Ditari i një dite gjatë pandemisë COVID-19 nga perspektiva gjinore
Ndarja e punëve brenda një familjeje është e rëndësishme në përcaktimin e pozitave të pushtetit, veçanërisht në fuqinë e negocimit brenda familjes.
Duke pasur parasysh se kriza COVID-19 prek gjininë në mënyra të ndryshme, edhe masat që ndërmirren për të gjetur zgjidhje për të, duhet të marrin parasysh gjininë. Pavarësisht se në cilën situatë gjindet njeriu, janë gratë ato që mbajnë pjesën më të madhe të përgjegjësive për mbajtur shoqërinë së bashku, qoftë në shtëpi, në kujdesin shëndetësor, në shkollë ose në përkujdesjen ndaj të moshuarve. Në shumë vende, gratë i kryejnë këto detyra pa pagë.
Nga gatimi dhe pastrimi, deri tek kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit, gratë kryejnë tri herë më shumë punë shtëpiake dhe kujdes pa pagesë sesa burrat. Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz dhe familje janë izoluar në shtëpitë e tyre për të ndaluar përhapjen e COVID-19, përgjegjësit e kujdesit janë në një kohë të stresueshme. Pavarësisht nëse është gruaja duke i ndihmuar fëmijët përmes mësimit në distancë, ose duke mbështetur të afërmit, ose në përgatitjen e gatimit, pastrimin dhe drejtimin e familjeve tona, është kohë e reflektimit për të gjithë ne që të ndajmë kujdesin. Andaj është e rëndësishme që të gjithë ne në shtëpitë tona të bëjmë pjesën tonë për të ndarë barrën e shtuar të punës së papaguar shtëpiake dhe të kujdesit çdo ditë.
Distancimi shoqëror do të thotë që shtëpia bëhet shkollë për shumë familje në të gjithë botën. Andaj është e rëndësishme që të bëjmë biseda për barazinë gjinore me familjen, miqtë dhe veçanërisht me fëmijët, djemtë dhe vajzat. Për shumicën e njerëzve sot në botë, shpërthimi i kohëve të fundit COVID-19 është një simbol i asaj se sa ebrishtë dhe e paparashikueshme mund të jetë jeta jonë. Virusi ka ndryshuar mënyrën në të cilën shumica prej nesh jeton, punon ose kryen funksionet themelore të ditës.
Familja ime e kalon një ditë të zakonshm gjatë COVID-19 në mënyra të ndryshme. Kjo kohë është e rëndë për çdo anëtar të familjes, për çdo njeri në botë, e ashtu është edhe për familjen tonë dhe përballja brenda familjes sonë vijon në mënyra të ndryshme. Fillimi i krizës COVID-19 ishte shumë stresues për familjen tonë dhe mënyrat se si e bëjmë menaxhimin e situatës lidhen më së shumti me ndarjen e punëve të shtëpisë për secilin anëtar të familjes sonë.
Unë si vajza më e vogël në familje kam vërejtur shumë ndryshime në mënyrën e inkuadrimit të grave/vajzave dhe djemve/burrave në përfundimin e punëve të shtëpisë. Nëna zakonisht ka qenë personi i cili vazhdimisht është angazhuar në shumicën e punëve të shtëpisë në gatimin, pastrimin, dhe menaxhimin e punëve tjera të shtëpisë. Zakonisht në një ditë normale çdo anëtar i familjes time është i angazhuar me obligime të ndryshme, secili në punë të ndryshme, ndërsa nëna zakonisht merret me punët e shtëpisë. Në këto ditë kur çdo familje ka qenë e bashkuar më shumë se kurrë është kohë e reflektimit se sa e vështirë është të merresh çdo ditë me punët e shtëpisë, të jesh e obliguar të mendosh çdo detaj më të vogël në mirëmbajtjen e familjes, në mirëmbajten e shtëpisë.
Ne si familje në këto ditë të vështira shumicën e kohës e kalojmë duke bashkëvepruar me njëri-tjetrin në menaxhimin e punëve shtëpiake, secili anëtar i familjes time është i/e vetëdijshëm/e se sa shumë rendësi, mund, dhe përkushtim kanë punët shtëpiake dhe secili prej nesh kemi bërë organizimin e punëve të shtëpisë në mënyra të ndara ku secili prej nesh është i angazhuar me ndonjë punë. Tanimë në familjen time prindërit – nëna dhe babai mirren me gatimin e ushqimit, ndërsa unë së bashku me vëllezërit e mi merremi me mirëmbajten e shtëpisë, pastrimin dhe mirëmbajten e kopshtit.
Jam shumë e lumtur ngase të gjithë jemi të angazhuar në punët e shtëpisë dhe kemi vendosur që edhe pasi të përfundojë pandemia kjo do të jetë mënyra e orentimit dhe e organizmit të punëve të shtëpisë në familjen tonë.
Ky artikull është shkruar nga Aida Osmanaj, studente në Departamentin për Punë Sociale në UP nën mbikqyrje të profesoreshë Vjollca Krasniqi në kuadër të bashkëpunimit me SIT. Ky artikull u shkrua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim, dhe Fondacioni OAK.
YMI – Young Men Initiative#CareInternational#CARE#AustriaDevelopmentAgency#OAKFoundation