Jeta e “dyfishtë” e “qëndrimit në dollap” nga moskuptimi/mospranimi

Sa herë të përmendet komuniteti LGBT dihet që do të krijohet një debat brenda një grupi personash, ku të gjithë akuzojnë njëri-tjetrin për gjëra të ndryshme lidhur me opinionet e tyre.

20 vjeçarja K.L për KosovaLive dhe SIT thotë se kishte qenë me grupin e saj të shoqërise gjatë shkollës së mesme kur kishin filluar të flisnin për komunitetin LGBTQ+., në kohën kur thotë se sapo kishte filluar ta pranonte faktin se ishte lezbike.

“Unë fillova t’i mbrojë të drejtat e personave LGBTQ+, njëkohësisht edhe të drejtat e mia kur e vërejta se shumica e shoqërise sime ishin kundër. Kundërshtimi i tyre më bëri të ndihem shumë vetëm dhe kjo gjë krijoi homofobi të brendshme në mua” rrëfen ajo.

Në atë situtë ishte turpëruar nga vetja por gjithçka kishte ndryshuar kur i kishte takuar njerëz të tjerë që ishin përkrahës, dhe kjo e kishte bërë të ndihet shumë e lumtur, dhe kishte dalur publikisht me persona të caktuar si lezbike. 

“Por, përkrahja me një anë nuk largoi mospërkrahjen në anën tjetër. Frika ime më e madhe është dhe akoma qëndron se mos shoqëria tjetër e imja e kupton për seksualitetin tim dhe ju tregon prindërve të mi. Dhe atëherë ka shansa që ata do më dëbojnë mua, dhe ja pse jeta ime është ‘e dyfishtë’”, thotë K.L. duke shtuar se këtë jetë të dyfishtë e kalojnë shumë persona të tjerë të komunitetit LGBTQ+, “gjë që i’u pengon atyre të jenë vetëvetja.”

Në një anketë jopretendencioze të bërë nga KosovaLive për personat e komunitetit LGBT, në pyetjen e parë 85.7% persona janë shprehur përkrahës të këtyre komuniteteve ndërsa 14.3% deklaruan se nuk janë. Është indikative se  88.6% të të anketuarve deklaruar se do të ishin përkrahës nëse një i afërm i tyre do të ishte pjesë e këtij komuniteti.

F. E, një burrë i moshës 35 vjeçare tregon historinë e tij se si, qysh si fëmijë, kishte vërejtur se i kishin pëlqyer djemtë.

“…Por me rritje e kam parë vetën dhe njerëzit rreth meje se si përbuzin personat e komunitetit LGBT dhe e kam marrë përsipër të martohem dhe të jem ‘normal’… Por nuk është që martesa ka krijuar një ndalim ndaj seksualitetit tim, dhe kështu kam dalluar që kurrë nuk mund t’a ndryshojë vetëveten dhe se si atrakcioni im do jetë pjesë e imja.”

Ndonjëherë shkaku i “qëndrimit në dollap nga frika”, arsyeja pse ata nuk tregojnë për seksualitetin e tyre janë edhe prindërit, të cilët janë rritur në periudha më të ndryshme dhe ende nuk e kanë kuptuar konceptin e të pasurit një fëmijë i cili i përket komunitetit LGBTQI+.

Një 22 vjeçare, e cila nuk ka dashur ta tregojë as inicialet por as vendin se nga është thotë se qysh si e vogël e kishte vërejtur se ishte e interesuar për vajza; “simpatia” e saj kishte qenë Adelina Ismajli.

“Përvoja e parë me një vajzë ka qenë gjatë shkollës së mesme, aty e kam ndjerë veten të plotësuar. Kur ju kam treguar shoqërisë për seksualitetin tim ata e kanë marrë si një gjë normale. Sa për familje këtë gjë e dijnë vetëm motra dhe vëllau. Nuk kam guxim t’iu tregojë prindërve dhe vetëm mendimi që mundem t’i humbas ata më frikëson.”

Ajo gjithsesi nuk është e vetmja që ka pasur përvoja të këtilla me rrethin e saj si pjesë e komunitetit LGBTQI+.

Një statistikë e vitit 2017 kishte nxjerrë Kosovën si vendin më homofob në rajon, ndonëse duhet përmendur që po atë vit u mbajt parada e parë e krenarisë në Kosovë. Parada “Në emër të dashnisë”, sic u raportua atëbotë, u përcoll me muzikë, fjalime dhe me valëvitjen e flamurave të ylbertë në sheshin “Nënë Tereza” përkundër  ngacmimeve, sulmeve dhe kërcënimeve që i morën aktivistët e komunitetit LGBTQI+ online.

Kam menduar se jam i vetëm sepse kurrë nuk kam pasur dikënd të më sipërfaqësoj. Nuk kam ditë se ka njerëz si unë që nuk janë të ndrojur të tregojnë se kush janë, njerëz si unë të lumtur dhe që gëzojnë guxim të dalin krah botës dhe të tregojnë se ekzistojnë. Parada e parë më dha atë qetësim.  Kur e pashë Prishtinën time të mbuluar me dashuri dhe ngjyra e pashë që nuk jam i vetëm”, thotë D.G. 19 vjeç për KosovaLive dhe SIT.

Aktualisht është edhe një faqe tjetër online për komunitetin LGBTQI+ në Kosovë ku jepen shumë lloj informacionesh si për historinë e komunitetit ashtu edhe për pop kulturën e sotshme. Faqja Dylberizm është shndërruar edhe një hapësirë për mbrojtjen e pjesëtarëve të komunitetit duke u dhënë atyre platformë ku mund të tregojnë historitë e tyre.

Mbi autoren: Eli Vula, është nxënëse në shkollën e mesme “Nexhmedin Nixha”. Ajo ka qenë pjesë e oranizatave të ndryshme dhe kryesisht ishte e angazhuar për punë sociale, gjithashtu, ka qenë edhe kryetare e “Klubit për karrierë”. Ajo ka qenë pjesë e grupit të dytë në programin “Gazetaria Transformuese” në KosovaLive dhe SIT. Eli, mendon që në të ardhmen të merret me gazetari, dhe prej tash ka filluar angazhimin e saj në trajnime dhe praktika që kanë të bëjnë me gazetarinë.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. 

en_USEnglish