Ditari i një dite gjatë pandemisë COVID-19

Edhe ditët e jetës sonë janë faqe nga ditari. Por sado i gjatë të jetë ky ditar, ne sërish do të zgjedhim vetëm disa nga ato faqe të cilat kanë qenë unike për ne. Nganjëherë ngjarjet e përgjithshme e bëjnë një periudhë kohore të jetë e veçuar. Pra, mbase karakteristikat dalluese e bëjnë një situatë të ndryshme.Dhe mbase e ndryshmja shihet si e veçantë dhe ne e trajtojmë si të tillë.

Dita fillon për mua në ora 5 të mëngjesit. Fillon me namaz e lexim, e pastaj detyrat shtëpiake rëndom vijojnë të ndahen bashkë me rolet gjinore. Unë, bashkë me motrat e me nënën bëjmë punët si p.sh. përgatitja e ushqimit dhe pastrimi i shtëpisë. Ndërsa, babai dhe vëllai merren me kujdesin dhe mirëmbajtën e kopshtit, si dhe mbjelljen e frutave. Kjo ndarje e roleve i bën njerëzit të varur nga rolet e tyre dhe zhvillojnë qëndrime të gabuara dhe ia mveshim perceptimit personal për rolin gjinor edhe sjelljen negative.

Njerëzit shumë shpesh u adaptohen roleve, por jo gjithherë janë dakord me ato. Madje, shpesh këto role janë diskriminuese dhe të papërshtatshme. Ky perceptim i gabuar ka reflektuar sidomos në situatën e zhvilluar si rezultat i pandemisë COVID-19 kur dhuna në familje po bëhet më e shprehur.

Në librin e Simone De Beauvoir – Seksi i dytë në volumin e parë të librit paraqiten faktet dhe mitet mbi gjininë dhe perspektivat e ndryshme gjinore. Ku, kur disa pyeten se çka është gruaja? – dhe përgjigjja e
disave është që gruaja është vetëm MITËR, ndërsa për burrin thonë që ai është tema, ai është absoluti, ndërsa ajo është tjetra. Ndarjen që e bëjmë mes “ne” dhe “ata”, ne kemi prirje të sillemi në bazë të ndarjes së roleve që i caktojmë. Qëndrimet e gabuara se gjinia të bën më mbizotërues mirëpriten shumë nga burrat që po ashtu edhe kulturalisht janë të përgatitur ta konsiderojnë
veten superior kundrejt tjetrit.

Në rastet kur djali apo burri konsideron se edhe higjiena personale siç është pastrimi i rrobave, i dhomës etj. janë punë vetëm për vajzat apo gratë, atëherë kjo bën që ata të jenë të mangët sa u përket shkathtësive personale të jetës së përditshme, por në të njëjtën kohë edhe u ngarkohet vajzave apo grave të shtëpisë.

Gjatë kohës së pandemisë është vërejtur se kjo barrë është shtuar edhe më tepër për faktin se njerëzit janë më të panikuar, bëhen më obsesiv në sjellje dhe i gjithë ky mundim bie mbi gratë.

Aspekti tjetër negativ që është i shprehur jashtëzakonisht në kulturën tonë është mosrespekti në marrëdhënie me të tjerët e sidomos gratë dhe vajzat.

Andaj është e rëndësishme të reflektohet mbi sjelljen, sepse gratë dhe vajzat nuk janë përgjegjëse për situatën në të cilën ndodhemi, por arsyeja qëndron se burrat janë mësuar që shumicën e kohës të jenë më tepër jashtë shtëpisë dhe se nuk mundohen të gjejnë formën adekuate për t’iu përshtatur mënyrës së jetës.

Rri n’shpi dhe respekto të tjerët, sepse nëse respekton sot do të respektohesh nesër.

Ky artikull është shkruar nga Shkurta Bregovina, studente në Departamentin për Punë Sociale në UP nën mbikqyrje të profesoreshë Vjollca Krasniqi në kuadër të bashkëpunimit me SIT. Ky artikull u shkrua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim, dhe Fondacioni OAK.

sqAlbanian