Punët e shpisë nuk kanë gjini!

Çështja e punës që bëhet në shtëpi ka kohë që nuk ka zënë vendin e merituar në diskursin publik rreth riprodhimit shoqëror. Shtëpia, që shpesh përmendet si sinonim i familjes – shtëpia si institucion shoqëror më shumë se sa si objekt banimi – edhe pse konsiderohet të jetë shtylla e organizimit shoqëror, ajo që ndodhë brenda shtëpisë ka tendencë të injorohet duke konsideruar që si pjesë e domenit privat nuk ka rëndësi për domenin publik. Në fakt, është pikërisht puna në hapësirën private ajo që edhe e mundëson zhvillimin e punës dhe jetës jashtë saj. Prandaj, është e rëndësishme që edhe diskutimi mbi këtë temë të zërë vendin e merituar dhe të nevojshëm në publik. 

Në përpjekje për të bërë një gjë të tillë, SIT gjatë kohës sa shumë prej nesh kemi qenë të mbyllur në shtëpi si pasojë e masave të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e COVID-19, kemi filluar fushatën të titulluar ‘Punët e shpisë nuk kanë gjini!’ si përpjekje për të problematizuar punën që bëhet në shtëpi nga një perspektivë gjinore, kjo sepse duke u bazur në përvojat tona por edhe në studimet nga kjo fushë, shohim që janë pikërisht normat, rolet dhe pritshmëritë gjinore ato që përcaktojnë se kush çfarë përgjegjësi ka brenda shtëpisë, rrjedhimisht se kujt i bie të bartë barrën kryesore për të tejkaluar këtë krizë globale që si asnjëherë më parë solli fokusin punën që bëhet në shtëpi dhe na ofroi mundësi për të rimenduar raportin mes privates dhe publikes. Kshtu që meqenëse fokusi në këto kohë binte kryesisht në punët në shtëpi të nevojshme për të siguruar mirëqenie të shoqërisë e që lidhen kryesisht me gatimin, pastrimin, përkujdesjen për të tjerët, si për fëmijët ashtu për të moshuarit, si kategori më e ndjeshme që kanë nevojë për përkujdesje. Këto punë në domenin publik kufizoheshin si punë esenciale, pra si të vetmet punë në fakt të nevojshme për të zhvilluar jetën në kohë krizash të tilla si kjo e shkaktuar nga pandemia. Kjo gjë poashtu na mundësoi të shohim se si ne punën esenciale për të siguruar mbijetesën dhe mirëqenen e shoqërisë sonë, e marrim si të mireqenë madje duke mos e llogaritur fare si punë kur kjo bëhet në shtëpi, aty ku kategorizimi i këtyre punëve si “punë të grave’ në shoqërinë tonë dhe shumë shoqëri tjera patriarkale, është kryekëput gjinor. Kështu, duke u përpjekur që këtë mendësi ta sfidojmë, të paktën tek gjeneratat e reja, me të cilat ne edhe punojmë më shumë, duke u prezantuar praktika të mira dhe duke i informuar mbi këtë çështje me rëndësi, u themi që “Punët e shpisë nuk kanë gjini” dhe që është koha që të rinjtë të sfidojnë mendësinë shtypëse patriarkale. 

Për të sjellur këtë temë në publik, fushatën e hapëm me një diskutim pikërisht me temën “Punët e shpisë nuk kanë gjini”, kjo me qëllimin që t’i prezantojmë, sidomos të rinjtë, me çështjet dhe konceptet kyqe që lidhen me punën në shtëpi dhe ndërlidhjen e tyre me normat gjinore. 

***

Kur flasim për punën në shtëpi, flasim për punët që bëhen në përditshmëri brenda shtëpisë për të siguruar mirëqenien e njerëzve që jetojnë në atë shtëpi. Nga ky definim përjashtojmë punën që bëhet në shtëpi me pagë; qoftë nga njerëz të angazhuar nga jashtë familjes, qoftë punë që mund të bëhet nga kompanitë e ndryshme, apo punën e njejtë me atë në shtëpi – siq është pastrimi, shërbimi, apo gatimi – por që bëhet jashtë shtëpisë dhe me pagesë. Por puna që bëhet në shtëpi, që zakonisht përfshinë gatimin, përkujdesjen, pastrimin, shërbimin, përpos që bëhet për të siguruar mirëqenien e individëve që jetojnë në atë bashkësi, është në të njejtën kohë një prej formave më të shpeshta ku shfaqet pabarazia dhe diskriminimi gjinor. Është pra pikërisht shtëpia dhe ndarja e përgjegjësive në mes të individëve në atë shtëpi që është thellësisht gjinore dhe që privilegjon disa dhe shtypë disa të tjerë. Përmes punëve të shtëpisë fillojmë të shohim pabarazinë gjinore prej të cilës pësojnë gratë në sferën private, e cila pastaj shumë shpesh reflektohet edhe në atë publike.

Normat, rolet, dhe pritshmëritë gjinore janë ato që formësojnë jetën e individëve të gjinive të ndryshme në kultura dhe kohë të ndryshme. Përmes këtyre normave përcaktohet se si individë të sekseve të ndryshme duhet të idenifikohen me gjini të caktuara dhe përcakton se cilat janë sjelljet e pranueshme apo të pritshme të këtyre gjinive. Përmes këtyre normave ndahen edhe punët që pritet se duhet të bëhen nga gjini të caktuara, si në sferën publike ashtu edhe në atë private. Për shkak që hapësirat publike që moti janë parë si hapësira që u takojnë burrave, dhe gratë janë identifikuar me sferën private, edhe puna që është bërë në këtë sferë ka mbetur si punë që duhet të bëhet nga gratë. Kurse burrat, edhe për shkak të normave të maskulinitetit, disa prej të cilave ne i quajmë norma toksike – për shkak që janë norma që përpos që janë të ndërtuara pikërisht mbi shtypjen e grave, në të njejtën kohë janë toksike edhe për vetë burrat. 

Për maskulinitetin toksik na flet më shumë edhe Kadri Gashi, i cili për më shumë se 10 vite tash punon me djemtë dhe burrat në ridefinimin e burrërisë, duke i sfiduar normat e maskulinitetit toksik dhe duke promovuar barazi gjinore. Kadriu thotë “Me faktin që të punuarit me djemt dhe burrat në sfidimin e pabarazive gjinore mund të ketë ndikim pozitiv në shëndetin dhe mirëqenien e vajzave dhe grave, po rritet edhe të kuptuarit se si idealet e ngurta të gjinisë dhe maskulinitetit mund të sjellin rreziqe specifike edhe tek djemt dhe burrat.” Disa prej këtyre rreziqeve, Kadriu thotë është edhe të kuptuarit e dominimit si një rrugë të drejtë të pushtetit, dhe pastaj presioni për të dominuar që mund të qoj edhe në përdorimin e dhunës dhe distancimin e djemve dhe të burrave nga çdo gjë që përcaktohet si feminine, e këtu hyjnë edhe tiparet më njerëzore siq janë ato të shfaqjes së emocioneve pozitive, përfshirjen në jetën familjare dukë përfshirë punën në shtëpi siq është përkujdesja për fëmijët, gatimi apo pastrimi, të cilat vazhdojnë që brenda shtëpive të shihen si punë që duhet të bëhen nga gratë. 

Për të kuptuar më mirë se çfarë të rinjtë mendojnë për punët e shtëpisë dhe rreth qëndrimeve të tyre për ndarjen gjinore të këtyre punëve, SIT përgjatë fushatës ka zhvilluar një pyetësor me të rinjtë. Në këtë pyetësor gjithsej kemi pasur 837 respodentë. Prej tyre 80.2% kanë qenë vajza/gra, 9% burra/djemë, dhe 0.8% të tjerë, në këtë kategori të cilën e kemi vendosur me qëllimin për të mos e kufizuar pyetësorin vetëm në ndarjen gjinore dikotomike grua/burrë, tek opcioni “tjetër” shumica e përgjigjeve kanë qenë të atilla që aludojnë në këtë ndarje, si djalë, vajzë, femër., mashkull, madje disa i janë përgjigjur pyetjes rreth gjinisë edhe me titujt “beqar/e” – edhe se qëllimi i pyetësorit nuk ishte në ekzaminimin e identiteteve gjinore, këto të dhëna na tregojnë për turbullirat që ekzistojnë në të kuptuarit e gjinisë si koncept dhe identitet. Kjo pastaj patjetër që mund të ndikojë edhe në mënyrën se si këta të rinjë do të mund të kuptonin edhe ndërlidhjen e identitetit gjinor dhe normave gjinore me pritshmëritë dhe rolet që lidhen me gjininë. 

Prej 837 respodentëve, 60.8% vinin nga zonat urban dhe 39.2% nga zonat rurale. 

Në këtë pyetësor, punët e shtëpisë janë ndarë në katër grupe kryesore: gatimi, pastrimi, shërbimi, dhe përkujdesja. Kjo është bërë me qëllimin që të mos krijojmë mospërputhje mes të kuptuarit të punëve të shtëpisë bazuar në atë se si të rinjtë mund t’i definojnë këto punë. Kështu, edhe pse shumica e të rinjve mendojnë se si gratë ashtu edhe burrat duhet të gatuajnë – 91.8% prej tyre; pastrojnë në shtëpi – 89.9%; dhe të kujdesen për fëmijët – 97.6%, megjithatë shumica e tyre, 94.1% mendojnë se janë gratë ato të cilat sipas normave shoqërore që kemi në Kosovë, shihen si adekuate për të gatuar, pastruar, dhe shërbyer. 

Të dhënat e dalura nga pyetësori dëshmojnë që të rinjtë janë të pajtimit që hendeku gjinor në punët e shtëpisë nuk duhet të ekzistojë, dhe që ndarja e punëve të shtëpisë mes grave dhe burrave do të kontribonte në harmoninë familjare – 88.6% e respodentëve u pajtuan se ndarja e punëve në shtëpi do të krijonte harmoni më të mire në mes të anëtarëve të familjes. 

Këta të rinj njëkohësisht janë të vetëdijshëm që jetojnë në një shoqëri ku normat shoqërore e gjinore akoma mirëmbajnë një sistem në të cilin mirëmbahet pabarazia gjinore. 76.6% e të rinjve nuk pajtohen aspak që burrat nuk kanë aftësi të angazhohen në shërbim, pastrim, gatim, a përkujdesje për fëmijët, sidoqoftë, 46.7% e tyre mendojnë që burrat hezitojnë të angazhohen në punët në shtëpi për shkak të presionit të shoqërisë dhe rrethit. 

Madje 88.6% e të rinjve mendojnë që gratë dhe burrat duhet të angazhohen njejtë në punët në shtëpi, dhe 86.7% e tyre mendojnë se burrat dhe djemtë duhet në angazhohen në pastrim, gatim, dhe përkujdesje gjithsesi, sidoqoftë vetëm 17% e respondentëve janë të mendimit që djemtë dhe burrat angazhohen në këto punë në mënyrë të barabartë me vajzat dhe grate; 41.1% e tyre nuk pajtohen aspak se angazhimi është i barabartë mes djemve e burrave dhe vajzav e grave. 

Sidoqoftë, përkundër shumica u pajtuan se punët në shtëpi duhet ndarë, një pjesë e mire e tyre – 28.9% deklaruan megjithatë që gratë janë ato që do të duhej të qëndronin në shtëpi, duke ndërprerë punën jashtë shtëpisë për t’u përkujdesur për shtëpi dhe fëmijët, dhe vetëm 2.6% ishin të mendimit se burrat duhet bërë një gjë të tillë. 27.5% e tyre ishin të mendimit që grate duhet të kujdesen për shtëpinë dhe fëmijët edhe kur ato punojnë jashtë shtëpisë, 17.9% të mendimit se grate kanë më shumë aftësi të angazhohen në shërbim, pastrim, gratim, e përkujdesje për fëmijët. Kjo ndoshta edhe si rezultat i mendimit të 36.4% të tyre, që gratë kanë prirje natyrore për t’u kujdesur ndaj të tjerëve. 

Nga kjo vërejmë që të rinjtë përkundër që duket se e dinë rëndësinë e ndarjes së punëve në shtëpi dhe janë të mendimit se djemt dhe burrat duhet të angazhohen në këto punë – duke u deklaruar se një gjë e tillë nuk po ndodh në shoqërinë tone – ata vazhdojnë të përballen me besime të përbrendësuara në lidhje me rolet gjinore, sidomos kur flasim për atë se si gratë mund të shihen si më të prirura dhe të mbahen më përgjegjëse rreth ketyre punëve si rezultat i normave gjinore të mësuara që krijojnë raport shtypës mes grave dhe sferës private në përgjithësi, sidomos shtëpinë dhe dhe familjen, dhe në të njejtën kohë u mohon burrave një raport të shëndetshme me këtë sferë. 

Megjithatë, puna me të rinjtë në sfidimin e këtyre normave gjinore shtypëse që krijojnë pabarazi të tilla duke filluar që nga familja dhe në atë që ndodh në shtëpi e pastaj duke u përcjellë e njejta edhe në sferën publike, ka dëshmuar që ndryshimi për të mire mund të ndodh. Sidomos në një vend si Kosova, me një popullësi kaq të re dhe të gatshme për të sfiduar norma dhe për të krijuar një jetë më të barabartë. Por për të arritrur këtë, neve na mbetet të vazhdojmë të edukojmë të rinjtë për rëndësine e sfidimit të këtyre normave shtypëse dhe përfitimet e barazisë gjinore për të gjithë shoqërinë. Të mendimit se mënyra më e mirë për të arritur ndarjen e barabartë të përgjegjësive në punët në shtëpi është duke i edukuar të rinjt për rëndësine e ndarjes së këtye përgjegjësive – 90.9% të respondentëve ishin të këtij mendimi. Dhe kjo është pikërisht çfarë ne do të vazhdojmë të bëjmë; të punojmë në edukimin dhe përfshirjen e të rinjve në ndryshimet pozitive që me patjetër duhet të ndodhin në shoqërinë tonë. Kurse tani për tani u themi edhe një herë që punët e shpise nuk kanë gjini! 

Ky artikull është shkruar nga Mirishahe Syla në kuadër të nismës “Aksione në komunitet për të promovuar lejen prindërore” në kuadër të projektit “Dialog social për drejtësi shoqërore” që implementohet nga Demokraci për zhvillim [Democracy for Development (D4D)], financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme International Center dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze.

en_USEnglish