Ditari i një dite gjatë pandemisë COVID – 19

E dashtun bija ime, 
Edhe sot po të shkruaj si çdo ditë tjetër, për të të treguar se si shkoi dita ngaqë je ende e vogël dhe nuk i kupton gjërat, por prapë meriton spjegim. E di që sot u ndjeve e frikësuar kur babai yt hodhi pjatën e ushqimit, por s’ke pse frikësohesh, ai thjesht nuk e pëlqeu ushqimin që përgatita. Ti prapë u frikësove kur ai shoqëroi me të bërtitura refuzimin për të më ndihmuar ta tërheq tryezën e madhe të kuzhinës, por s’ka gjë, kohët e fundit ndjehet i stresuar nga kjo situatë pandemie dhe lajmet që përcjell orë e çast. E pashë në sytë e tu një lloj zhgënjimi kur kërkove nga ai të të ushqente dhe ai të tha që për të tilla punë e ke mamin. Edhe për këtë mos u shqetëso aspak ngaqë mami është përherë këtu për ty. Mami është gati për ty ta mbajë mbi supe barrën e gjithë botës, të luftojë kundër gjithçkaje, të të mbroj e të të fal gjithçka nga vetja e nuk lodhem kurrë. Do jem gati të sakrifikoj edhe veten në kembim të lumturisë tënde, por të lutem më premto… Më premto që ti do jesh gati të luftosh me gjithë botë, do jesh një grua e fortë e cila nuk përkulet nga askush dhe asgjë.

Pavarësisht gjithçkaje, ti asnjëherë nuk do lejosh të të nëpërkëmbin e të të shndërrojnë në një vegël pune, sepse ti je ti dhe askush tjetër nuk mund të vendosë për jetën tënde dhe të marrë vendime për ty.

Bëhu një vajzë e suksesshme, një grua e zonja dhe një nënë shembullore ngaqë amësia është epiteti dhe vlera më e çmuar për një grua, por mos harro të vësh në rend të parë veten tënde dhe vlerat tua.

Unë do jem përherë krah teje.

Me shumë dashni,
Nana

Ky artikull është shkruar nga Elmedina Berisha, studente në Departamentin për Punë Sociale në UP nën mbikqyrje të profesoreshë Vjollca Krasniqi në kuadër të bashkëpunimit me SIT. Ky artikull u shkrua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim, dhe Fondacioni OAK.

sqAlbanian