Personat me aftësi të kufizuara, sfidat dhe integrimi i tyre si studentë në Universitetin e Prishtinës

Unik Ukshini është student i muzikës në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës (UP). Sfidat e tij përgjatë studimeve dallojnë me ato që studentët tjerë mund t’i kenë për shkak që Uniku është i verbër. Ai tregon se gjatë studimeve është ballafaquar me mungesë të literaturës në sistemin Brielle dhe se në UP nuk ka aspak literaturë të përshtatshme për këtë kategori të personave me aftësi të kufizuara. 

Pavarësisht kësaj, ai thotë se ndihma prej kolegëve të fakultetit nuk i ka munguar. 

“Kolegët më kanë ndihmuar në përcjellje deri në fakultet duke e bërë edhe më të lehtë për familjen. Përpos kësaj m’i kanë diktuar mësimet, notat muzikore dhe pentagramet ndërsa unë i kam shkruar në laptop ose telefon për ta pasur më lehtë që t’i lexoj dhe mësoj ato më vonë,” thotë Uniku. 

Të njejtin rast e ka edhe D.S., një vajzë 27 vjeçare dhe poashtu e verbër, e cila ka përfunduar studimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Departamentin e Psikologjisë. Ajo tregon se kur ka qenë studente ka hasur në vështirësi në qasje në fakultet dhe ishte pothuajse e pamundur pa një person të dytë. Gjithashtu i ka munguar edhe literatura e përshtatshme për këtë kategori. Për më tepër ajo ka edhe raste personale kur ka hasur në diskriminim dhe lënie pas dore të kësaj kategorie.

Kam kërkuar nga stafi udhëheqës i fakultetit që të sigurojë një asistent që t’i nënshtrohem provimit pranues, mirëpo në ditën e provimit e kam parë që nuk është siguruar asistenti përkatës,” thotë ajo.

Por asaj, fatmirësisht, nuk i ka munguar ndihma nga kolegët, e sidomos prej një pjese të tyre që kanë qenë shumë të mirë me të duke e ndihmuar për leximin e literaturës saqë pa ndihmën e tyre do të ishte shumë e vështirë, madje edhe i pamundur përfundimi i studimeve.

L.B., 25 vjeçar dhe me vështirësi në të ecur, është student i juridikut në Universitetin e Prishtinës. Ky tregon se e ka marrë me shumë qejf punën e studimeve, mirëpo çdo ditë përballet me mungesa si pasojë e infrastrukturës së fakultetit e cila nuk është aspak e përshtatshme. 

Ai bashkë me kolegë të tjerë të fakultetit disa herë kanë bërë ankesa për përmirësimin e gjendjes.

“Kemi bërë kërkesa për përmirësimin e gjendjes, i kemi evidentuar problemet apo rastet ku duhej intervenuar për përmirësimin e infrastrukturës dhe çështje të tjera. Kërkesat janë dorëzuar në rektorat si dhe në disa njësi akademike të UP-së, duke u takuar me dekanët e atyre fakulteteve,” shtoi ai.

Sipas tij, disa prej kërkesave edhe u janë pranuar dhe problemet janë zgjidhur, mirëpo ka edhe aspekte të tjera që kanë hasur në vesh të shurdhër, por ata nuk do të ndalen deri në realizimin e tyre. Mungesa të tilla vërehen qysh në hyrje të dy prej fakulteteve, Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore ku mungojnë pjerrina për ata persona që përdorin karroca. 

Megjithatë, në janar të vitit 2020 është ndërtuar një pjerrinë në rektoratin e universitetit për t’ua bërë atyre sa më të lehtë qasjen.

Foto: Fondacioni Handicap Students of Kosova

Mungesë ka edhe në sinjalistikë për të verbërit, tualet të qasshëm për ta dhe në materiale tjera të domosdosshme studimi për pjesën tjetër të këtij komuniteti.

Megjithatë, për studentët e dalluar të këtij komuniteti ndahen bursa vjetore. Ata janë poashtu të liruar nga pagesa semestrale. 

Durim Gashi, menaxher i projekteve në HANDIKOS, thotë se kushtet e personave me aftësi të kufizuara nuk janë plotësisht të siguruara dhe se Universiteti i Prishtinës duhet t’i përmbushë të gjitha nevojat e studentëve të tyre pa dallime, ngase edukimi është e drejtë e çdo njeriu.

Aftësia e kufizuara është spektër i gjerë dhe individual, si rezultat nevojat specifike për studentë me aftësi të kufizuara mund të jenë nevoja të cilat variojnë, gjithsesi UP nuk qëndron mirë në përmbushjen e tyre. Çështja qëndron te nevojat bazike (si rëndësia e qasjes në objekt) ku si rrjedhojë për shumë studentë meaftësi të kufizuara është e pamundur qasja në to”, thotë ai.

Ndër të tjera Gashi pohon se njeh shumë raste të personave me nevoja të veçanta që njëherë kanë qenë studentë në Universitetin e Prishtinës, mirëpo i kanë ndërprerë studimet ngase çdo ditë hasnin në vështirësi të mëdha në këtë universitet, vështirësi këto që lidhen me individë të ndryshëm të këtij komuniteti.

Ligji për arsimin e lartë në Kosovë, Neni 31, paragrafi 4.3 konstaton se studentët mbrohen nga çdo lloj diskriminimi, ligj ky të cilit nuk i përmbahen plotësisht.

Sipas L.B, përfaqësues i Fondacionit “Handicap Students of Kosova,” dhe njëherit student në Universitetin e Prishtinës, personat me nevoja të veçanta duhet të kenë asistentë profesionalë brenda fakultetit, e drejtë kjo e garantuar me ligje ndërkombëtare, mirëpo në Kosovë kjo kërkesë ende nuk u mirret parasysh. 

“Nevojat e personave me nevoja të veçanta në Kosovë janë të shumta, sidomos në fushën e arsimit dhe edukimit. Në të shumtën e rasteve ato nuk mirren parasysh, sidomos në përmirësimin e qasjes dhe rregullimin e infrastrukturës brenda institucioneve arsimore, e cila përbën shkelje bazë të të drejtave të kësaj kategorie.”  

Edhe ata tregojnë se ka raste që studentët i kanë ndërprerë studimet për shumë arsye, ndër të tjera edhe si pasojë e diskriminimit nga profesorët përkatës. 

Universiteti i Prishtinës nuk posedon statistika të sakta rreth numrit të përgjithshëm të studentëve me nevoja të veçanta që aktualisht vijojnë studimet në këtë universitet, megjithatë ata posedojnë statistikat e studentëve të regjistruar në tre vitet e fundit akademike të cilat tregojnë se numri i të regjistruarve është shumë i vogël.

Viti akademik i regjistrimitNumri i studentëve
2017-20184
2018-20192
2019-20201

Burimi: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”

Sipas këtyre të dhënave, vërehet se vetëm një përqindje shumë e vogël e tyre janë regjistruar në këtë universitet viteve të fundit, ku gjatë vitit akademik 2017-2018 janë regjistruar gjithsej 4 studentë, në periudhën 2018-2019 janë 2 studentë, dhe në vitin e fundit akademik 2019-2020 është regjistruar vetëm një student me nevoja të veçanta. 

Ndërsa burime nga “Shoqata e të verbërve të Kosovës” tregojnë se janë aktualisht 20 studentë që po studiojnë në Universitetin e Prishtinës dhe në universitete private, ndërsa 30 prej tyre i kanë përfunduar studimet. 

Janë këto e shumë probleme të tjera që i kanë detyruar disa studentë të heqin dorë nga studimet, disa të drejtohen drejt universiteteve private, e vetëm një pjesë e vogël e tyre i kanë çuar studimet deri në fund pavarësisht vështirësive të mëdha që kanë hasur.

Kjo ka bërë që kërkesat e këtyre studentëve të mos ndalen, duke kërkuar në përmbushje të plotë të nevojave për studime në Universitetin e Prishtinës. 

Mbi autorin:  Rexhep Kameraj është pjesëmarrës në programin “Gazetaria Transformuese” që është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ dhe që implementohet nga SIT dhe KosovaLive.

en_USEnglish