Ditari i një dite gjatë pandemisë COVID-19
E Martë
Jeta e një gruaje dhe përgjegjësitë e saj në një shoqëri patriarkale janë të mëdha. Prej tyre pritet që të bëjnë punët e shtëpisë e shumë gjëra të tjera. Gratë në ditët e sotme nuk i kundërshtojnë vetëm punët e shtëpisë, por edhe mënyrën e ndarjes së punës. Punët e shtëpisë janë të bezdisshme sepse, nëse një grua që jeton me një burrë në çfarëdo marrëdhënieje që kanë, ka shumë të ngjarë që të përfundojë duke bërë pjesën më të madhe të punës, pa marrë parasysh se kush fiton më shumë, ose kush kalon më shumë kohë në punë. Sipas disa studimeve, në familjet heteroseksuale ku gruaja është prodhuesi kryesor i ushqimit, sa më shumë fiton, aq më pak
partneri i saj do të kontribuojë në punët e shtëpisë.
Ne jemi një shoqëri patriarkale dhe po jetojmë në të dhe sado që mundohemi ne si gra të ngrisim zërin të paktën tek anëtarët e familjes, rrallë herë dikush i merr parasysh fjalët dhe atë se çfarë po flasim. Kjo ndodh edhe në familjen time dhe ka ndodhur gjithnjë, jo vetëm tash në këtë kohë të pandemisë. Unë e konsideroj veten feministe dhe jam e ndjerë e tërbuar që unë dhe shumë të tjera përpara meje, iu kanë nënshtruar këtyre
gjepurave si “roli i femrës”.
Përgjegjësitë për punët e shtëpisë i kam unë. Edhe pse më e vogla e shtëpisë, krejt punët pritet që t’i bëj unë, ndërsa vëllezërit janë
në punë dhe arsyetohen nga prindërit. Nëse ka raste kur i them nënës le ta bëjë vëllau një punë, ajo arsyetohet se ka
qenë në punë dhe se është lodhur dhe fillon e
bën vetë atë punë. Edhe tash që nuk janë në punë, prindërit ende
i arsyetojnë, dhe kur revoltohem ata më përgjigjen: “ti je çikë”. E kjo
fjali më revolton edhe më shumë, mirëpo këto debate për
rolet gjinore në shtëpinë tonë mbesin veç debate. Pa marrë parasysh se çfarë them unë, sërish ditën tjetër dhe ditët në vazhdim këto sjellje të tyre përsëriten sikurse edhe revolta ime.
Sikurse çdo ditë, edhe kjo ditë e martë filloi me bërjen e punëve të shtëpisë në pastrim ku zgjatën dy orë, pastaj pas punëve të shtëpisë pushova disa orë ku e shfrytëzova kohën e lirë për të komunikuar me shoqërinë me anë të rrjeteve sociale. Më pas shikova një film, dhe kështu erdhi koha për të filluar përgaditjen e darkës së bashku me nënën time. Pas darkës, si zakonisht i pastruam pjatat dhe vazhduam me punët tjera.
Kjo ishe një ditë e imja, e po besoj si e çdo gruaje tjetër shqiptare ku përqindja më e madhe e ditës kalon duke bërë punët e shtëpisë krejt e vetme, dhe pak kohë mbetet për t’u marrë me veten ose për gjëra personale. Por individët mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndryshimin e sjelljes së tyre brenda familjeve. Kjo ndarje gjinore e punëve shtëpiake nuk do të bëhet e barabartë nga gratë që bëjnë më pak, por nga burrat që bëjnë më shumë. Momente të vogla në shtëpi – gruaja që rregullon shtëpinë kur vëren një rrëmujë; burri që pa mend e lë peshqirin e tij të lagur në dyshemenë e banjos, i siguruar se dikush tjetër është aty për ta larguar – të çojnë në modele më të mëdha të pabarazisë brenda martesave. Zakonet e përditshme kanë rëndësi, dhe pa ndryshime ata do të vazhdojnë t’i tërheqin gratë poshtë. Nëse patriarkati ka investuar kaq shumënë pastërtinë e “qilimave” tonë, le të vijë në fundjavë dhe ta pastrojnë vetë atë.
Ky artikull është shkruar nga Jeta Balaj, studente në Departamentin për Punë Sociale në UP nën mbikqyrje të profesoreshë Vjollca Krasniqi në kuadër të bashkëpunimit me SIT. Ky artikull u shkrua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim, dhe Fondacioni OAK.