Edhe burrat kanë gjini

Në hierarkinë gjinore, statusi i tjetrit i takon gruas. Meqenëse kjo hierarki pasqyron të kuptuarit e gjinisë në shoqërinë tonë brenda binarëve burrë/grua, përbrenda këtyre binarëve kemi krjuar norma dhe role gjinore të cilat e vendosin një kategori (gjini) më lartë në hierarki se sa tjetrën, rrjedhimisht krijojmë kushtet që njëra kategori të dominoj tjetrën. Si rezultat, ne kemi krijuar norma sociale dhe kulturore të të jetuarit që bazohen në dominimin e grave nga burrat. Kështu, burrat, si dominuesit brenda kësaj hierarkie tjetërsojnë gruan dhe çdo gjë që lidhet me identitetin e tyre, sidomos vetë kategorinë kryesore të kesaj ndarjeje, gjininë. Prandaj, kur flasim për gjininë, si kategori e identitetit që qon në shtypje të disave dhe privilegjim të të tjerëve, kemi tendenca të barazojmë çështjen e gjinisë në përgjithësi me gratë në veçanti. Ky diskurs mbi gjininë, u krijon burrave mundësinë që të mbesin të padukshëm për gjininë e tyre, apo thënë më mirë, ndihmon në të kupturait e identitetit të tyre gjinor si norma. 

Të qenurit burrë paraqet standardin me të cilin gratë dhe grupet tjera të tjetërsuara krahasohen dhe kuptohen në varësi të këtij standardi. Meqenëse të qenurit burrë konsiderohet të jetë norma, dhe jo tjetra, atëherë edhe normat kulturore dhe sociale qe lidhen me burrat konsiderohen të jenë normat e shoqërise në përgjithësi. Mënyra se si flasim për gjininë, fokusohet në problematizimin e çështjes së gruas në raport me burrin, gjë që na shërben mirë për të kuptuar burimin e shtypjes që ndodhë për shkak të pozitës së ulët të gruas në krahasim me burrin në shoqerinë tonë, mirëpo ky diskutim nuk ndihmon në problematizimin e gjinisë si çështje që prek edhe burrat. Në këtë mënyrë e tjetërsojmë gruan dhe e normalizojmë pozitën e burrit brenda hierarkisë dhe e paraqesim gjininë e tij si të padukshme; gjë që i mundëson atyre dominimin e të tjerëve të dukshëm dhe të tjetërsuar. Kështu, në shoqërinë tonë patriarkale për shkak të padukshmërisë së gjinisë së burrave, e kemi akoma më të vështirë të shohim mënyrat e ndryshme se si burrat përfitojnë dhe privilegjohen nga ky sistem pikërisht për shkak të gjinisë së tyre, pikërisht sepse janë burra. 

Gratë shihen si ato që kanë gjini, si të tjerat në raport me burrat. E njejta ndodhë me identitetet tjera gjinore. Në të njejtën mënyrë se si i tjetërsojmë gratë në krahasim me burrat brenda një sistemi binar, në po të njejtën mënyrë i tjetërsojmë gjinitë e tjera dhe identitetet tjera në krahasim me ato dominueset. Në po këtë mënyrë ne flasim mbi kulturën heteroseksuale në krahasim me homoseksualitetin. Duke e tjetërsuar homoseksualitetin ne e konsiderojmë heteroseksualitetin si të padukshmen dhe si normë, prandaj çdo gjë tjetër diskutohen në krahasim me normën në këtë rast. I njejti diskutim bëhet kur flasim për gjininë, duke e menduar që çështjet që lidhen me gjininë i prekin vetëm gratë, sepse është gjinia a tyre arsyeja që ato shtypen. 

Për gjininë flasim vetëm kur flasim për gratë.

Duke e menduar se është pikërisht gjinia arsyeja e shtypjes së grave, dhe arsyeja se pse nuk kemi më shumë gra të përfaqësuara në jetën publike, jo se ato nuk janë të përgatitura ose se nuk e meritojnë, por thjeshtë sepse janë gra, si mund të themi që dikush nuk duhet të përkrahet vetëm se është grua, kur kjo bëhet gjatë tërë kohës për burrat. Burrat votohen dhe përkrahen pikërisht sepse janë burra! Sidoqoftë, për shkak të padukshmërisë së privilegjeve që ata kanë për shkak të gjinisë së tyre, kjo çështje bëhet e padukshme. Burrat, jo që janë më të përgaditur apo më të kualifikuar për të qenë pjesë e vendimmarrjes, por burrat mbijetojnë, përforcohen, dhe votohen në një shoqëri ku të qenurit burrë shihet si norma. Ata votohen në një shoqëri ku pritshmëritë ndaj tyre nuk lidhen medoemos me qështjen e gjinisë, kjo bëhet vetëm kur në tavolinë kemi edhe gra. Atëherë, kur gratë janë prezente flitet edhe për gjininë, sepse gratë përfaqësojnë atë çfarë edhe është problematike, vetë gjininë. 

Në një vend ku për herë të parë kemi një kandidate grua për një pozitë të lartë vendimmarrëse, është tregues i mirë se sa mbrapa jemi me përfqësimin e grave në përgjithësi në politikë. Këtë e dëshmojnë edhe listat e publikuara tashmë të subjekteve/koalicioneve politike në garën zgjedhore në Kosovë. Në ato lista, gratë assesi nuk përbëjnë më shumë se 30% të listës, gjë për të cilën partitë janë të obliguara. Sikur të mos ekzistonte kjo kuotë, me siguri numri do të ishte edhe më i ulët. Madje, edhe pse në këto lista është përmbushë kuota gjinore prej 30% e cila është e paraparë me Ligjin Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ato nuk e respektojnë Ligjin Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore ku parashihet që “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive, gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”. 

Në vendin tonë ku gratë nuk kanë fuqi vendimmarrëse pikërisht sepse janë gra, të thuhet të mos votohet për një grua vetëm për shkak të identitetit të saj gjinor, është po aq shtypëse për pjesën më të madhe të shoqërisë, për gratë, se vetë fakti që këto gra nuk votohen dhe shtypen në forma të tjera pikërisht sepse janë gra.

Gruaja duhet t’i ketë të gjitha ose asgjë. 

Një grua në garë, qoftë nivel nacional, komunal, qoftë edhe në këshillet e fshatrave ku përfaqësimi i grave është pothuajse pasqyrim i përfaqësimit të grave në nivel nacional, duhet t’i ketë të githa ose nuk do të ketë asgjë. Një grua nuk ka hapësirë për gabime, gjë të cilën burrat e kanë, një grua mbahet në standarded e shenjtëruara për gratë, që i paraqet gratë si të pagabueshme, si epitome të vlerave njerëzore dhe morale, duke krijuar kështu pritshmëri jo reale e madje jo njerëzore. Kjo krijon mundësi që gratë të shtypen tutje kur ato nuk i plotësojnë këto pritshmëri platonike. Vendet dhe mundësitë për burrat nuk janë të kufizuara dhe të mbikqyrura si të grave, prandaj gratë duhet të jenë shumë të kujdesshme sepse hapësira që u lejohet është shumë e vogël, dhe mundësia për gabim akoma më e vogël. Gratë përbëjnë gjysmën e popullësisë në vendin tonë, por atyre u mundësohet një përfaqësim prej tre vendesh prej dhjetë sa janë të lira, shtatë prej tyre i kanë burrat, pikërisht sepse janë burra.

I gjithë ky diskutim nuk është diçka e re, i njejti përsëritet në çdo instancë ku gratë kërkojnë të përfaqësohen, por meqenëse kësaj here gara është më e centralizuar edhe diskutimi është më i centralizuar dhe më i dukshëm. Ky diskutim nuk bëhet vetëm për një grua apo vetëm në një nivel, por për të gjitha gratë dhe të gjitha nivelet. Janë pikërisht këto narrativa që krijojnë këtë cikël të shtypjes që është shumë vështirë për ta thyer. Mos-suksesi, apo dështimi i mundshëm i një gruaje përfaqëson dështimin e gjithë gjinisë që ajo përfaqëson, gjë që nuk ndodhë edhe me burrat.

Këtë e dëshmon edhe shembujt që i përdorim për të dëshmuar se si përfaqësimi i gruas nuk garanton fund për shtypjen gjinore, gjë që nuk e garanton as përfaqësimi i një burri. Shembujt e tillë si Ana Brnabić në Serbi, si pjesë e një komuniteti të shtypur dhe shtypja e mëtutjeshme që ajo u bënë këtij komuniteti nuk është shembulli i vetëm për të dëshmuar se dikush që vjen nga i njejti grup me ju është garanaci që do të punojë kundër jush. Madje, gjasat i kemi më të mira me një grua se sa me një burrë edhe nëse të dy e kanë të njejtën qasje në çështjet gjinore. Ashtu siç ndodhi me ish-presidenten Atifete Jahjaga nga e cila nuk pati pritshmëri të mëdha, sidomos për çështjet që i prekin gratë, por ishte ajo e para që solli çështjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në publik dhe filloi ndryshimet. Edhe gratë kandidate funksionojnë brenda kësaj mendësie patriarkale dhe ndodhë shpesh që paraqitja e tyre bëhet në mënyrë të kujdesshme, të qëllimshme apo jo, që t’i përshtaten kësaj mendësie që burrin e shehë si normë dhe gruan e konsideron si tjetrën. Ajo, si mënyrë mbijetese në një vend ku tjetri shtypet, medoemos detyrohet pastaj të dëshmojë që edhe ajo i përket shumicës dhe nuk është tjetra.

Diskutimi se në çfarë baza duhet të votohet, fatkeqësisht i takon një pakice në Kosovë, sepse kjo pakicë edhe mund të votoj bazuar në programet qeverisëse të subjekteve/koalicioneve politike. Por, njerëzit vazhdimisht votojnë për shkak të identitetit të dikujt dhe jo për programin që ata kanë. Njerëzit votojnë varësisht se çfarë një individ përfaqëson për ta; për dikë mund të jetë e kaluara e dikujt, për dikë tradita partiake, për dikë edhe lidhjet familjare, por secili sheh diçka tek kandidatët që shpesh e tejkalojnë programin e tyre qeverisës. Nëse gratë duan të votojnë një grua pikërisht sepse është grua, gra që ndoshta edhe po të duan nuk mund të lexojnë apo të degjojnë për programet qeverisëse, gra që ndoshta për shumë vite kanë dëshiruar të shohin dikë si ato në pozitat udhëheqëse që gjithmonë u kanë takuar burrave, gra që ndoshta janë lodhur me shtypjen, dhunën e përditshme që u bëhet atyre pikërisht sepse janë gra, gra që duan të votojnë për një grua pikërisht sepse ato mund të identifikohen me të. Nëse vetëm ky akt i vetëm është fuqizues për to, kush jemi ne, pakica, t’u tregojmë atyre të mos e bëjnë një gjë të tillë? Para se të themi të mos votohen gratë vetëm sepse janë gra, gjë të cilën e kuptoj plotësisht për gratë që e dinë se zgjidhja e çështjeve të shtypjes gjinore shkon më larg se vetëm të qenurit grua dhe është me e komplikuar se kaq, le të mendojmë cilat janë arsyet tjera për të cilat shumica e votuesve mund të votojnë për shumicën e kandidatëve aktual burra, përpos faktit që ata janë burra?

Mirishahe Syla

Këshilluese për çështje gjinore në SIT

en_USEnglish