PANDEMIA – PENGESË SHTESË NË SHËNDETIN SEKSUAL DHE RIPRODHUES TË VAJZAVE DHE GRAVE

Ligji për shëndetin riprodhues e njeh të drejtën për t’u riprodhuar si të drejtë fundamentale të personave, të cilat/ët në mënyrë të lirshme vendosin për t’u riprodhuar. Ky ligj, përveç njohjes së kësaj të drejte përcakton edhe obligimet shtetërore për garantimin e saj për të gjitha/e qytetaret/ët. Megjithatë, jetësimi i tij për të gjitha/ë është sfidë për shkak të politikave të dobëta shtetërore në eliminimin e barrierave strukturore që vajzat dhe gratë, sidomos të grupeve më të ndjeshme shoqërore, i hasin për ta gëzuar këtë të drejtë. E gjithë kjo, është bërë edhe më problematike që me përhapjen e pandemisë Covid-19, duke e cënuar skajshmërisht shëndetin seksual dhe riprodhues (ShSR), kryesisht për shkak të pa-aftësisë institucionale për ta trajtuar atë me prioritet. 

Kriza në shëndetin publik e krijuar me përhapjen e Covid-19, ka rezultuar fatale për shumë dimensione të organizimit të jetës publike dhe private, duke e ndikuar skajshmërisht qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore. Me ri-organizimin e punës së institucioneve publike shëndetësore, shëndeti seksual dhe ai riprodhues në Kosovë janë lënë në rend të dytë. Që nga mbyllja totale me 13 mars 2020 e tutje, institucionet shëndetësore e kanë kategorizuar shëndetin seksual dhe atë riprodhues si shërbime jo-esenciale, duke ofruar kështu vetëm një numër të reduktuar të shërbimeve. Respektivisht, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe Qendrat e tjera klinike publike kanë ofruar shërbime në lindje dhe komplikime serioze në shëndetin seksual. Kjo e ka pezulluar ofrimin e shërbimeve të aborteve të padëshiruara dhe shërbimeve të tjera në shëndetin seksual. Zarife Miftari, Analiste e Programit për Shëndet Riprodhues dhe Rini në Zyren e UNFPA në Kosovë e konfirmon mbingarkesën e sistemit shëndetësor dhe përgjatë kësaj periudhe dhe për vështirësitë në ofrimin e këtyre shërbimeve. Tutje, ajo thekson se “UNFPA ka kontribuar në përkrahjen e sistemit shëndetësor për ofrimin e shërbimeve të ShSR gjatë pandemisë, përmes donacioneve të paisjeve mbrojtëse për profesionistët shëndetësor si dhe pasijeve bazike mjekësore, ofrimin e udhëzuesve për ofrimin e kujdesit para, gjatë dhe pas lindjes në kushte pandemie, edukim dhe promovim shëndetësor për respektimin e masave anti-COVID-19 dhe ekspertizë teknike.” 

Në rastin e abortit, e gjithë kjo situatë, i ka vendosur vajzat dhe gratë para dy opsioneve: klinikat private apo rrugët e pasigurta. Sipas një hulumtimi nga Preportr vetëm 5 klinika gjinekologjike private janë të licencuara për të ofruar shërbimet e abortit dhe ato janë të shtrenjta dhe vështirë të përballueshme për pjesën dërrmuese të vajzave dhe grave. Kjo e rritë probabilitetin që vajzat dhe gratë ose të kryejnë abort në klinika të palicencuara ose përmes pilulave dhe rrugëve tjera të pasigurta që mund të jenë fatale për to. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aborti i pasigurtë është njëri prej shkaktarëve kryesor të vdekjes së vajzave dhe grave, duke vrarë të paktën 22,800 gra dhe vajza në vit dhe duke dëmtuar shëndetin e milionave. Ndërsa, sipas vlerësimit të bërë nga Marie Stopes International, kufizimi i qasjes në shërbime dhe injorimi i shëndetit seksual dhe riprodhues do të rezultojë në 1.5 milion aborte të pasigurta, 900,000 shtatzëni të paplanifikuaradhe më shumë se 3000 vdekje të vajzave dhe grave në nivel global. 

Deri tani, nuk ka të dhëna të empirike lidhur me implikimet e sakta që pandemia ka pasur në shëndetin seksual dhe riprodhues të vajzave dhe grave në Kosovë, sidoqoftë vlerësimet e para tregojnë që problemet janë shfaqur në disa nivele: 

Në nivel institucional: Në nivel të politikave, institucionet kanë dështuar të ndërmarrin masa për të ofruar shërbime, duke e kategorizuar shëndetin seksual dhe atë riprodhues si jo-esencial, duke vendosur hierarki të të drejtave të njeriut dhe duke mos ofruar informacione të sakta dhe të qasshme për të gjitha/ë lidhur me shërbimet në dispozicion. Mbingarkesat e mëdha në sistemin e brishtë shëndetësor të Kosovës nga njëra anë dhe mungesa e përfshirjes së politikave të ndjeshme gjinore nga ana tjetër, e kanë vështirësojnë edhe më tej situatën. Sidomos gjatë periudhës së mbylljes totale kur edhe transporti publik ka qenë i ndaluar, për vajzat dhe gratë ka qenë e vështirë për të siguruar shërbime dhe medikamente kontraceptivët emergjent, qasje në kohë për abort, kujdesin pas abortit apo/dhe kontrollat rutinore gjatë shatëzanisë, kontrollat për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, testimet për HIV dhe këshillimi për shëndetin seksual. 

Në nivel socio-ekonomik: Kjo situatë ka shpërfaqur disa probleme strukturore të natyrës ekonomike dhe shoqërore të cilat janë injoruar krejtësisht nga institucionet publike. Siç është treguar qartazi, grupet e ndjeshme shoqërore janë prekur më së shumti nga situata e krijuar me pandeminë. Tek vajzat dhe gratë, kjo situatë manifestohet dukshëm më ashpër kur dihet statusi ekonomik, shoqëror dhe politik që ato gëzojnë.   Mungesa e ofrimit të shërbimeve të abortit është problematike kur merret parasysh niveli i varfërisë vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara, vajzat dhe gratë rome, ashkalike dhe egjiptase, vajzat dhe gratë e zonave rurale. Gjithashtu varësia ekonomike, rritja e barrës së punëve të kujdesit në familje, sidomos gjatë mbylljes totale mars-maj, e ka rënduar edhe më shumë mundësinë e vajzave dhe grave për të marrë shërbime. 

Vajzat dhe gratë egjiptase, rome dhe ashkalike vështirë kanë qasje në shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues. Kjo për shkak të racizmit të institucionalizuar i cili i stigmatizon vajzat dhe gratë e këtyre komuniteteve edhe në kushtet jo-pandemike. Për vajzat dhe gratë e komuniteteve pakicë, paragjykimet dhe stereotipet shoqërore për to ua vështirësojnë edhe më tej qasjen në këto shërbime. Në anën tjetër, vetëdija mbi shëndetin seksual dhe riprodhues tek vajzat dhe gratë rome, ashkalike dhe egjiptase mbetet në nivele të ulëta, si pasojë e neglizhimit institucional dhe nivelit të ulët të edukimit ndër to. Tutje, këto komunitete konsiderohet të kenë qenë ndër grupet më të goditura nga pandemia, duke e pasur parasysh jo-aktivitetin e lartë ekonomik të tyre. Si pasojë, vajzat dhe gratë nga këto komunitete kanë predispozitë të goditen edhe më tej nga ky ri-organizim institucional duke e dëmtuar edhe më tej shëndetin e tyre. 

Ndërsa për vajzat dhe gratë e zonave rurale, problemet mund të shfaqen ndryshe. Qendrat dhe ordinancat klinike janë të përqendruara në qendrat urbane, duke i bërë ato vështirë të qasshme në kohë për këto gra. Më tej, vështirësitë e natyrës ekonomike dhe mungesa e informacioneve të duhura lidhur me shëndetin riprodhues e rëndon edhe më tej barrën e tyre. Gjithashtu, prioritizimi i nevojave përgjatë kësaj periudhe, tek këto gra, sikundër tek vajzat dhe gratë tjera e zhvendosë vëmendjen tek problemet tjera, duke e lënë shëndetin e vajzave dhe grave nën hije edhe në këto kushte. 

Një tjetër kategori e ndjeshme e vajzave dhe grave, janë vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara. Një hulumtim i bërë nga UNFPA në vitin 2019 tregon se marrja e shërbimeve mbi shëndetin seksual dhe riprodhues për vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara mbeten në nivele të ulëta. Të dhënat tregojnë që rreth 82.8% të tyre nuk kanë vizituar kurrë një qendër të mjekësisë familjare për t’u konsultuar në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues. Për to, mirëmbajtja e shëndetit seksual dhe riprodhues bëhet edhe më i vështirë, kur merret parasysh varësia që këto vajza dhe gra e kanë në persona të dytë. Përveç aktivitetit të ulët ekonomik të këtyre vajzave dhe grave, diskriminimi institucional që iu bëhet atyre dhe vështirësitë e shumëta që i hasin e bëjnë edhe më problematike dhe më vështirë të arritshme. Në këto kushte, situata e tyre veç sa rëndohet përderisa nuk ka pasur masa, alternativa lehtësuese dhe informim të drejtë për këto vajza dhe gra. 

Sfidë shtesë për vajzat dhe gratë gjatë kësaj periudhë është edhe rritja e dhunës me bazë gjinore që vajzat dhe gratë e kanë përjetuar. Përgjatë vitit të kaluar, prej shpalljes së pandemisë është evidentuar një rritje prej 30% të dhunës, gjë që e bënë shëndetin seksual dhe riprodhues edhe më shqetësues. Sipas studimeve të krizave të mëhershme humanitare dhe shëndetësore, rritja e dhunës me bazë gjinore ka lidhje të drejtë me rritjen e dhunës seksuale tek to. Për rrjedhojë, rreziku që të rritet dhunimi seksual gjatë kësaj periudhe, paraqet rrezik edhe në rritjen e numrit të shtatëzanive të padëshiruara. Sipas raporteve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë çdo e treta grua që përjeton dhunë seksuale, përdhunohet nga partneri intim. Ndërsa rrethanat e jashtme të krijuara, kufizimet e skajshme në ofrimin e shërbimeve të shëndetit riprodhues, sidomos gjatë periudhës së izolimit veç sa mund ta rëndojnë situatën. 

E drejta në informim 

Sipas ligjit për shëndetin riprodhues në Kosovë “çdo individi pavarësisht nga përkatësia gjinore, ideologjike, religjioze apo kulturore i garantohet e drejta në informim dhe edukim lidhur me shëndetin seksual e riprodhues, përgjatë gjithë ciklit jetësor të saj/tij.” Megjithatë, institucionet publike qëndrore dhe shëndetësore nuk kanë ndërmarrë ndonjë kampanjë informuese mbi shërbimet që ofrohen gjatë kësaj periudhe në shëndetin seksual dhe atë riprodhues. Përkundër kësaj, fushata është koncentruar në nivel të organizatave joqeveritare dhe entiteteve tjera joshtetërore, duke e bërë atë vështirë të shtrirë për të gjitha vajzat dhe gratë, duke i dëmtuar edhe më tutje ato. 

Si përfundim, përderisa institucionet publike shëndetësore nuk ofrojnë ndonjë alternativë efektive dhe të qasshme për të gjitha vajzat dhe gratë edhe përgjatë pandemisë, atyre vazhdon t’iu mohohet e drejta e garantuar me ligj. Mungesa e përfshirjes së perspektivës feministe nga institucionet në ndërmarrjen e masave, është duke krijuar kushte që e rëndojnë edhe më tej shëndetin e vajzave dhe grave i cili mund të shndërrohet në problem edhe më të madh për vajzat dhe gratë nëse vazhdon të injorohet. Në kushtet në të cilat gjendemi, institucionet duhet t’i qasen secilit grup të ndjeshëm të vajzave dhe grave karshi specifikave dhe nevojave të tyre që dëmet të jenë më të lehta për vajzat dhe gratë e të gjitha grupeve shoqërore dhe ekonomike.

Ky artikull është shkruar nga Liridona Sijarina në kuadër të aktivitetit për shënimin e Ditës Zero Diskriminim nga SIT. SIT është pjesë e Koalicionit K10 i cili mbështetet nga UNFPA zyra në Kosovë. Pikëpamjet e paraqitura në këtë shkrim jo domosdoshmërisht paraqesin pikëpamjet e UNFPA-së, Kombeve të Bashkuara ose ndonjë organizate të lidhur me të.

Liridona Sijarina kreu studimet e tezës Bachelor në Departamentin e Shkencave Politike të Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ishte pjesë edhe e programit të shkëmbimit mes UP-së dhe Universitetit të Tartusë mbi studimet e konflikteve. Sjarina ishte gjithashtu pjesë e programit “Forcimi dhe mbështetja e shoqërisë civile për të adresuar së bashku sfidat e integrimit në Evropë – mbi shembujt e Kroacisë, Gjermanisë, dhe Kosovës” në vitin 2017.
 
Ajo tani është Menaxhere e Projektit në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) kurse më përpara punoi si konsulente hulumtuese në Rrjetin e Grupit të Grave të Kosoves dhe si udhëheqëse e hulumtimit në organizatën ETEA. Sjarina është zë aktiv edhe i shoqërisë civile tash e sa vite.

en_USEnglish