Integrimi i grave të komuniteteve pakicë në pozitat vendimmarrëse në Qeverinë e Republikës së Kosovës

Njëmbëdhjetë gra kishin pozita vendimmarrëse në Qeverinë Haradinaj, nga gjithsejt  njëzet e dy ministritë e këtij ekzekutivi deri në vitin 2019. Kurse të dhënat që tregojnë se sa prej këtyre grave kanë qenë pjesëtare të komuniteteve pakicë mungojnë.

Ndërkaq, nga pesëmbëdhjetë ministritë e Qeverisë Kurti, 30% prej tyre udhëhiqen nga gratë, dhe vetëm Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal udhëhiqet nga Emilija Redžepi , e cila është pjesë e komunitetit boshnjak, përfaqësuese e Partisë të Re Demokratike. Por  edhe për këtë legjislaturë qeverisëse mungojnë të dhëna të tjera për pozitat e grave të komuniteteve pakicë në Qeveri.

Raportet e publikuara deri më sot nga Instituti GAP dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) bëjnë një përgjithësim të numrit të grave të punësuara në Qeverinë e Kosovës duke mos specifikuar se sa nga të punësuarat janë nga komunitetet pakicë.

Në raportin statistikor të Institutit GAP për vitin 2019 “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në Kosovë”, tregohet se deri në ditën e dorëheqjes së qeverisë Haradinaj, vetëm 10% e posteve drejtuese; ministra, zv.ministra, dhe sekretarë të përgjithshëm udhëhiqeshin nga gratë. Por, përmbajtja e këtij hulumtimi nuk tregon se sa prej grave të punësuara në pozitat e larta udhëheqëse u takojnë komuniteteve pakicë.

Ndërkaq sipas hulumtimeve të bëra nga QKSGJ në vitin 2016, vetëm 40.6% e të punësuarve në Qeverinë e Kosovës kanë qenë gra. Studimi “Gratë në pozita të larta vendimmarëse në sektorin politik dhe parti politike”  vlerëson se ka pasur një rënie në pozitat vendimmarrëse të udhëhequra nga gratë përgjatë viteve 2014 – 2016. Nga 6.7.% e grave që mbanin pozita të rëndësishme vendimmarrëse në vitin 2014, në vitin 2016 kjo përqindje ka pësuar një rënie prej 4.90%.

Megjithatë edhe në këtë studim sikurse tek hulumtimi i Institutit GAP, ekziston një mos përfillje për gratë e komuniteteve pakicë pasi që ato përgjithësohen me numrin e përgjithshëm të grave të punësuara në pozitat vendimmarrëse në qeveri.

Por, këto dy organizata joqeveritare nuk janë të vetmet që u mungojnë statistikat specifike për numrin e grave të komuniteteve pakicë që punojnë në Qeverinë e Kosovës. Edhe në faqen zyrtare të Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGJ) ka mungesa të hulumtimeve mbi atë se sa përqind e të punësuarave në Qeveri janë gra pjesëtare të komuniteteve pakicë. Në fakt, ka vetëm përgjithësime të numrit të grave që punojnë në qeveri. Kjo dëshmohet edhe në hulumtimin “Pjesëmarrja, roli dhe pozita e grave në institucionet qendrore, lokale, dhe në partitë politike në Kosovë” të publikuar në vitin 2014.

Një shpërfillje e tillë është bërë edhe nga ana e Rrjetit të Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK). Në faqen zyrtare të RROGRAEK nuk ka të dhëna për pozitën që kanë gratë e këtyre komuniteteve brenda qeverisë.

Luljeta Demolli, drejoreshë në QKSGJ ka theksuar faktin se ekzistojnë dallime edhe në mesin e komuniteteve, duke përjashtuar në këtë rast edhe gjininë. Sipas saj, ndër komunitetet më të inkurajuara dhe me më së shumti përftime është komuniteti serb. Kurse mosintegrimin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas ajo e konsideron si mospërkujdesje të shtetit.

“Nëse është menduar që të inkurajohet punësimi i minoriteteve, atë inkurajim e kanë përfituar më tepër komuniteti serb, ngase Ministria e Kthimit dhe e Komuniteteve është ministri që çdoherë është udhëhequr nga serbët. Ndërsa komunitetet tjera nuk e kanë arsmimimin e duhur ose përgaditjen për t’u inkuadruar në administratë, jo me fajin e tyre. Shteti i Kosovës nuk ka kthyer kokën asnjëherë nga këto komunitete sepse kuotën e kanë mbushur me serbë ndërsa romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit kanë mbetur shumë prapa”, thotë Demolli.

Kurse Koordinatorja e Projekteve në Rrjetin e Grave të Kosovës (RRGK), Adelina Tërshani ka thënë se gratë e gupeve etnike pakicë përballen me diskriminim në punë, gjë për të cilën nuk raportojnë tek organet e drejtësisë si pasojë e mosbesimit ndaj tyre.

Intervistat me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që punojnë me grupet etnike që jetojnë në Kosovë, kanë treguar që pjesëtarët e grupeve etnike pakicë, sidomos gratë, përballen me diskriminimin në punë. Atyre rrallë herë u jepen pozita vendimmarrjeje. Sidoqoftë, shumë persona këto raste të diskriminimit ndaj tyre i ndajnë vetëm me shoqëri ose me organizata që punojnë për të drejtat e tyre, por hezitojnë që t’i raportojnë tek organet e drejtësisë për shkak të mungesës së besimit ndaj këtyre institucioneve”, ka pohuar Tërshani.

Koordinatorja e Zyrës për Qeverisje të Mirë,  Sadete Demaj-Kajtazi, ka treguar se nuk kanë të dhëna për diskrimiminim e grave të komuniteteve pakicë. Sipas saj kjo zyrë tashmë është në përfundimin e dy hulumtimeve.

Nuk kemi të dhëna, raportime, për diskriminim e grave të komunitetit pakicë gjatë procesit për aplikim në ndonjë pozitë pune në Qeverinë e Kosovës. Mirëpo, si Zyrë për Qeverisje të Mirë, jemi në proces të përfundimit të dy hulumtimeve, njëri u dedikohet Perceptimeve të shërbyesve civilë lidhur me diskriminimin në vendin e punës ose në tregun e punës në Kosovë; si dhe hulumtimi tjetër u dedikohet Perceptimeve të qytetarëve lidhur me diskriminimin në vendin e punës ose në tregun e punës në Kosovë”, e mandej do ta kemi një pasqyrë më të qartë lidhur me këtë çështje”, ka bërë të ditur Kajtazi.

Sipas Kajtazit edhe pse nuk ka raportime për procesin e aplikimit dhe pranimit në punë nga ana e komuniteteve pakicë në Qeverinë e Kosovës, një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet.

Zyrtari për Komunikim dhe qasje në Dokumente Publike në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP), Petrit Çollaku në pyetjet se e ka pasur deri më sot diksriminime të raportuara në baza etnike në këtë institucion, si dhe a ekzistojnë diskriminime brendave komuniteteve ne Qeverinë e Kosovës, ka treguar se nuk kanë të dhëna për këto çështje.

“Nuk kemi ndonjë statistikë apo informacion pasi që IAP nuk ka ndonjë rast të regjistruar sipas natyrës së çështjeve që keni parashtruar”, thotë Çollaku.

Tërshani, nga RrGK ka shtuar se përkatësia etnike është e mbrojtur nga kushtetuta dhe se askujt nuk duhet t’i mohohet e drejta e punësimit.

“Përkatësia etnike është bazë e mbrojtur nga ligjet në Kosovë, prandaj konsideroj që askujt nuk duhet ti mohohet e drejta për një vend pune, qoftë ajo edhe pozitë vendimmarrëse”, ka thënë ajo. 

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës të gjitha gjinitë kanë të drejta të barabarta sa i përket pjesëmarrjes në jetën politike, ekonomike, por dhe në fusha të tjera. Ligji për Barazi Gjinore në nenin 6 pikën 8 specifikon se duhet të ketë një përfaqësim minimal prej 50% për secilën gjini në organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Ndërkaq në Ligjin për Mbrojtjen dhe Promovimin e të drejtave të Komuniteteve neni 9 pika 9.5 përcakton punësimin e komuniteteve në ndërrmarjet publike.

”Personat që u përkasin komuniteteve kanë të drejtë në përfaqësim të barabartë në punësim në të gjitha nivelet në ndërmarrjet publike, institucionet publike, përfshirë sektorin e sigurisë, gjyqësorin, shërbimin e prokurorisë, agjencitë qeveritare që kanë të bëjnë me administrimin e drejtësisë dhe shërbimet korrektuese, mbrojtjen, sigurinë dhe inteligjencën.”, thuhet në Kushtetutë.

Edhe pse tashmë ekzistojnë ligje për punësimin e grave dhe të komuniteteve në institucionet publike, si dhe një përfaqësim i vogël i tyre në qeverinë e Kosovës, trajtimi i kësaj çështje ka qenë dhe vazhdon të mbetet nën hije si nga ana e institucioneve ashtu dhe nga ana e organizatave joqeveritare. Kjo mospërfillje është fakt që tregon një diskriminim të dyfishtë që u bëhet grave pjesëtare të komuniteteve pakicë.

Mbi autoren: Suada Qorraj është pjesëmarrëse në programin “Gazetaria Transformuese” që është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.

en_USEnglish