KOMUNIKATË PËR MEDIA

Koalicioni K10 u bënë thirrje autoriteteve shëndetësore për kujdes të shtuar ndaj shëndetit seksual dhe riprodhues në kohë epidemie

30 mars 2020

Gjatë kësaj situatate të krizës shëndetësore, resurset shtetërore koncentrohen në përpjekjet për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit COVID-19. Në kushte të tilla epidemie, vështirësohet çdo gjë dhe largohet fokusi nga grupe tjera të ndjeshme të shoqërisë, dhe nga shërbimet mjekësore të cilat janë gjithashtu qenësore për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Reagimi i urgjencës ndaj shpërthimit të COVID-19 gjithashtu nënkupton që burimet për shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues mund të devijohen për t’u marrë me virusin. Kjo mund të shkaktojë rritje të vdekshmërisë së nënave dhe të porsalindurve, rritje të nevojës së paplotësuar për kontracepsion, rritjen e numrit të aborteve jo të sigurta, si dhe rritjen e infeksioneve seksualisht të transmetueshme.

Koalicioni K10 mirëpret dhe vlerëson masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës për parandalimin e përhapjes së pandemisë, dhe falenderon personelin mjekësor për punën e palodhshme që janë duke e bërë më trajtimin e rasteve të infektuara.

Njëndërkohë, Koalicioni K10 i bën thirrje institucioneve shëndetësore, veçanërisht atyre në nivel lokal që të vazhdojnë të ofrojnë në mënyrë të pandalur:
– Qasje në shërbime shëndetësore pa dallim e diskriminim për të gjitha kategoritë e veçanta, adoloshentët dhe të rinjtë, persona me nevoja të veçanta, dhe grupet e margjinalizuara.
– Kujdes të shtuar moshave reproduktive në këshillim me planifikim familjar, kontracepsion, dhe kujdes të duhur për gra shtatzëna, para dhe pas lindjes.
– Shërbime për zbulim të hershëm të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme,
– Skrining të kancereve të organeve riprodhuese.
– Shërbime të identifikimit, trajtimit dhe referimit të rasteve të të mbijetuarave të dhunës në baza gjinore.

Koalicioni K10 rikujton institucionet se shërbimet për shëndetin riprodhues duhet të ofrohen me barazi, pa diskriminim dhe stigmë, dhe në gjuhë lokale. Për më tepër, këto shërbime duhet ofruar në mënyrë të kujdesshme për të respektuar privatësinë dhe konfidencialitetin e trajtimit, edhe përkundër rrethanave të jashtëzakonshme të krijuara nga pandemia COVID-19.

Në raste krizash si ky i shpërthimit të COVID-19, gratë dhe vajzat mund të jenë edhe më të rrezikuar nga pikëpamja e dhunës nga partneri intim dhe forma të tjera të dhunës në familje për shkak të rritjes së tensioneve në shtëpi. Meqenëse sistemet që mbrojnë gratë dhe vajzat, përfshirë edhe strukturat e komunitetit, mund të dobësohen ose dështojnë, duhet të zbatohen masa konkrete për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga rreziku i dhunës nga partneri intim varësisht si ndryshon dinamika e rrezikut të imponuar nga COVID-19.

Koalicioni K10 kërkon angazhimin maksimal edhe të organeve të rendit – të jenë të ndjeshme ndaj kategorive të tilla, dhe të trajtojnë raste të dhunës në familje në mënyrë meritore!

Qytetarëve ju bëjmë thirrje të vazhdojnë t’i përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e COVID-19.

Shënim për shtypin:

Koalicioni K10 përbëhet nga këto organizata anëtare: Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Asociacioni për Edukim dhe Zhvillim të Shëndetësisë (AHED), Artpolis, Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit (Jeta/Vita), Shëndet për të Gjithë (Health for All), Fondi Kosovar për Popullsi (KOPF), Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatar (PEN), Shoqata e së Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK), Shoqata Kosovare për Promovimin, Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime (SIT)) Avancimin dhe Mbrojtjen e Shëndetit të Adoleshentëve (Shko-Pa-Msha), dhe përkrahet nga Fondi për Popullsi Kombeve të Bashkuara (UNFPA Kosovo) zyra në Kosovë.

en_USEnglish