Drejtësia e munguar për gratë viktima të dhunës në Kosovë
Dhuna vazhdon të rritet përderisa Policia e Kosovës vazhdon të mos përmbushë obligimet ligjore për mbrojtje të viktimave të dhunës
Dhuna në familje, e cila në të shumtën e rasteve është dhunë me bazë gjinore që ushtrohet ndaj grave, mbetet problem tejet shqetësues dhe i përhapur. Sfida më e madhe në adresimin e kësaj dhune, në të gjitha format e saj, mbetet të kuptuarit e dhunës në familje si çështje private, si dicka që ndodhë dhe duhet të mbesë brenda familjes. Edhe pse numri i raportimeve të dhunës kundër grave është rritur viteve të fundit, sidomos në tri vitet e fundit, shumë prej këtyre raportimeve nuk kanë rezultuar në reagim të drejtë të zyrtarëve policorë por edhe nga vetë gjykatat. Ushtruesit e dhunës në shumë raste nuk janë dënuar dhe edhe përkundër thirrjeve të shumta të grave për ndihmë dhe mbrojtje, shpesh atyre nuk ofrohet kjo ndihme nga vetë institucionet përgjegjëse. Kështu në Kosovë është rritur edhe numri i grave të vrara si pasojë e dhunës në familje. Vetëm në vitin 2018 në Kosovë janë vrarë gjashtë gra, njëra ndër to edhe Valbona Marku-Ndrecaj e cila është vrarë nga bashkëshorti i saj në atëbotë në gusht të 2018-ës së bashku me vajzën e saj nëntë vjeçare.
Valbona për vite me rradhë abuzohej fizikisht dhe seksualisht nga bashkëshorti. Policia veqse ishte e njoftuar për dhunën që ushtrohej ndaj saj sepse ajo kishte raportuar këtë dhunë disa herë. Një nga këto ishte raportimi i datës 12 maj 2018 kur Valbona e denoncoi në polici bashkëshortin Pjetër Ndrecaj për dhunë fizike dhe seksuale ndaj saj. Pas denoncimit, policia e arrestoi dhunuesin dhe e dërguan në paraburgim për 30 ditë. Sidoqoftë, prokuroria nuk i mori parasysh akuzat për dhunë seksuale ndaj Valbonës.
Me të dalë nga burgu, Pjetër Ndrecaj u mundua ta bindë Valbonën të jetonin prapë së bashku me pesë fëmijët e tyre, të cilët po jetonin bashkë me të ëmën në shtëpinë e familjes së saj. Valbona refuzoi të jetonte sërish në të njejtën shtëpi me dhunuesin e saj. Pikërisht gjatë kohës sa ajo po qëndronte me familjen e saj së bashku me fëmijët, ndodhi edhe krimi i radhës, kësaj here Pjetër Ndrecaj i shoqëruar nga dy policë, pa urdhër nga gykata, shkoi në shtëpinë ku po qëndronte Valbona dhe ia morri dy nga fëmijët. Kur e pa se përpjekjet për ta kthyer Valbonën në shtëpi nuk po jepnin rezultat, ai vazhdoi me kërcënimet ndaj saj.
“Tash të pret një dhuratë e bukur ty dhe lalushit do t’i dhemb zemra”, ishte mesazhi kërcënues telefonik që Valbona mori nga Pjetër Ndrecaj më 7 gusht 2018.
Po atë ditë, sipas dëshmisë së vëllait të saj, Valbona e denoncoi në polici kërcënimin e pranuar nga ish-partneri i saj dhe kërkoi mbrojtje fizike prej policisë, “sepse Pjetri nuk rri asnjëherë pa armë’’ kishte thënë ajo Përgjigjja e Policis ndaj kërkesës së Valbonës ishte kjo “Në rregull është, sepse tash do të merremi ne me të”.
Sidoqoftë, pak orë më pas, pas kërkesës së Valbonës për mbrojtje, ajo dhe vajza e saj nëntëvjeçare u vranë me armën kallashnikov nga Pjatër Ndrecaj, bashkëshorti, përkatësisht babai, i cili shkrepi rreth 30 plumba drejt tyre. Policia nuk u siguroi Valbonës dhe vajzës së saj mbrojtje fizike, siç parashihet me ligjet në fuqi (neni 3&24). Policia e Kosovës edhe njëher nuk u doli ne mbrojtje grave të rrezikuara nga dhuna e burrave, ashtu siq edhe do të duhej sipas ligjit.
Pjeter Ndrecaj është dënuar për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij në gusht të 2018-ës, ai është dënuar me burgim të përjetshëm, përkundër këtij dënimi, atij iu dha hapësirë mediatike në televizionet tona ku ai “aryseton” krimin e tij. Dënimet për ushtruesit e dhunës dhe vrasësit e grave megjithatë mbetet shumë i ulët në Kosovë. Të dhënat e Policisë së Kosovës na tregojnë për shifra shumë të ulëta të arrestimit dhe dënimeve të dhunuesëve, kështu vetëm në vitin 2018, përkundër që kishte më shumë se 1000 raste të raportuara të dhunës ndaj grave, pati vetëm 400 arrestime. Kurse Pjetër Ndrecaj mbetet rasti i parë të cilit i është shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm, shumë vrasës tjerë të grave në Kosovë vazhdojnë të ecin të lirë.
Niveli i pranueshmërisë së dhunës vazhdon të mbetet shqetësues
Sipas hulumtimeve që zhvillojnë organizatat feministe në vend, statistikat tregojnë që qytetarët vazhdojnë të potencojnë dhe t’a pranojnë dhunën si një formë të diciplinimit dhe si të nevojshme.
‘Niveli i pranueshmërisë së dhunës në nivel të Kosovës vazhdon të jetë i lartë, gjë që paraqitet si problem kulturor. Hulumtimet tregojnë që qytetarët vazhdojnë ta perceptojnë dhunën si një formë të diciplinimit dhe si të tillë të nevojshme. (një përqindje e qytetarëve).’ ka thënë Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.
Të gjeturat e këtij hulumtimi kanë treguar se përveq dhunës fizike dhe të tjera që janë të dukshme, kundër grave ushtrohet dhunë sistematike në nivel të lartë.
‘Statistikat tregojnë nivelin shqetësues të patriarkalitetit dhe të mendësisë e cila i sheh gratë si objekte dhe si pronë më shumë sesa si subjekte të lira, dhunimi i integritetit fizik dhe psiqik të së cilave paraqet akt kriminal. Në këtë linjë, përveç dhunës fizike dhe formave të dhunës që janë më të dukshme dhe evidente, shoqëria kosovare ka një praktikë dhe nivel të lartë të ushtrimit të dhunës sistematike të grave që manifestohet në pozitën që ato e kanë në të gjitha sferat e jetës.’ ka thënë Znj. Sijarina.
Cfarë shërbime marrin gratë që përjetojnë dhunë?
Në shumë raste, gratë të cilat i mbijetojnë dhunës përfundojnë kryesisht në strehimoret për gratë e dhunuara në familje. Në Kosovë, trehimore ka në këto qytete:Novëbërdë, Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë, Pejë, Gjilan, Prizren, Mitrovicë Jugore, dhe tash së fundi është hapur edhe strehimorja për gratë në Mitrovicënn e Veriut
Vetëm në strehimoren ‘Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve’ në Prishtinë, gjatë vitit 2019 janë strehuar gjithësej 114 nëna me fëmijë, ka potencuar për Kosovalive dhe SIT drejtoresha e strehimores Zana Hamiti-Asllani.
Znj. Hamiti-Asllani ka potencuar gjithashtu që edhe pse numri i të strehuarave nuk mund të parashihet saktësisht brenda një viti, pasi që shumë gra viktima të dhunës në familje edhe nuk paraqiten në strehimore fare, por gjatë vitit 2019, megjithatë, numri i grave që kanë kërkuar ndihmë në strehimore është rritur.
‘Numri i të strehuarave brenda vitit nuk mund të parashihet, mirëpo është në rritje për shkak të vetëdijësimit të grave. Krahasuar me vitet paraprake, numri i të strehuareve është rritur mbi 20%.’ ka thënë Znj. Hamiti-Asllani.
Që nga janari 2017 deri në tetorin e 2019, njëmbëdhjetë gra janë vrarë si pasojë e Dhunës në Familje. Vetëm në vitin 2018 janë vrarë gjashtë gra nga familjarët e tyre. Të dhënat nga Policia e Kosovës tregojnë që nga janari 2017 deri në shtator 2019, ka pasur 4226 raste të raportuara të Dhunës në Familje, nga këto raportime ka pasur 4292 viktima, prej tyre 3394 kanë qenë gra.
Edhe pse këto të dhëna tregojnë për rastet e shumta të dhunës ndaj grave dhe vrasjes së tyre, duhet pasur parasysh që edhe këto të dhëna madje nuk i përfshijnë të gjitha rastet e dhunës, meqenëse niveli i raportimit të dhunës vazhdon të jetë i ulët.
Për parandalimin e dhunës kundër grave organet më të zëshme janë organizatat dhe grupet feministe që ndërrmarrin masa për parandalimin e dhunës dhe uljen e numrit të viktimave dhe të lënduara nga dhuna në familje sipas hulumtimeve që QKSGJ ka kryer.
‘Falë presionit të madh të organizatave dhe grupeve feministe, janë ndërmarrë disa reforma në trajtimin e problemit të dhunës me bazë gjinore. Megjithatë në nivel kombëtar nuk ndërmerren masa serioze të cilat do ta parandalonin dhunën. Hulumtimet tona kanë treguar që shteti ka bërë përmirësime në reagimin ndaj rasteve të dhunës (fizike) duke i avancuar dhe kryesisht ato që ndodhin në familje.’ shprehet Znj. Sijarina nga QKSGJ.
Në institucionet shtetërore mungojnë mekanizmat dhe strategjitë për parandalimin e dhunës kundër grave, dhe shteti nuk investon mjaftueshëm në procesin e integrimit shoqëror të të mbijetuarave të dhunës. Këto institucione janë koncentruar më shumë në reagim por jo në parandalim dhe garantim të të drejtave dhe lirive themelore të grave thotë Znj. Sijarina nga QKSGJ. Ajo tregon që‘ trajnimi i vazhdueshëm i policisë dhe vendosja e procedurave të qarta për trajtimin e dhunës në familje po kontribuojnë në këtë përmirësim. Ky përmirësim ilustrohet me rritjen e ndjeshmërisë dhe bashkërenditjes ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera. Megjithatë, mungojnë mekanizmat dhe strategji serioze për parandalimin e dhunës ndaj grave, institucionet shtetërore.’
Të rinjtë dhe dhuna ndaj grave
Dhuna në familje, që në të shumtën e rasteve përkthehet në dhunë kundër grave, do të mund të parandalohej nëse raportimet e të dhunuarave merren më me seriozitet nga institucionet shtetërore, dhe nëse të rinjtë nuk e shohin dhe e pranojnë dhunën si një çështje private apo normale. Sidoqoftë, në Kosovë, dhuna vazhdon të pranohet dhe të arsyetohet si nga gjeneratat më të vjetra të cilat siq shprehet Znj. Sijarina, “vazhdojnë të kenë mendësinë patriarkale e cila nuk e sheh dhunën si shumë problematike”, e njejta vazhdon të ndodh me të rinjtë në nivele shumë shqetësuese.
Lidhur me këtë çështje, Znj. Sijarina ka treguar për Kosovalive dhe SIT që sipas hulumtimeve që kanë zhvilluar, 27% e të rinjëve nuk mendojnë se shuplaka do të mund të definohej si një akt i dhunës. Gjithashtu, hulumtimi tregon për prezencën e dhunës edhe tek të rinjtë. Të dhënat tregojnë që 11% e vajzave të reja kanë përjetuar dhunë fizike. Gjithashtu, 10% e tyre kanë raportuar përvoja nga marrëdhëniet e tyre romantike kur partneri i tyre ka vepruar dhunshëm ndaj tjetrit dhe një gjë e tillë ka zgjuar frikë tek viktima.” thotë ajo.
Jemi në vitin 2020, dhe dhuna kryesisht kundër grave dhe vajzave po vazhdon të rritet, ne na mbetët të luftojmë dhunën në cdo formë të saj, të ngrisim vetëdijen për problemin e dhunës në shoqërinë tonë, dhuna të mos shihet si cështje private por të trajtohet për atë që është, si krim. Kështu kriminelët duhet të mbahen të pergjegjshëm dhe grave t’u ofrohet drejtësi.

“Mbi autoren: Miridonë Syla është pjesëmarrëse në programin “Gazetaria Transformuese” që është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.”