të qenë të barabartë ishte në kujdesin ditor ndaj fëmijëve, edhe pse gratë ishin ende më të prirura të bënin më shumë në këtë drejtim.

Dhe kjo nuk bazohet gjithmonë në gjini: Hulumtimet te çiftet e të njëjtit seks tregojnë se njëri person bën më shumë punë në shtëpi dhe më pak punë jashtë nëse kanë fëmijë.

Por në çiftet e seksit të kundërt, shumë shpesh guraja e kryen grumbullin e obligimeve të shtëpisë, sidomos në lidhje me fëmijët, edhe nëse ka karrierë. Nëse marrëdhëniet bëhen më të barabarta brenda shtëpisë, kjo do të kishte rezultate tejet të larta edhe jashtë saj.

Nga: Claire Cain Miller

Ky artikull është përkthyer nga SIT në kuadër të nismës “Aksione në komunitet për të promovuar lejen prindërore” në kuadër të projektit “Dialog social për drejtësi shoqërore” që implementohet nga Demokraci për zhvillim [Democracy for Development (D4D)], financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme International Center dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze.

sqAlbanian