(PA) BARAZIA GJINORE NË VENDIMMARRJEN LOKALE

Barazia gjinore në pjesëmarrjen politike është aspekt fundamental i qeverisjes demokratike moderne. Megjithatë, në Kosovë është sfidë për gratë që t’i gëzojnë këto të drejta. Gratë vazhdojnë të kenë pjesëmarrje të ulët në vendimmarrje në përgjithësi, e sidomos atë lokale. Madje, në Kosovë nuk kemi asnjë grua kryetare komune. Nga 38 komuna sa janë në Republikën e Kosovës, të gjitha udhëhiqen nga burrat. E nga 352 drejtori sa janë në total në komunat e Kosovës, vetëm 85 prej këtyre udhëhiqen nga gratë. 

Pjesëmarrja e balancuar gjinore në vendimmarrje përpos që është një nga faktorët kyç që mundëson barazinë gjinore, është poashtu parakusht i domosdoshëm për qeverisje demokratike.

Barazia gjinore dhe përfaqësimi i barabartë gjinor në vendimmarrje në Kosovë garantohet me Ligjin për Barazi Gjinore, i cili u miratua në vitin 2004 dhe konsiderohet si një ndër ligjet më të avancuara për Barazi Gjinore në rajon. Ndër të tjera, në nenin 6, pika e 8 të këtij ligji  thuhet: “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.”

Ky ligj mbron dhe vendos barazinë mes gjinive në themel të zhvillimit demokratik të shoqërisë kosovare dhe ofron mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në zhvillim në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Ligji po ashtu parasheh sanksione për dështim të zbatimit të dispozitave të tij. Gjoba në shumë prej 300 deri në 900 euro mund t’i shqiptohen personit u cili i kundërvihet neneve të këtij ligji.

Por, si me shumë ligje të tjera në Kosovë, në praktikë ndodh krejt ndryshe. Përkundër faktit se një gjë e tillë rregullohet me ligj, në drejtoritë komunale, pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës, dominon numri i burrave në pozitat drejtuese. 

një artikull të publikuar në shkurt të vitit 2019 nga Balkans Policy Research Group “Gratë në Politikë” thuhet se: “Përveç pozitave drejtuese në komuna, drejtoritë komunale po ashtu reflektojnë pabarazi të thellë gjinore duke u lënë grave një numër shumë të vogël të pozitave drejtuese.” 

Mirëpo, sipas shefes për Bashkëpunim në Agjencinë për Barazi Gjinore (ABGJ), Shpresa Zariqi, thuhet se këtë vit ka ndryshime. Nga 18% sa ka qenë përfaqësimi në vitin 2018, tash është 22.16%, që do të thotë ka avancim të pozitës së gruas në vendimmarrje nga viti i kaluar për 3.43%.

“Komuna e Drenasit, Kamenicës, Kllokotit, Mitrovica e veriut, Prishtinës, Junikut, Obiliqit,  janë shembull më i mirë i respektimit të Ligjit për Barazi Gjinore, pasi kanë të emëruar gratë në 50% në vendimmarrje, përderisa në komunat me popullsi dhe administratë më të madhe nuk respektohet Ligji për Barazi Gjinore, si në komunën e Gjakovës, Prizrenit, Podujevës, Mitrovica e Jugut, Fushë Kosovës, Malishevës, Graçanicës, Suharekës, Vushtrrisë. Ndërsa ato komuna që janë me 0% përfaqësim të grave janë komuna e Shterpcës, Ranillugut, Mamushës dhe Dragashit”, ka thënë Shpresa Zariqi për Kosovalive dhe SIT.

Në korrik të vitit 2019 Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar një raport për të drejtat e njeriut për periudhën janar – qershor të vitit 2019. Përmes kësaj tabele tregohet numri i grave dhe burrave të cilët janë në pozita vendimmarrëse në drejtoritë komunale në  komunat e Kosovës.

Pyetur se a ka Agjencia për Barazi Gjinore ndonjë plan për zgjidhjen e këtij problemi, Shpresa Zariqi tha se ABGJ në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal u kanë dërguar shkresa zyrtare të gjitha komunave të Republikës së Kosovës, ku është kërkuar nga organet komunale të zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e barabartë gjinor.

“Organet komunale janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë.”

Sipas Zariqit, ABGJ-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë vendim që të mos pranohen si të ligjshme vendimet e komunave të cilat nuk kanë përfaqësim të barabartë gjinor në komunat e tyre.

“Ne jemi kujdesur që nëpërmes mekanizimit ligjor të shqyrtimit administrativ të mos konfirmohet ligjshmëria e asnjë vendimi të komunave të cilat nuk përbëjnë përfaqësim të duhur për të dy gjinitë në komitetet e përhershme të kuvendeve të komunave, atë për Politikë dhe Financa dhe Komitetin për Komunitete. Në këtë proces, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka kthyer të gjitha ato vendime që nuk kanë përmbushur këtë standard, duke kërkuar rishqyrtimin e vendimit përkatës dhe ndryshimin e tij në atë mënyrë që të sigurohet përfaqësim i duhur në këto komitete për të dy gjinitë.”

Edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) thekson se Ligji për Barazi Gjinore është mjaft i avancuar dhe stabilizon barazinë gjinore në tërësi në të gjitha fushat, mirëpo zbatimi i tij është larg nga niveli i duhur. Zbatimi i këtij ligji është jetik dhe do të kontribuonte dukshëm në demokratizimin  e shoqërisë, si dhe do të vendoste barazinë gjinore në vendin meritor. 

Sipas RrGK-së, në rast të shkeljes së Ligjit për Barazi Gjinore parashihen sanksione me gjobë, e mjetet e mbledhura nga këto gjoba shkojnë në Buxhetin e Kosovës. Ndërsa theksojnë së Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Agjencia për Barazi Gjinore janë institucione të cilat e kanë përgjegjësinë ta sigurojnë zbatimin e këtij ligji. 

Avokati i Popullit është institucion i barazisë që trajton rastet që lidhen me diskriminimin gjinor, në përputhje me procedurat e parapara me Ligjin për Avokatin e Popullit. Kurse Agjencia për Barazi Gjinore ka për detyrë të bashkëpunojë me institucionet publike dhe zyrtarët përkatës për barazi gjinore në komuna për të siguruar zbatimin e dispozitave të këtij ligji.

RrGK ka themeluar një strategji  e cila do të ndikonte në rritjen dhe përmirësimin e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe pozita vendimmarrëse, duke ndikuar kështu në respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore. 

Strategjia 2019-2022 e RrGK-së parasheh qartë rritjen dhe përmirësimin e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje në nivel lokal dhe qendror sipas Ligjit për Barazi Gjinore. Kjo bëhet përmes Lobit për Barazi Gjinore i cili është funksional në shumicën e komunave të vendit. Po ashtu, shtysë drejt arritjes së këtij qëllimi është edhe Koalicioni për Barazi Gjinore. Të dy këta mekanizma vazhdimisht krijojnë dhe mirëmbajnë rrjetëzim ndërmjet shoqërisë civile, grave në politikë dhe nëpunësve civilë në avancimin e barazisë gjinore dhe çështjeve që ato identifikojnë si prioritete.” tha  Gresë Sermaxhaj, Koordinatore për Marrëdhënie me Publikun në RrGK për Kosovalive dhe SIT.

Institucioni i Avokatit të Popullit thekson se një shoqëri demokratike nënkupton liri të njëjtë për të gjithë qytetarët. Secili pushtet, dhe sidomos ai shtetëror, duhet t’i shërbejë, para së gjithash, realizimit të idesë së barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit, sigurimit të mundësisë dhe dhënies së mundësisë për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë që të jetojnë një jetë të lirë.

Sipas Petrit Çollakut, Zyrtar për Komunikim dhe qasje në dokumente publike në Institucionin e Avokatit të Popullit, Ligji për Barazi Gjinore parasheh masat e përgjithshme për parandalimin e diskriminimit gjinor dhe sigurimin e barazisë gjinore, si dhe i obligon të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës të të gjitha niveleve të pushtetit ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor dhe institucionet e tjera publike që ndarjen sipas gjinisë të të gjitha të dhënave të nevojshme statistikore që mblidhen, regjistrohen dhe përpunohen t’i dorëzojnë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

Mirëpo, në kuadër të kompetencave që dalin nga Ligji për Barazi Gjinore, Institucioni i Avokatit të Popullit nuk është përgjegjës për shqiptimin e sanksioneve në rast të mos zbatimit të këtij ligji.  

“Në kuadër të kompetencave që dalin nga Ligji për Barazi Gjinore, Avokati i Popullit nuk është organi i cili shqipton sanksione për mos zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore. Avokati i Popullit i trajton rastet që lidhen me diskriminimin gjinor në përputhje me Ligjin për Avokatin e Popullit”, tha Çollaku.

Përpjekjet për përmirësim të situatës

Komuna e Drenasit është komuna e parë e cila ka arritur të ketë 65% gra në udhëheqje të drejtorive komunale. Nga 11 drejtori sa janë gjithsej në këtë komunë, tashmë gjashtë prej tyre udhëhiqen nga gratë. 

Flutura Avdiu nga Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit deklaron se zbatimi i ligjit për Barazi Gjinore është shumë i rëndësishëm. Ajo thekson se të gjitha gratë në krye të drejtorive në Komunën ku ajo punon i meritojnë pozitat e tyre dhe nuk janë vendosur në ato pozita vetëm për të përmbushur kuotën për barazi gjinore. 

“Gratë e emëruara në pozita vendimmarrëse në Komunën e Drenasit, janë të gjitha të përgatitura profesionalisht dhe kanë shkollim universitar dhe pasuniversitar, profesionalizëm të lartë dhe janë shumë të përgjegjshme në udhëheqjen e drejtorive për të cilat janë të emëruara, dhe nuk janë të emëruara vetëm për të plotësuar kuotën për barazi gjinore,  po ngase gratë janë të dëshmuara dhe kanë dhënë rezultate të mjaftueshme se janë të afta të jenë vendimmarrëse në pozitat për të cilën emërohen dhe kryejnë punët dhe detyrat e punës me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë”, thotë Avdiu.

Ndërsa Shqipe Zogu, Drejtoreshë e Drejtoratit për Kulturë, Rini dhe Sport në të njëjtën komunë, u shpreh se zbatimi i Ligjit për Barazi Gjinore është më shumë se obligim ligjor, sepse përçon mesazhin se gruaja duhet të jetë e barabartë me burrin.

“Zbatueshmëria e Ligjit për Barazi Gjinore është më shumë se sa obligim ligjor, pasi që efektet e zbatueshmërisë së këtij ligji përveç involvimit të gruas në procese të ndryshme shtet-ndërtuese madje edhe në pozita vendimmarrëse, pasqyron edhe mesazhin e përgjithshëm për opinionin dhe mendësinë e shoqërisë tonë patriarkale që gruaja duhet të trajtohet në formë të barabartë me burrin, dhe se ato po dëshmojnë çdo ditë e më shumë që për pozitën e njëjtë tregojnë më shumë përgjegjësi për vendin e punës, janë më të vendosura dhe më pak të manipulueshme se sa burrat“, thotë Zogu.

Në Komunën e Pejës janë gjithsej 14 drejtori. Në pozita drejtuese në këtë komunë janë 11 burra dhe vetëm tri gra. 

Xhenet Syka – Kelmendi nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në komunën e Pejës, edhe përkundër faktit që është një nga vetëm tri drejtoresha në këtë komunë, tha se Ligji për Barazi Gjinore është i një rëndësie të veçantë dhe se gratë duhet të kërkojnë të drejtat e tyre në vendimmarrje.

Kelmendi u shpreh se “Ligji për Barazi Gjinore është domosdoshmëri institucionale për një shoqëri të mirëfilltë demokratike, është imperativ  i botës së zhvilluar dhe reflekton shumë se sa një shoqëri ka avancuar gjithandej. Gratë nuk duhet të jenë të kënaqura me statusin e tyre vetëm si shërbyese civile por duhet të kërkojnë të drejtat e tyre të patjetërsueshme për pjesëmarrje në vendimmarrje dhe jo më pak se 50% për shoqëri me të drejta dhe mundësi të barabarta!”

Popullsia e Kosovës ka numër pothuajse të barabartë mes dy gjinive sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prandaj edhe përfaqësimi i tyre do të duhej të ishte i barabartë. Megjithatë, edhe përkundër faktit që kjo kërkohet edhe me ligj, fakti se në komunat e Kosovës përqindja e grave në udhëheqje të drejtorive komunale është më e vogël se 25% tregon pabarazi të thellë gjinore dhe shkelje të ligjit në masë të madhe. 

Mirishahe Syla, Këshilltare për Çështje Gjinore në organizatën SIT, thotë se edhe përkundër ligjeve ekzistuese që garantojnë përfaqësim të grave në vendimmarrje në çdo nivel, përfaqësimi jo i barabartë i tyre sidomos në nivel lokal mbetet i ulët. 

“Kjo pastaj ndikon edhe në pozitën e pafavorshme të grave në shoqëri. Të drejtat e grave vazhdojnë të shkelen dhe interesat e tyre nuk përfaqësohen në publik”, thotë Syla. 

Ndërsa thekson se për të ndryshuar këtë realitet të rëndë për gratë, ato duhet të bëhen pjesë e planifikimit dhe implementimit të politikave në çdo nivel.

Mbi autoren: Edona Shala është pjesëmarrëse në programin “Gazetaria Transformuese” që është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.


en_USEnglish