“Kuota” ende shihet si nevojë e garanci e barazisë gjinore në skenën politike

Partitë politike janë struktura njeërëzish që shërbejnë për të plotësuar kërkesat e qytetarëve. Por sa ato plotësojnë dhe mbrojnë kërkesat brenda partiake[1] [2]  është një problem me të cilin shpesh përballen.

Partitë politike sipas Nenit 14 të Kapitullit II të Ligjit për Barazi Gjinore të Republikës se Kosovës obligohen të zbatojnë masat për promovimin e burrave dhe grave në organet dhe trupat e partisë (Gazeta Zyrtare RK.) Partitë politike janë strukturat e vetme që u mundësojnë grave pjesëmarrjen në politikë dhe në proceset vendimmarrëse dhe udhëheqese.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk kanë pasur gra si kryetare apo udhëheqese të partisë.

Kosova ka një zonë zgjedhore dhe ka përfaqësim proporcional – lista e hapur me votim të një subjekti partiak dhe deri në 5 kandidatë. Sistemi proporcional nënkupton që partitë i listojnë kandidatët e subjektit dhe i publikojnë emrat për publikun.

Në zgjedhjet e mbajtura me 23 tetor 2004, kishin dalë 53.57% e pjesëmarrësve, kur LDK kishte dalë partia e parë e përcjellur nga PDK që ishte partia e dytë dhe AKK ishte e treta. KQZ 

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte 42 deputetë, 12 prej të cilëve ishin gra përfaqësuese të popullit në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike kishte gjithsej 30 deputetë nga ata 10 gra ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në mesin e 9 deputetëve kishte vetëm 2 gra. (Republika e Kosovës – Kuvendi). Atëbotë,  nga gjithsej 120 deputetë, 38 ishin gra.

Ende nuk kishin kaluar 3 vite të plota të qeverisë së fundit, vendi kishte shpallur zgjedhjet me 17 nëntor 2007. Me dallim nga zgjedhjet e vitit 2004 përqindja e pjesëmarrësve kishte rënë për 13.48%. Në këto zgjedhje kishin dalur pra vetëm 40.09%. Nga këto zgjedhje PDK ja kishte zënë vendin e parë para LDK – së, e AKR-ja doli para AKK – së. Partia Demokratike e Kosovës nga 37 deputetë kishte 12 gra deputete, Lidhja Demokratike e Kosovës nga 25 kishte 8 gra deputete, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte 3 deputete nga 10 gjithsej dhe Aleanca Kosova e Re nga 13 deputetë kishte 3 gra deputete. Nga gjithësej 120 deputet në Kuvendin e Kosovës ishin vetëm 37 gra deputete.

Zgjedhjet 2007 – KQZ

Në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përfaqësohej  me vetëm tri gra deputete, Partia Demokratike e Kosovës kishte dymbëdhjetë gra deputete dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kishte tetë gra deputete.

Politika në vend që nga mbarimi i luftës nuk ishte dhe nuk tregon një stabilitet sa i përket qeverive dhe kohëzgjatjeve të mandateve. I shpallur shtet i pavarur dhe demokrat në vitin 2008, demokracia në vend ende mposhtet nga korrupsioni dhe nepotizmi.

Në zgjedhjet e vitit 2017 pjesëmarrja në zgjedhje kishte ra me një përqindje prej 41.3%. Koalicioni i ashtuquajtur PAN nga PDK, AAK dhe Nisma për Kosovën bashkarisht edhe me 9 parti tjera me të vogla kishin marrë gjithsej 33.74% të votave. LVV qe kthyer fuqishëm duke marrë 27.49%  ndërsa LDK 25.53% të votave.

Koalicioni PAN me gjithsej 39 deputetë kishte vetëm 12 gra në Kuvendin e Kosovës, LVV dhe LDK si dy partitë më të mëdha opozitare kishin nga 9 gra prej gjithsej sa kishin ulse në Kuvend. Qeveria e vitit 2017 me Kryeministër Ramush Haradinaj nuk solli një barazi gjinore sepse në kabinetin e tij ai nuk kishte asnjë grua në dëtyrë të zv. Kryeministrit.  Vetëm dy ministri udhëheqëshin nga gratë: Ministra e Integrimeve Evropiane nga Dhurata Hoxha dhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor nga Albena Rashitaj.

Në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit të vititi të kaluar, për dallim nga ajo e parafundit pjesëmarrja është rritur në 44.56% dhe solli ndryshime në politikën vendore. Opozita u bë pozitë dhe partitë pozitare që ishin për shumë vite me rradhë u ulën në ulëset opozitare. Nga këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar besimin e një pjese të madhe të qytetarëve kosovar dhe me 26.27% të votave mori kryesimin e Qeverisë bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës që kishte 24.54%. PDK mori vetëm 21.23%, përqindje gjë që pas 12 vitesh e la në opozitë bashkë me AAK–në që në koalicion me Partinë Sosicaldemokrate, arriti vetëm 11.51%. të votave.

Lëvizja Vetëvendosje me 29 vende të fitura në Kuvend kishte 10 gra deputete, LDK kishte 9 gra deputete nga gjithsej 28, PDK kishte 8 gra nga 24 deputetë ndërsa koalicioni AAK–PSD në mesin e 13 deputetëve kishte vetëm 4 gra. Dhe në këtë përbërje të Kuvendit nga 120 deputetë ishin vetëm 39 gra përfaqësuese të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por, Qeveria Kurti për dallim nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga Ramush Haradinaj që kishte gjithësej 21 ministri, Qeveria Kurti kishte vetëm 15, e 5 ministri udhëheqeshin nga gratë.

Lista e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e vitit 2019 ishte me e kompletuar sa i përket përmbushjes së kuotës për 30%. Partitë kishin 110 kandidatë për deputet: VV kishte 33 gra kandidate, LDK – 32, nga PDK për deputet garonin gjithsej 31 gra, ndërsa nga koalicioni  AAK–PSD kishte madje 34 kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës.

Zgjedhjet 2019 – KQZ

Konsiderohet se Republika e Kosovës e ka të mirëstrukturuar Ligjin për Barazi Gjinore, por që kërkon shumë vullnet dhe punë për ta respektuar dhe praktikuar ashtu siç është shkruar.

Ky ligj garanton barazi gjinore pesëdhjetë-me-pesëdhjetë përqind në mes grave dhe burrave në çdo institucion dhe çdo vend ku kërkohet ndarja e punës së përbashkët. Në nenin 6 të Ligjit për Barazi Gjinore theksohen “masat e vaçanta” që nënkuptojnë se institucionet marrin masa të veçanta për realizimin e barazisë gjinore. Një prej këtyre masave është “kuota”. Kuota prej 30% në Republikën e Kosovës në praktikë nuk është edhe gjithaq e kënaqshme.

Barazia gjinore ka qenë dhe mbetet një prej problemeve dhe preokopimeve të mëdha brenda strukturave të partive politike dhe përfaqësueshmërisë në Kuvendin e Kosovës. Vetëm në zgjedhjet e vitit 2019 partitë politike kanë përmbushur dhe kanë tejkaluar kuotën gjinore prej 30%. 

Faik Zekaj, asambleist në Komunën e Pejës nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe njëherit kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit thekson se LDK në zgjedhjet e fundit ka përmbushur kuotën prej 30%.

“Unë mendoj që duhet krijuar kushte me të mira që pjesëmarrja të jetë pa kuotë, sigurisht do të kemi më shumë konkurrencë dhe kualitet”, përgjigjet ai në pyetjen nëse kuota si kusht sjell pabarazi gjinore.

Valdete Idrizi, deputete në Kuvendin e Kosovës dhe njëherit anëtare në Komisionin Parlamentar për Barazi Gjinore nga Partia Demokratike e Kosovës thotë se në parim është kundër çdo kuote për gruan apo këdo.

“Në zgjedhjet e fundit është respektuar kuota prej 30% dhe PDK në zgjedhjet e brendshme ka përparime sa i përket barazisë apo pjesëmarrjës së gruas në vendimmarrje, marrë parasysh se shumë gra në struktura janë votuar edhe me vota të fshehura. Por, në parim jam kundër çdo kuote për gruan apo këdo, por fatkeqësisht akoma na duhet kuota për të arritur deri të barazia e duhur 50%, ashtu edhe siç jemi si gjini, gjysma e popullatës”.

Sipas Teuta Haxhiut, deputete në Kuvendin e Kosovës, partia e saj Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës  ka tejkaluar kuotën prej 30% në listat zgjedhore të vitit 2019.

“Ligji për barazi gjinore në Republikën e Kosovës është ligji më i miri në rajon por që duhet bërë përpjekje dhe punë të vazhdueshme për të shtyer atë në funksionim të plotë. Por tani për tani duhet të vazhdojmë ende me kuotë edhe pse në ligjislatura të ndryshme ka pasur gra deputete që kanë hyrë me vota dhe jo më kuotë. Kuota duhet të hiqet atëherë kur ligji për zgjedhje të jetë në harmoni me ligjin për barazi gjinore. Përderisa çdo e dyta në listë është grua atëherë nuk kemi nevoj të kemi kuotë”, thotë ajo

Vetëvendosje në listën zgjedhore të 6 tetorit pati 34 gra kandidate që do të thotë se tejkaloi kuotën prej 30%.

Yllza Hoti, deputete në Kuvendin e Kosovës nga LVV tha se dhjetë deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje ishin votuar me vota të mjaftueshme dhe kishin zënë ulëset paralmentare pa ndihmën e kuotës.

Ajo konsideron se kuota gjinore është më se e nevojshme në Kosovë dhe në cilindo shtet tjetër ku barazia gjinore nuk është arritur plotësisht.

“Si në shumë vende tjera të botës, as në Kosovë nuk ekziston barazi gjinore reale (pavarësisht ligjit për barazi gjinore) prandaj duhet të përdoren mekanizma të tillë (si kuota) deri sa të ndryshojë mënyra se si shihen rolet e gruas dhe burrit në shoqëri. Në një shoqëri patriarkale, zakonisht gratë duhet të punojnë dyfish më shumë se burrat për të arritur në të njëjtin nivel suksesi, prandaj vendosja e kuotës gjinore ndihmon që gratë t’i kapërcejnë këto barriera shoqërore që lidhen me paragjykimet e rolit të gruas dhe të burrit në një shoqëri”, thotë ajo.

Përveç kuotës që duhet respektuar për partitë politike është e paraparë që të kenë edhe forumin e gruas.

“Si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje! vepron Sekretariati i Gruas Aktiviste, i cili ka për qëllim fuqizimin e grave dhe angazhimin më të madh të tyre në role vendimmarrëse. Përveç kësaj, Sekretariati i Gruas Aktiviste si pjesë e Lëvizjes synon të rrisë pjesëmarrjen politike të grave në Kosovë duke u ofruar hapësirë diskutimi për çështje të rëndësishme që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme”, thotë deputetja Hoti

Partia Demokratike ka forumin e gruas, por që sipas Valdete Idrizi, janë në proces zgjedhor të Gruas Demokratike, e Lidhja Demokratike e Kosovës pohon se ka forumin e gruas shumë aktiv.

Për dallim nga partitë tjera politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më nuk e ka forumin e gruas.

“Me ndryshimin e statusit të partisë që është mbajtur është vendosur të hiqet me qëllimin e përfaqësimit të barabartë brenda strukturave të partisë. Si dhe në çdo gjë që kërkohet pjesëmarrja e gruas kalon edhe përqindjen prej 30% të kuotës”, thotë Teuta Haxhiu e AAK-së

Duke u bazuar në statistikat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i pjesëmarrësve në zgjedhje ishte me i lartë para pavarësisë së vendit. Asnjë qeveri nuk e ka mbajtur mandatin e plotë e inatet politike në mes liderëve rezultojnë edhe me një moskulturë demokratike. Disa konsiderojne se kjo mungesë e bashkëpunimit dhe rritja e vetëdijes së elektoratit bëri që dy nga partitë me të mëdha PDK dhe LDK të ndëshkohën nga qytetarët.

Nga ana tjetër, partitë politike edhe pse përballën me diskriminim dhe pabarazi gjinore brenda strukturave partiake dhe në shoqëri, nuk kanë ndonjë program për luftimin e pabarazisë dhe sjelljes se  një fryme të re në mesin tonë.

Ndonëse “barazia gjinore” gjithnjë është një prej temave që përmenden gjatë fushatave zgjedhore, kjo rregullish bëhet vetëm në terma përfaqësimore.

Përfshirja e grave në politikë dhe në proceset vendimmarrëse dhe udhëheqese mbetet e pakënaqshme, ndërkohë që edhe kur arrijnë të zgjidhen si përfaqësuese të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Kuvend, gratë jo rrallë përballen edhe me gjuhë fyese, madje edhe banale nga kolegët deputetë.

 Alketa Rrahmani

Për autoren

Alketa Rrahmani është pjesëmarrëse në programin “Gazetaria Transformuese” që është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.


en_USEnglish