Malishevë: Niveli i punësimit për personat me aftësi të kufizuara në institucionet publike “rritet”
Sipas Konventës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, personat me aftësi të kufizuara janë “Individët me dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore aftagjata të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë.”
“Çdo punëdhënës është i obliguar
të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë
(50) punëtor.” – thotë Neni 12, pika 2 e LIGJIT Nr.03/L-019 PËR AFTËSIMIN, RIAFTËSIMIN
PROFESIONAL DHE PUNËSIMIN E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA
Por, ky ligj nuk po gjen zbatimin e duhur në praktikë dhe kjo është potencuar shumë herë në raporte dhe statistika të agjensive dhe organizatave të ndryshme si Handikos dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile ndër të tjera.
Në hulumtimin e realizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), thuhet se: “Ndonëse nuk ka statistika të sakta, në Kosovë, llogaritet se jetojnë rreth 150 mijë persona me aftësi të kufizuara. Ata janë grupi më i diskriminuar i shoqërisë. Këtyre personave u mohohen të drejtat më elementare, përfshirë edhe të drejtën në punësim. Bazuar në kornizën ligjore në Kosovë, së paku çdo i pesëdhjeti i punësuar duhet të jetë person me aftësi të kufizuara, ose 2% e të punësuarve në ndërmarrje. Sipas të gjeturave të hulumtimit, përveç në Trafikun Urban, ku kuota e personave me aftësi të kufizuara është 2%. Në ndërmarrjet tjera, kuota sillet rreth 0.5%.”. Të dhënat e lartcekura nuk paraqesin ndonjë pasqyrë e cila tregon përfaqësimin gjinor nga kjo kategori.
Që ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara nuk zbatohet dhe nuk ka penalizime për ata që shkelin mbi të e kishte thënë në vitin 2017 edhe Megjit Foniqi, kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës.
“Deri më sot asnjë institucion qoftë publik apo privat nuk është penalizuar ose dënuar për moszbatimin e ligjit. Ndonëse nuk i përmbushin as për së afërmi kriteret. Ligji në fjalë përcakton penalizim për ata që nuk e bëjnë punësimin e personave me aftësi të kufizuara”, kishte thënë Foniqi për Radio Evropa e Lirë.
Cili do të ishte roli i shtetit në trajtimin e drejtë dhe të merituar të personave me aftësi të kufizuara?
Në Komunën e Malishevës mund të shihen disa nuanca të përpjekjeve nga ana e institucioneve publike për një trajtim të barabartë të personave me nevoja të veçanta në aspektin e angazhimit dhe punësimit të tyre. Aty mund të shihet një numër, edhe pse shumë i vogël, i personave me nevoja të veçanta të punësuar në administratën publike si dhe një bashkëpunim i ngushtë me organizatën joqeveritare ‘HANDIKOS’.
‘HANDIKOS’ është e vetmja organizatë në Kosovë e cila merret me paisjen me mjete ortopedike, sanitare dhe higjenike për personat me [1] [2] aftësi të kufizuara. Kjo organizatë ka për qëllim të merret me rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara, edukimin dhe aftësimin profesional, punësimin e tyre e të tjera.
Feride Hoxha, drejtoreshë e organizatës joqeveritare ‘Handikos’, shprehet se në Komunën e Malishevës nuk mungon interesimi dhe ndihma për trajtim adekuat të kësaj kategorie nga ana e institucioneve publike.
“Trajtimi i PAK (personat me aftësi të kufizuara) në komunën tonë është pothuajse trajtim i barabartë me të gjithë qytetarët që jetojnë në këtë komunë. Organizata jonë është organizatë joqeveritare dhe pothuajse në tërësi varet dhe funksionon nga donacionet. Ne formulojmë projekte të ndryshme në përkrahje të kësaj kategorie dhe i dergojmë në komunë për të kërkuar mbështetjen e tyre.”thotë Znj. Hoxha. Ajo më tutje shton se në Komunën e Malishevës janë mbi 600 persona me aftësi të kufizuara, por që nuk posedon ndonjë statistikë mbi numrin e të punësuarve në institucionet publike që vijnë nga kjo kategori.
“Obligim i yni si OJQ është të avokojmë dhe të lobojmë për të drejtat e personave me nevoja te veqanta dhe këtë e bëjnë edhe në institucionet komunale dhe kjo ka pasur siukses pasi që ka një numër të konsiderueshëm që punojnë nëpër instituacionet komunale. Kemi edhe dy përdorues të karrocës që punojnë në komunën tonë. Për momentin nuk kemi ndonjë statistikë zyrtare mbi numrin e të punësuarëve në institucionet publike nga kjo kategori pasi bashkëpunimi me zyrën e punësimit në Malishevë nuk është në nivelin e duhur. Numri i personave me aftësi të kufizuara në komunën tonë arrin diku mbi 600 persona, pa i numëruar ata që kanë demtime në të parit dhe të dëgjuarit që i përkasin organizatës tjetër. Organizata jonë ka për qëllim që të ngris vetëdijen e institucioneve dhe të bashkepunoj për të plotësuar kërkesat që dalin nga ligji i punës ku çdo i 50-ti punëtor me ligj duhet të jetë person me aftesi të kufizuara.”, përfundoi ajo.
HANDIKOS ka shprehur shqetësimin në lidhje me punësimin e PAK në institucionet publike në nivel të Kosovës në mbledhjen e fundvitit 2019.
Përkushtimin dhe gadishmërinë për t’iu dalur në ndihmë me projekte të veçanta dhe me ide stimuluese personave me aftësi të kufizuara e ka shprehur edhe kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj.
Ai ka pohuar se komuna që ai drejton, vazhdimisht përkrah projekte të ndryshme që prekin këtë kategori të shoqërisë nga organizatat joqeveritare si dhe numëron disa të punësuar në institucionet publike në Komunën e Malishevës.
“Numri i të punësuarve në administratën komunale është, një -në administratën e QKMF-së, në Malishevë, poashtu një i punësuar me aftësi të kufizuara.”
Tutje, Kryetari i Komunës shtoi se ai përmes programeve të veçanta i ka punësuar për vitin 2019 – të, edhe tre persona me aftësi të kufizuara dhe me këtë program parashihet që të vazhdohet edhe për këtë vit.
“Nga ana tjetër qytetarët janë shumë të kënaqur me shërbimet e ofruara nga personat me aftësi të kufizuara.”[3] [4] , përfundoi ai.

Ragip Begaj – Kryetar i Komunës së Malishevës
Arben Krasniqi nga fshati Tërpezë i Komunës së Malishevës është njëri nga personat me aftësi të kufizuara i cili ka përfituar nga kjo qasje e organeve komunale dhe i cili ka punuar për dy vite e gjysëm në administratën komunale. Siç thotë Arbeni, ai ka punuar në arkë në komunë dhe është i kënaqur me trajtimin që ka pasur aty dhe punën që e ka kryer.
“Unë kam punuar për dy vite e gjysmë në komunë. Fillimisht kam qenë pjesë e punës në administrate, por më pastaj jam transferuar tek arka pasi aty ishte më e lehtë dhe më e përshtatshme që të punoj. Me të vërtetë kam kaluar shumë mire aty gjatë gjithë kësaj kohe. Trajtimi ka qenë tepër i mire si nga kryetari, nënkryetari, kolegët e punës dhe të gjithë të tjerët. Nga qytetarët gjithmonë kemi pranuar komplimente të ndryshme dhe ishin pikërisht ata që na kanë motivuar për të të punuar me fjalët e tyre të mira.”, shprehet Arbeni.
“Tani nuk jam duke punuar sepse ligji i ri i pagave nuk lejon që të ketë punëtorë me kontrata mbi vepër, por kryetari Begaj më ka premtuar se do të gjejë një zgjidhje që unë dhe të tjerët të jemi edhe më tutje të punësuar aty ku kemi qenë.” thotë Arbeni.
Por, ndryshe nga Arbeni, një përvojë të tillë nuk e ka pasur Egzon Bytyqi nga fshati Kërvasari i Komunës së Malishevës. Ai nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë në ndonjë projekt ose vend punë të ofruara nga komuna. Egzoni, i cili ka pengesa në të folur dhe në të dëgjuar tregon se atij nuk i është ofruar asnjë mundësi deri më tani.

Foto: Egzon Bytyçi – person me nevoja të veçanta
“Asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në ndonjë projekt ose në ndonjë vend pune në komunë. Nuk kam qenë as i informuar rreth kësaj qështje se çfarë duhet të bëj, si të aplikoj apo si shkon procedura. Megjithatë unë shpresoj dhe pres që në të ardhmen edhe unë të kem trajtimin e duhur sikur të tjerët nga komuna dhe nga shteti.”, tha ai.
Edhe qytetarëve u ka rënë në sy prania e personave me aftësi të kufizuara të angazhuar në institucionet publike. Madje, ka prej tyre që thonë se ndihen krenar kur shohin që Komuna e Malishevës dhe organet e saj kujdesen në veqanti për këtë kategori.
“Shumë jam ndier mirë kur kam parë që në administratë ka punonjës me aftësi të kufizuara që kryejnë punë në shërbim të qytetarëve. Shumë vepër e mirë dhe kështu duhet të vazhdohet edhe më tutje.” deklaroi Jetmir Telaku nga fshati Banjë i Malishevës.
“Absolutisht që është diçka fantastike. Shumë mirë që kryetari u ka dhënë mundësi për të punuar këtu. Vetëm se unë mendoj se ata duhet të kenë dikë afër që në raste të caktuara të asistohen për të kryer punën me efikasitet në të mirë të qytetarëve.”, thotë Fatjona Berisha.
Edhe Rifat Bytyqi, një tjetër qytetar nga Malisheva, shprehet i kënaqur me punën e personave me aftësi të kufizuara në institucionet publike.
“Kam pasur rastin të marr një shërbim në komunë që më është kryer nga një person me aftësi të vecanta. Nëse nuk gaboj e kishte emrin Patriot. Jam shumë i lumtur kur shoh që shteti përkujdeset për ata dhe duhet t’a bëj në vazhdimësi madje edhe me më shumë përkushtim.”, tha ai.
Ndërkohë në zyrën për punësim në Malishevë deklarojnë se ata nuk kanë ndonjë statistikë në lidhje me numrin e personave me aftësi të kufizuara të punësuar në Komunën e Malishevës.

Foto: Objekti i Komunës së Malishevës
Përkujdesja, ri-aftësimi, mbrojtja përfshirja dhe punësimi i personave me aftësi të kufizuara sigurohet dhe mbrohet edhe me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, më saktësisht me LIGJIN Nr. 03/L-019 PËR AFTËSIMIN, RIAFTËSIMIN PROFESIONAL DHE PUNËSIMIN E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA
Sa i përket statistikave, Kuvendi i Kosovës del të jetë njëri nga institucionet e vetme që respektojnë ligjin e punësimit për personat me aftësi të kufizuara. Sipas të dhënave që i ka siguruar Kosovo2.0, nga 183 punonjës, Kuvendi ka të punësuar shtatë me aftësi të kufizuara.

Megjithëse vërehet se në Komunën e Malishevës ka një angazhim sa do i vogël që është mbi respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara sa i përket punësimit të tyre në institucionet publike, gjendja aktuale lë shumë për të dëshiruar kur dihet se numri i personave me aftësi të kufizuara është shumë i madh (mbi 600, sipas të dhënave të HANDIKOS). Po ashtu shqetësues mbetet fakti që këtu nuk i është kushtuar rëndësi përfaqësimit gjinor. Pra, përveq respektimit të ligjit për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës, gjatë këtij procesi duhet të merret parasysh edhe perspektiva gjinore dhe të ketë pjesëmarrje të barabartë.

Mbi autorin: Albert Bytyçi është pjesëmarrës në programin “Gazetaria Transformuese” që është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.