Ditari i një dite gjatë pandemisë COVID-19

Ajo çfarë fillonte si një ditë e stërmbushur me aktivitete, njerëz të shumtë, dritë vezulluese nga ambientet jashtë, tashmë ka marrë një nuancë tjetër. Nuk është “Dashuria në kohërat e kolerës” nga Marquez mirëpo është jeta në kohën e virusit Korona…

Bie alarmi në orën 08:00 fiks. Askush nuk nxiton që ta ndalë. Tashmë nuk ka presion se do vonohemi të shkojmë gjëkundi. Këtë lloj “lirie” duket se nëna nuk e përfill fare. Prapëseprapë mëngjesi duhet përgatitur dhe servuar, enët duhet larë, dhomat duhen pastruar, shtëpia duhet të nuhasë erë lavande gjithandej! Të gjitha punët shumëfishohen kur ke të bësh me 10 anëtarë të familjes. Më shumë vakte ushqimi, më shumë nevoja dhe dëshira për t`u plotësuar, më shumë kënde të shtëpisë për tu mbajtur me rregull dhe pastërti, më shumë, më shumë, më shumë… Numërimi nuk duket të përfundojë ndonjëherë. Sado e vështirë që të tingëllojë, në një ambient ku mbizotëron edukata dhe kultura adekuate e përcjellur qoftë nga prindërit apo ndonjë person tjetër, kjo gjen aplikim pozitiv.

“Më shumë” tashmë shndërrohet në një koncept ndihmues. Më shumë persona për të kontribuar, shërbyer dhe përfunduar përgjegjësitë e caktuara. Kësaj ndarjeje të detyrave nuk i shpëton as vëllai im i vogël sado që është “djalë i vetëm”. Madje nuk mund t`i bëj konkurrencë dollapit të tij ku rrobat janë të ndara sipas ngjyrave! Nuk është befasi që edhe babai përmbush rolin e tij me sukses. Po, ai gatuan ndonjë vakt, kjo ndodh me të vërtetë! Rregullon shtratin e tij porsa zgjohet dhe është gjithmonë në gjendje gatishmërie të asistojë me ndihmën e tij edhe po qëlluan “punë grash”. Kësisoj vëllai im i vogël nuk e ka të vështirë të ndihmojë sepse veçse ka një model të duhur për të ndjekur.

Një ditë prej ditësh, vendosi të më ndihmojë mua për të larë pllakat e ballkonit. Po në atë moment kalon një veturë afër, me dy djem moshatarë të tij brenda. Teksa shohin vëllanë tim që i kishte përvjelur mëngët dhe mbante zorrën e ujit, fillojnë të qeshin me të madhe, pëshpërisin ndër dhëmbë dhe largohen.

Kthej kokën për të parë reagimin e tij dhe shtangem nga habia. Në vend se të shoh një djalosh të nevrikosur apo të skuqur nga turpi, shoh një buzëqeshje të ëmbël dhe moskokëçarje të dukshme. Më shikon mua dhe buzagaz më thotë:
“Ke harruar të fërkosh atë njollën e madhe, mu aty.”

I bashkohem buzëqeshjes së tij dhe jam e gëzuar për personin i cili është. Me të përfunduar, strukemi në dhomën e ndejës dhe vazhdojmë serialin që e kemi lënë në gjysmë. Në anën tjetër, motra e madhe lexon një libër në kolltuk, dicka për sekretet japoneze për një jetë më të lumtur.

Aq material na duhet për ta ngacmuar me fjalë.

Dhe kështu fillon një lojë talljesh fëmijërore. Pasdite na bashkohet edhe babai. Duket i lodhur nga puna në oborr që ka bërë tërë mëngjesin.

Nëna i bashkohet me një gotë verë dhe të dy së bashku fillojnë të na tregojnë herën e parë që janë takuar, ngjarje që ne e kemi mësuar përmendsh si një vjershë por nuk ua prishim terezinë asnjëherë. Kur shikoj përreth, shoh njerëz të relaksuar, afrimitet më i madh se ndonjëherë, përqafime të ëmbla nga gjyshi dhe gjyshja dhe mendoj me vete: “Ndoshta jeta në kohërat e koronës nuk është dhe aq e keqe…”

Ky artikull është shkruar nga Liridona Selmani, studente në Departamentin për Punë Sociale në UP nën mbikqyrje të profesoreshë Vjollca Krasniqi në kuadër të bashkëpunimit me SIT. Ky artikull u shkrua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim, dhe Fondacioni OAK.

YMI – Young Men Initiative#CareInternational#CARE#AustriaDevelopmentAgency#OAKFoundation

sqAlbanian