Politikanet sot përtej kuotës gjinore

Në jetën shoqërore e politike në Kosovë, barazia gjinore është temë e pashmangshme e cila është edhe njëra ndër themelet për funksionimin e një shteti demokratik. Gratë në politikë duke sfiduar kuotën gjinore përbëjnë thuajse gjusmën e popullsisë, ndërsa barazia në pozitat vendimmarrëse në çdo nivel nuk është aspak në nivelin e duhur.

Sipas hulumtimit, “Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në Kosovë” nga Koalicioni për të drejta të barabarta për të gjithë (ERAC), thuhet se Ligji për Barazi Gjinore (LBGJ) në vitin 2016 ishte në zbatim shumë të vogël, si nga institucionet qëndrore po ashtu dhe nga ato lokale, ku në Qeveri përfaqësimi i grave si tërësi, nëpër ministri dhe Zyrën e Kryeministrit ishte vetëm 40.6%. 

Në zgjedhjet e fundit, ato të 6 tetorit, kemi pasur ndryshime të shumta, së pari fitorja e opozitës për herë të parë që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shtuar këtu edhe numrin historik të grave në vendimmarrje, i cili është më i larti qëqenë ndonjëherë.

Gjithashtu, për herë të parë Kuvendi i Kosovës ka një Kryeparlamentare, Vjosa Osmani-Sadriu. Ndërsa, gratë e tjera me pozita të larta janë: Rozeta Hajdari dhe Albulena Haxhiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV) të cilat drejtojnë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë. E nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë: Hykmete Bajrami dhe Vlora Dumoshi që janë në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përkatësisht Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Poashtu, edhe nga partitë e komuniteteve pakicë, Emilja Redzepi, nga Partia e Re Demokratike Boshnjake (PRDB), udhëheq Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Kuota gjinore – problem apo zgjidhje në Kosovë?

Kuota gjinore e vendosur në Kosovë siguron përfaqësimin e 30% të grave në listat zgjedhore për partitë individuale, si dhe brenda Kuvendit të Kosovës. Aktualisht janë të emëruara 38 deputete – në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, megjithëse kjo mund të ndryshojë me emërimin e zëvendësministrave.

Duke pasur parasysh se shumë vende demokratike e aplikojnë në forma të ndryshme kuotën gjinore, Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, pohon se Kosova duhet të vazhdojë ta aplikojë atë, duke thënë se gjysma e vendeve të botës sot përdorin lloje të kuotave për ulëset në parlament. 

“Marrë në konsideratë numrin e vogël të grave në politikë, janë duke u rritur thirrjet për aplikim të metodave më efektive për të arritur balancën gjinore në institucionet publike. Aplikimi i kuotave është një mekanizëm i tillë. Edhe në Kosovë, aplikimi i kuotës është treguar i suksesshëm. Pas secilit cikël zgjedhor, numri i grave të cilat janë zgjedhur deputete në Kuvend pa pasur nevojë për kuotë gjinore është rritur”, tha Krasniqi.

Krasniqi theksoi faktin që vendet me demokraci të brishtë, duhet ta plotësojnë kuotën për gratë në qeverisje.

“Duhet tërhequr vërejtjen se Kosova aplikon kuotë gjinore neutrale, pra nuk është vetëm për gratë, por në rast të nevojës mund të aplikohet edhe për burrat. Po ashtu, kuota gjinore nuk duhet parë si një masë e përhershme, por vetëm derisa të arrihet efekti i synuar. Kuota është e domosdoshme për vendet me demokraci të brishtë, dhe ku faktorë të tjerë historik dhe të traditës shoqërore kanë qenë diskriminues ndaj përfshirjes së grave në politikë”, shtoi Krasniqi.

Ai më tej thotë se kuota duhet të zëvendësohet vetëm atëherë kur nuk është e rëndësishme, duke shtuar gjithnjë se duhet të aplikohen masa edhe më të mëdha në mënyrë që përfshirja e grave gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore të jetë më e madhe. 

Përpos këtyre, Krasniqi ka fjalë edhe për diskriminimin ndaj grave në fushatat zgjedhore, duke e konsideruar si të vogël përfshirjen e tyre. 

“Po ashtu, gratë janë të diskriminuara edhe sa i përket paraqitjes në medie dhe fondeve të cilat i kanë në dispozicion për të financuar fushatën zgjedhore. Andaj, deri në arritjen e zgjedhjes së të pakën 30 % të grave në Kuvend pa pasur nevojë për kuotë, është mirë që partitë politike krahas saj, të aplikojnë edhe kuota vullnetare në listat e kandidatëve, duke pasur 50 % gra dhe 50 % burra, dhe renditje në sistemin e zebrës, që çdo i dyti kandidat të jetë grua”, thotë Krasniqi.

Ai gjithashtu njofton publikun se në Legjislaturën e shtatë të Kuvendit, janë 39 gra dhe 81 burra. Shprehur në përqindje, 33 % gra dhe 68 % burra. Numri i grave të zgjedhura me meritë është më i larti ndonjëherë, ku 29 gra janë zgjedhur në bazë të votave dhe 10 me ndihmën e kuotës.

UNMIK -Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ishte i pari që aplikoi sistemin e kuotave në Kosovë, në vitin 2000. Përmes kësaj kuote dhe aplikimin e formave të ndryshme për një nivel më të lartë të barazisë gjinore është bërë e mundur që Kosova të ketë një përfaqësim prej 30 % të grave në qeverisje.

Në anën tjetër, Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal në Gjilan nga radhët e LDK-së, veçoi rolin e madh që ka pasur kuota ndër vite në ngritjen e pozitës së gruas në politikë.

“Kuota e përcaktuar në 30 %, për rrethanat shoqërore në të cilat ka vepruar politika kosovare ka qenë e domosdoshme, për arsye të shumta, veçanërisht për shkak të vështirësive të pranohet gruaja në veprim politik. Pavarësisht se kuota është e përcaktuar, ka gra që arrijnë që pa nevojën e kuotës të depërtojnë, duke shkelë mbi çdo barrierë, bashkë me aftësitë dhe punën e tyre të palodhshme”, thotë Kurteshi.

Kurteshi nuk e mohoi faktin që kuota e cila deri më tani është zbatuar ka qenë vetëm sa për “sy e faqe”, dhe se ajo kuotë është zbatuar vetëm për të përmbushur një obligim ligjor.

“Partitë politike kanë përpiluar listat sipas statuteve që i kanë dhe duke u mbështetur në Ligjin e zgjedhjeve, i cili thotë se duhet të kemi përfaqësim gjinor jo më pak se 30 %, njëra ose tjetra gjini. Përpos kuotës gjinore, diskriminimi te gratë ka ardhur në forma dhe vende të ndryshme. Gruaja e diskriminuar nuk duhet të heshtë asnjëherë, reagimi i saj duhet të jetë i menjëhershëm pa lejuar të zhvillohet diçka e tillë”, shtoi Kurteshi.

Trendi i rritjes së numrit të deputeteve ka ardhur si pasojë e ndryshimit që pozita e gruas po pëson ndër vite. Këtë vit, postin e deputeteve e kanë siguruar shumë gra pa nevojën e kuotës gjinore.

Megjithëse numri i grave në pozita udhëheqëse në institucionet qëndrore është në rritje, aktualisht nuk ka as edhe një grua të vetme që shërben si kryetare në ndonjërënprej 38 komunave të Kosovës.

Kuotat e vendosura nuk i pranon aspak dhe është kundër tyre, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, deputete e Kuvendit të Kosovës nga LVV-ja.

“Sa i përket kuotave, unë gjithmonë kam qenë kundër. Nuk jam përkrahëse e kuotave, sepse mendoj që janë prodhim më shumë i numrave sesa i cilësisë. Besoj e kemi parë edhe vetë. Kuotat kanë sjellë gra deputete të cilat, me përjashtime, por në përgjithësi nuk kanë qenë lobuese të çështjeve të grave dhe kërkuese të respektimit të barazisë në përgjithësi”, theksoi Hyseni.

Deputetja nga radhët e LVV-ës, theksoifaktin që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në Kosovë, ka pasur ngecje në përqindjen e grave në përfaqësim.

“Megjithatë, duke e pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhemi si shtet, zhvillimin e shoqërisë sonë, në këtë moment në Kosovë, kuotat janë mëse të nevojshme. Por, një gjë e mirë dhe progresive që ka ndodhur së fundmi, është rezultati që ka dalur nga zgjedhjet e fundit Parlamentare, ku kemi parë që qytetarët kësaj here u kanë besuar shumë grave duke u dhënë votën. Gratë deputete të LVV-së, që të gjitha kanë fituar mandatet pa pasur nevojë të hyjnë në për llogaritje kuotimi gjinor”, tha ajo.

Diskriminimi në politikë te gratë ka qenë i pranishëm dhe vazhdon të jetë, kështu pohon edhe deputetja Kryeziu, duke ardhur me një zgjidhje racionale.

“Për të bërë lëvizje në kuptimin e përmirësimit të kësaj, duhet punë e madhe dhe e pandalshme. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës është shumë e ulët, çka edhe pamundëson pavarësimin ekonomik të tyre. Zbatimi i politikave gjinore është më se i domosdoshëm dhe jo vetëm në institucione apo politikë”, thotë Hyseni.

Ajo shton se pavarësisht kësaj, kemi parë që gratë, sot kanë rol çdo herë e më vendimmarrës dhe çdo herë e më të rëndësishëm sepse natyrisht, është e pashmangshme, pikërisht për shkak të përgatitjes profesionale të tyre. 

“Sot, gratë kanë thyer tabutë e shoqërisë sonë dhe kanë treguar që politika nuk njeh gjini, por kërkon dije, vendosmëri, stabilitet dhe parime. Gratë  janë shumë më të afta t’i përmbushin dhe t’iu përmbahen këtyre. Prandaj varet për subjektin të cilin flasim dhe këndvështrimi ynë nga çfarë nisemi”, përfundoi Hyseni.

Shifra mbi përqindjen e grave nëpër parti (Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës)

Duke marrë parasysh vetëm tri partitë që kanë dalur të parat në dy palë zgjedhet e fundit, shohim se kemi një diskriminim të madh të grave, sikurse në fushata zgjedhore po ashtu edhe në deputetët e zgjedhur.

Viti 2017 u karakterizua me dominim të burrave nga tri partitë e përzgjedhura (LVV, LDK dhe PDK). LVV kishte 10 deputete, të pasuara nga PDK me 8 dhe LDK kishte 6. Ndërsa, burra ishin: 22 LVV, 18 LDK dhe 13 PDK . Në raport burra e gra ishin 53 burra dhe 24 gra.

Nga këto zgjedhje që lamë pas, në tri partitë e para është shënuar një rritje e vogël e deputeteve gra: 10 LVV, 9 LDK dhe 8 PDK”, kemi gjithsej 27 deputete gra, ndërsa 56 burra.

Duke marrë parasysh shifrat që dolën nga zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë dhe duke marrë parasysh pozitën e gruas sot, në legjislativ dhe ekzekutiv, e në të gjitha sferat e tjera shoqërore e politike, mund të themi se është përmirësuar dukshëm krahasuar me vitet paraprake.

Vjosa Osmani – Sadriu dhe Arbërie Nagavci sot udhëheqin organin më të lartë shtetëror, Kuvendin, duke shtuar edhe edhe 5 nga 12 ministritë që udhëhiqen gjithashtu nga gratë.

Mbi autorin: Uranik Emini është pjesëmarrës në programin “Gazetaria Transformuese” që është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.

sqAlbanian