Përfshirja e minoriteteve etnike në vende të punës në Kosovë
Flamuri i Republikës së Kosovës gërshetohet me gjashtë yje, ku secili përfaqëson një komunitet etnik, por jashtë flamurit, në të vërtetë sa përfshihen minoritetet në aspekte të ndryshme të jetës? Me zhvillim e teknologjisë informative dhe ndërgjegjësimin e popullit, krahasuar me vitet e kaluara minoritet etnike gjenden në shumë në vende të punës, mirëpo numri i të papunëve të komunitetit jo-shumicë në Kosovë ende vazhdon të mbetet i lartë.
Sipas hulumtimeve të kryera në vitin 2013 përmes anketave, minoritetet etnike përbëjnë 10.44% të popullsisë së Kosovës.
Nga kjo përqindje, nëpër vende të punës gjenden 8.41% e minoriteteve, kurse 2.03% mbeten të papunësuar.
Nga statistikat e marra nga Zyra e Çështjes së Komuniteteve, viti 2013, 5.6% e shërbyesve civilë nga komuniteti i minoriteteve punojnë në institucione qendrore dhe lokale në Kosovë, duke mos përfshirë Ndërmarrjet Publike. Nëse marrim parasysh edhe ndërmarrjet publike, gjithsej të punësuar nga komuniteti i minoriteteve del se është 8.41%.
Rreth 5.5% e serbëve në tërë Kosovën janë shërbyes civilë. Vlerësohet se 38.25% e serbëve të Kosovës janë të papunë. Ndonëse numri i të punësuarve gjithmonë mund të jetë më i lartë, krahasuar me minoritet tjera, serbët hasen në më shumë vende pune.
Përafërsisht 1.5% e boshnjakëve janë të punësuar në shërbime civile, kurse në institucione qendrore punojnë 0.9% e të gjithë boshnjakëve në Kosovë. Papunësia e popullit boshnjakë në Kosovë sillet me përqindje rreth 37.68%.
Me numër të përafërt me boshnjakë nëpër vende të punës gjenden edhe komuniteti turk, të cilët punojnë si shërbyes civilë me rreth 1.2%. Papunësia e turqëve të Kosovës arrinë deri në 37.98%.
Pjesëmarrja e komunitetit rom në vende të punës është shumë e ulët, me vetëm 0.2%. Pengesat e komuniteti rom, si mos shkollimi, mungesa e përvojës së punës dhe informimit mund të jetë si shkas i papunësisë së 60.22% romëve në Kosovë.
Në gjendje më të vështirë se komuniteti rom është komuniteti egjiptas. Për egjiptasit e Kosovës vlerësohet se shkalla e papunësisë është 80%, kurse si shërbyes civilë gjenden me përqindje tejet të ulët, 0.01%.
Përqindja e shërbyesve civilë sipas Zyrës së Çështjes së Komuniteteve, viti 2013, dhe numri i të papunëve sipas Kosovo Human Development, viti 2012.
Nga statistikat tjera, maj 2013, merret se në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) punojnë 1.6% minoritete, në KOSIT punojnë 0.8% minoritete, në PTK punojnë 3.2% minoritete, kurse në TrainKOS 1.3%. Pra, nga gjithsej 10,000 punonjës 203 janë minoritete.
Rol kyç në përfshirjen dhe promovimin e minoriteteve, padyshim luajnë edhe organizatat joqeveritare. Disa prej të cilave mirren intensivisht me inkuadrimin e minoriteteve etnike në kampe disa-ditore ose në punë praktike të llojllojshme.
“Në qershor 2019, për shembull, tre Panaire Rajonale të Punësimit u organizuan në rajonet e Pejës/Peć, Gjilan/Gnjilane dhe Prishtinë /Priština, duke synuar Romët e Kosovës, Ashkalitë e Kosovës dhe Egjiptianët e Kosovës”, Shkruan në artikullin për të Drejtat e Njeriut OSBE Misioni në Kosovë.
Një organizatë tjetër, USAID Kosova, me lansimin e platformës së tyre të re “Up To Youth” fokusohen në përfaqësimin e Kosovës, jo vetëm nga të rinj shqiptarë, por edhe nga komunitetet tjera.
Kosovo Integration Initiative – KOSINT është njëra prej organizatave e cila me anë të projekteve dhe mbledhjeve diskuton për përfshirjen e komuniteteve jo-shumicë, jo vetëm në vende të punës, por edhe në shoqërinë kosovare përgjithësisht.
“Nuk kemi politika të veçanta në lidhje me punësimin e minoriteteve, sepse puna jonë është në të mirën e komunitetit”, përgjigjet Luan Hasanaj, drejtor dhe menaxhues i projekteve në organizatën joqeveritare Let’s Do It Kosova.
“Në rregulloren e brendshme të organizatës nuk e kemi të specifikuar numrin e punëtorëve të rezervuar për komunitetet jo-shumicë”, tha Gentiana Syljemani, menaxhuese e zyrës dhe burimeve njerëzore në Kosovo 2.0.
Këto përgjigje dëshmojnë faktin se nëpër organizata dhe biznese të ndryshme kosovare, zakonisht nuk caktohet limiti i punëtorëve shqiptarë dhe i minoriteteve etnike. Ndonëse në Kushtetutën e Republikës së Kosovës shkruan se si duhet të jetë struktura e Kuvendit, nuk specifikon ndonjë ligj të përgjithshëm, pra nuk cekë se të gjitha bizneset dhe organizatat kosovare duhet të kenë një politikë të brendshme e cila rregullon etnicitetin e punëtorëve nëpër vende të punës. Struktura e Kuvendit përmendet në Kapitullin IV, nenin 64.2.2., i cili citon se njëzet (20) prej njëqind e njëzet (120) vende janë të garantuara për minoritete etnike.
Në mungesë të një rregulloreje e cila ua përcakton vendin minoriteteve në punë, organizatat përpiqen t’i inkuadronjë komunitetet jo-shumicë sa më shumë që është e mundur. Këtë e deshmojnë detajet të cilat ne ndoshta as nuk i vërejmë, por ja që minoriteteve ua lehtëson mënyrën e aplikimit dhe i inkurajon të vazhdojnë më tutje e të ndihen më të inkuadruar në shoqërinë në fjalë. Gjithashtu, rol të madh luan edhe fakti se në disa raste, vendet e punës okupohen vetëm në baza meritore.
“Të gjitha punësimet për pozita të lira i bëjmë përmes thirrjeve të hapura, ku kushti i vetëm është plotësimi i kritereve dhe përzgjedhja bëhet në baza meritore, duke mos diskriminuar asnjë komunitet pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, religjioze, racore apo gjinore. Poashtu, edhe shpalljet për punë ne i hapim në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht,” shton Gentiana Sylejmani.
Marigona Shabiu, drejtoresha ekzekutive e Youth Initiative for Human Rights (YIHR) thotë se YIHR ka një politikë të brendshme e cila përcakton se vendi i punës është i hapur për të gjithë, pa asnjë dallim gjinie, race, përkatësi etnike ose orientimi seksual.
“Ne u japim munësi të gjithëve në punësim, dhe kushdo që i plotëson kriteret e kërkuara, punësohet në organizatën tonë”, thotë Shabiu.
Fakti se shumë organizata punësojnë jo në bazë të etnicitetit, por në bazë të talentit dhe meritës, dëshmojnë përgjigjet e mëposhtme.
“Për momentin kemi të punësuar tre punëtorë nga komunitetet jo-shumicë. Në pozitën e përkthyesit kemi një punëtor nga komuniteti serb, i cili punon në organizatën tonë për më shumë se pesë vite. Ndërsa, dy punëtorët e tjerë janë me nënshtetësi dhe vendbanim në Bosnje dhe Hercegovinë. Njëri në cilësinë e përkthyesit dhe tjetra atë të redaktores regjionale”, shton Gentiana Sylejmani nga organizata joqeveritare Kosovo 2.0.
“Për momentin e kemi një punetor nga komuniteti serb, i cili punon me ne që një vit. Viteve tjera kemi pasur të punësuar edhe nga komuniteti rom, ashkali dhe poashtu nga komuniteti serb, varësisht nga programi dhe projekti”, tha Bujar Fejzullahu, drejtor i organizatës joqeveritare Peer Eduacators Network – PEN.
“Në stafin tonë gjenden diku 38 shqiptarë dhe 13 pjesëtarë të komunitetit pakicë. Kemi pasur të punësuar serb, egjiptas dhe rom. Për momentin kemi dy egjiptas”, deklaroi edhe Hasanaj nga organizata joqeveritare Let’s Do It Kosova.
“Minoritete etnike nuk kemi për momentin, mirëpo në të kaluaren kemi pasur punëtorë nga komunitetet tjera”, shtoi Shabiu nga organizata joqeveritare YIHR.
Arsyet e nivelit të lartë të papunësisë sipas Zyrës së Çështjes së Komuniteteve, vlerësohen të jenë:
- mungesa e kualifikimeve;
- mungesa e përvojës së punës;
- problemet gjuhësore;
- mungesa e informatave mbi mundësitë e punësimit;
- vështirësi në qasjen në institucione publike dhe ndërmarrje private;
- mungesa e bizneseve/fabrikave të mëdha;
- mungesa e zhvillimit në sektorin industrial;
- gjendja e varfër e ekonomisë, në tërësi.
Përqindjet lartpërmendura, deklarata e disa organizateve në fjalë, si dhe mungesa e të dhënave nga Agjensia Statistike e Kosovës na bëjnë të kuptojmë se çështja e minoriteteve në Kosovë duhet të preket edhe më thellë. Përveç të dhënave gjithpërfshirëse, mungojnë edhe statistikat të cilat tregojnë konkretisht gjininë e punonjësit minoritet në fjalë. Kjo na bën të kuptojmë se realisht nuk e dimë se sa të prekura janë gratë, e sa burrat nga mos-punësimi në Kosovë sa i përket temës aktuale.
Shpresojmë se në të ardhmen do të ulet niveli i papunësisë në përgjithësi, do të rriten mundësitë e shkollimit, do të shumëfishohen të dhënat statistikore dhe do të konkretizohen, si dhe do të mundësohet përfshirja e minoriteteve etnike jo vetëm në vendet e punës, por edhe në shoqërinë kosovare përgjithësisht.
Mbi autoren: Hana Kaja është pjesëmarrëse në programin “Gazetaria Transformuese” që është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ dhe që implementohet nga SIT dhe KosovaLive.