5 hapa për larjen e rrobave nga Yll Rugova

“Larja e teshave nuk më merr më shumë se 10 minuta të kohës.” Yll Rugova, aktivist dhe Zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet fushatës dhe thirrjes “Punët e shpisë nuk kanë gjini!” Në 5 hapat në vijim, Ylli ka ofruar një udhëzues të shkurtër për larjen e teshave, për burra e për gra.

“Në 5 hapat në vijim do të mundohem ta bëj një udhëzues të shkurtër për larjen e teshave, për burra e për gra.”

Mësoje cila është makina e larjes së teshave. Ajo zakonisht e ka një derë të rrumbullakët në pjesën ballore (megjithëse disa modele mund ta kenë edhe sipri). Vërejtje: Mos e ngatëroni me larësin e enëve, i cili derën zakonisht e ka katrore dhe brenda ka rafte për enë. Lavatriqja brenda është në formë cilindrike dhe nuk ka rafte për enë.

Vendosi rrobat e palara brenda lavatriqes duke përdorur derën karakteristike të rrumbullakët. Ajo nganjëherë duket si dritare e nëndetëseve ⛴️.




Pasi ta zbuloni lavatriqen dhe pasi të vendosni petkat e palara, gjeni diku në afërsi edhe detergjentin dhe zbutësin. Ato mund të duken diçka si këto në foto. Zakonisht zbutësi ia jepë atë aromën e këndshme të gjitha robave, kurse detërgjenti e bën pastrimin.

Në fiokën për detergjent (që zakonisht ndodhet në këndin e majtë lart) janë tre hapësira (hulli) për vendosjen e detergjentit dhe të zbutësit. Nga një kapak detergjent (kapaku i tyre është njësia matëse dhe mjeti i punës) e vendosni në dy hullitë anësore majtas dhe djathtas. Kurse një kapak zbutës e vendos në hullinë e mesme.

Kjo ishte pjesa më e vështirë.

Për rezultat më të shpejtë e aktivizoni lavatriqen në programin Express, që zgjatë diku 28 minuta (qysh mund ta shihni në ekranin e vogël digjital) dhe e shtypni pullën ▶️. (Kështu funksionon lavatriqja ime, për lavatriqe tjera lexojeni manualin, ose shikoni video në YouTube).

 Sqarim: Kjo mënyrë funksionon mirë për të gjitha llojet e petkave, me ngjyrë apo të bardha, peshqira apo çarshafa, por vetëm me kushtin që nuk janë tepër të palara. Në rast se keni petka me ndonjë leqe të vështirë, atëherë rekomandohet që ato të bardha dhe me ngjyrë të lahen ndaras dhe me programe krejt tjera. Mund të konsultoni manualin tuaj për këtë.

Pasi të jenë larë petkat, lavatriqja ndalet dhe ju mund të filloni procesin e vendosjes së tyre për tharrje. Transportimi nga lavatriqja deri te teli i tharrjes bëhet me ndonjë trastë ose enë të madhe nga ndonjë material që nuk dëmtohet nga uji.

Vendosen të gjitha petkat për tharrje në tel.

Kjo fushatë zhvillohet në kuadër të nismës “Aksione në komunitet për të promovuar lejen prindërore” në kuadër të projektit “Dialog social për drejtësi shoqërore” që implementohet nga Demokraci për zhvillim [Democracy for Development (D4D)], financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme International Center dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze. Ky aktivitet u mbajt në kuadër të projektit të titulluar “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Ballkan në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim dhe Fondacioni Oak. #PunetEShpiseNukKaneGjini #SITandTHINK

sqAlbanian