REAGIM!

SIT është i tronditur nga lajmet e fundit për rastin e 18 vjeçares nga qyteti i Ferizajit që dyshohet se është dërguar nga dy persona në spitalin e Ferizajit. Sipas raportimit të medieve, ne kemi kuptuar se në trupin e viktimës janë identifikuar shenja të dhunës – dhe potencialisht, vdekja e saj erdhi si shkak i dhunës së ushtruar ndaj saj.

SIT shpreh ngushëllime për familjen dhe për më të dashurit e saj dhe kërkon llogaridhënie nga institucionet publike për zbardhje të këtij rasit! Njëherësh, SIT avokon që siguria për vajzat dhe gratë dhe për të gjithë qytetarët të jetë në nivel, sidomos në këto kohë kur raste të tilla të keqtrajtimit dhe fataliteteve janë të shpeshta.

Ne kemi parë se shumë përfaqësues/e të medieve, shoqërisë civile, analistë/e dhe akterë të tjerë në shoqëri kanë reaguar dhe bëjmë thirrje që reagime të tilla të jenë të matura dhe gjithnjë duke mos nxitur gjuhë të urrejtjes dhe të mos e vështirësojnë situatën edhe më shumë, sidomos për vajzat dhe gratë. Reagime të cilat arsyetojnë femicidin janë të patolerueshme dhe nuk duhet t’u jepet hapësirë as nga mediet! Po ashtu, u bën thirrje të gjithëve se identiteti i viktimës duhet të ruhet medoemos!

Përpos kësaj, SIT tash e sa kohë avokon për parandalim të dhunës dhe dukurive të tjera negative, andaj i bën thirrje të gjitha institucioneve që sa më shpejtë të krijojnë mekanizma adekuat të cilat ndryshojnë sjelljet negative të të rinjve/rejave dhe bëhen pjesë obligative e edukimit formal.

SIT kërkon përgjegjësi nga të gjitha institucionet publike të cilat janë të ndërlidhura në çfardo lloj forme për këtë ngjarje. Po ashtu, kërkon përgjegjësi nga institucione të cilat duhet të ofrojnë mjete që të parandalohen veprime të tilla, nga drejtori të arsimit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Ngjarje të tilla, jo vetëm që nuk duhet tolerohet në asnjë lloj forme, por duhet të parandalohen përmes formave të ndryshme që ne si shoqëri civile ofrojmë dhe japim sygjerime tona në implementim të këtyre programeve parandaluese.

Fatalitete të tilla dhe dhuna, si dhuna seksuale, fizike, psikologjike apo lloj tjetër i dhunës, duhet të merret seriozisht menjëherë nga organet kompetente dhe të parandalohet dhe të eliminohet në mënyrë që shoqëria në përgjithësi të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme, pa dhunë dhe fenomene të tjera negative!

SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime

en_USEnglish