REAGIM!

Një video që qarkulloi dje ku një burrë rrahë brutalisht një grua në një supermarket në Prishtinë, tregon realitetin e dhunës së përjetuar vazhdimisht nga gratë dhe vajzat në Kosovë!

Dhuna në bazë gjinore, si ajo në publik por edhe ajo me dyer të mbyllura, na shqetëson jashtëzakonisht shumë për jetesën e dinjitetshme të grave dhe vajzave në Kosovë, për pasigurinë e tyre dhe për një realitet të dhimbshëm me të cilin ballafaqohemi edhe sot. Çdo rast i tillë, na vërteton që siguria për vajzat dhe gratë nuk është në nivel, sidomos në këto kohë kur raste të tilla keqtrajtimi dhe fataliteteve janë të shpeshta. Përderisa për persona specifik ai lloj i dhunës normalizohet që të jetë pjesë e jetesës publike, neve na alarmon për jetën e grave brenda dhe jashtë shtëpive të tyre.  

Për këtë rast specifik, SIT kërkon nga organet përgjegjëse që të ndërmarrin veprimet e duhura ndaj ushtruesit të dhunës, kurse kërkon që viktimës t’i ofrohet kujdesje e nevojshme për sulmin fizik dhe traumat psikologjike që ka pësuar! Raste të tilla, nuk duhet që të normalizohen në asnjë mënyrë!

Reagim pas reagimi, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë tash e sa kohë avokojnë për parandalim të dhunës dhe dukurive të tjera negative, andaj ka ardhur koha që të gjitha institucionet publike, urgjentisht të krijojnë mekanizma adekuat të cilët parandalojnë këto dukuri! 

Ngjarje të tilla, jo vetëm që nuk duhet tolerohen në asnjë lloj forme, por duhet të parandalohen përmes formave të ndryshme që ne si shoqëri civile ofrojmë dhe japim sugjerimet tona në implementim të këtyre programeve parandaluese.

Dhuna në bazë gjinore, si dhuna seksuale, fizike, psikologjike, apo lloj tjetër i dhunës, duhet të merren seriozisht menjëherë nga organet kompetente, të parandalohen dhe të eliminohen në mënyrë që grave dhe vajzave t’u sigurohet jetesë normale, pa dhunë dhe fenomene të tjera negative!

SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime

en_USEnglish