Dhuna Përtej Numrave
Në numra:
Në Kosovë, vetëm për një vit, janë vrarë gjashtë gra. Që nga viti 2008 deri në shtator 2019 janë vrarë më shumë se 15 gra; Igballja, Shkurta, Diana, Antigona, Zejnepja, Flora, Miradija, Arianita, Sevdija, Feridja, Valbona me vajzën e saj, Hysnija, Remzija, dhe Armenda janë vrarë nga partnerët e tyre, ato janë vrarë në shtëpitë e tyre, në lagjet e tyre, në vendet e punës, ato janë vrarë në gjumë, para fëmijëve, para familjarëve, janë vrarë me sopatë, thikë, plumba, e duke u dhunuar, janë vrarë së bashku me fëmijët e tye, janë vrarë nga të dashurit, bashkëshortët, e ish-bashkëshortët e tyre. Donjeta, një vajzë 24 vjeçare është vrarë nga kushëriri i saj kur ajo po shkonte në punë, trupi i saj është fshehur në mal dhe nuk është gjetur për një muaj pas vdekjes. Në Kosovë, vetëm gjatë këtyre tre viteve të fundit, janar 2017 – shtator 2019, janë raportuar 4,226 raste të dhunës në familje, prej tyre 3,394 kanë qenë viktima gra. Mbi 1,000 raste të dhunës kundër grave janë raportuar për çdo vit që nga viti 2011, por numri i arrestimeve për këtë krim ka qenë më i vogël se gjysma e numrit të rasteve të raportuara. Vetëm në vitin 2018, kur edhe u vranë gjashtë gra, kishte 1,533 raste të dhunës të raportuara, prej tyre 1,228 viktima gra, por kishte vetëm 499 arrestime për këto. Në Kosovë, 330,000 gra kanë përjetuar një formë të ngacimit seksual, përndjekjes, dhunës nga partneri intim ose nga jo partneri që nga mosha 15 vjeçare. Në Kosovë, vetëm 12.7% e grave janë të punësuara; 30% e grave që punojnë në sektorin privat nuk kanë kontrata pune. Në Kosovë, vetëm 17% e pronave zotërohet nga gratë. Vetëm 4% e grave në Kosovë trashëgojnë prona. Kjo, përkundër ligjeve që garantojnë të drejtën që gratë të trashëgojnë pronën.
Përtej numrave:
Këta numra janë pasyqrim tejet i limituar i gjendjes reale dhe pozitës së grave në shoqërinë tonë. Në numra të tillë paraqiten vetëm rezultatet e një sistemi shtypës, të një kulture të dhunës dhe diskriminimit, në ta nuk i gjejmë storjet e atyre që vuajnë nga kjo shtypje, në numra nuk e gjejmë pse gratë në Kosovë nuk trashëgojnë pronë, a pse ato heqin dorë nga kjo e drejtë e tyre? Përmes numrave nuk e kuptojmë që shumë gra në Kosovë nuk janë të informuara për të drejtat e tyre, që edhe kur ato janë të informuara, një numër i madh i tyre detyrohen të heqin dorë nga kjo e drejtë për shkak të presionit shoqëror e kulturor; për shkak që ato do të detyroheshin të zgjedhnin në mes të familjes apo pronës – “kishim dashtë me pas diçka në emër tonin, po nuk dojmë me marrë kurgjo prej shpisë se mandej na mshelet dera e nuk kemi ma ku me u kthy te familja, te vllaznia” ishin fjalët e një gruaje rreth të 30-ave që jeton në zonat rurale në Kosovë. Nje grua tjetër 18-25 vjeçare thote: “Kushërira ime është fëmijë i vetëm. Edhe pse ajo nuk ka vëllezër, ajo nuk ka marrë prona nga prindërit e saj. Ajo ka vendosur që t’ua japë ato kushërirëve djemë.” Kultura e tillë, kjo mënyrë e të menduarit, krijon shifra të tilla si 4%-shi.
Ajo që fshihet pas numrave në të cilët paraqiten viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës, gratë e vrara dhe gratë që janë dhunuar e vazhdojnë të dhunohen janë betejat e individëve brenda një sistemi shtypës, tregimet personale të vuajtjes së tyre, përpjekjet për mbijetesë në duart e më të afërmve, fshihet një mendësi që dhunën e normalizon përmes institucioneve shoqërore e atyre shtetërore. Ajo që nuk shihet në numra janë thirrjet e padëgjuara të grave për ndihmë, neglizhenca e institucioneve për të trajtuar dhunën kundër tyre si krim, ashtu siç parashihet me ligj. Përndryshe po të trajtohej si e tillë, do të kishim më shumë se 499 arrestime për 1,533 raste të dhunës të raportuara. Po të trajtohej dhuna ndaj grave si krim, institucionet do t’i ofronin mbrojtjen Dianës kur ajo e kërkoi, e cila u vra më vonë nga bashkëshorti i saj në vendin e saj të punës. Edhe Zejnepja do të mund të ishte gjallë sikur thirrjet e saj për ndihmë, më shumë se 15 thirrje, të pranoheshin e besoheshin. Por, institucionet tona shtetërore janë të përbërë nga individë që janë pasqyrim i mentalitetit dhunues që krijohet në institucionet tona shoqërore.
Krjimi dhe mirëmbajtja e kësaj mendësie shtypëse dhe dhunuese fillon qysh në familje, madje në një mendësi të tillë, shtypja kundër vajzave fillon edhe para se të lindin ato, abortimet selektive – si treguesit e parë se sa pak ka vlerë jeta e një vajze në shoqërinë tonë – që vazhdojnë të ndodhin në Kosovë e dëshmojnë këtë.
Vajzave u mësohet se ekzistenca e tyre ka kuptim atëherë kur ato zhveshen nga vetja si individ me nevoja, dëshira, e kërkesa personale, dhe e plotësojnë veten atëherë kur janë në shërbim të të tjerëve. Kur vetja është në rendin e dytë, mundësia për t’u nënshtruar dhe shtypur brenda një sistemi në te cilin ekzistenca jote shërben për t’i përforcuar pushtetin dikujt tjetër, është e pashmangshme. Prandaj, vajzave u mësohet që është në natyrën e tyre që të nënshtrohen dhe që vuajtja i fisnikëron ato. Vajzat rriten duke i bindur që ekzistenca e tyre nuk është asnjëherë e plotë nëse përkrahë tyre nuk kanë një burrë, ato mësohen të mos mendojnë për veten jashtë raporteve me të tjerët, rrjedhimisht të mos jenë në gjendje të definojnë vuajtjet e sfidat e tyre, sepse ato u paraqiten si normalja. Kur vajzat ngacmohet në shkollë, madje edhe nga profesorët, ato mësohen të heshtin duke e ditur se ana e tyre e tregimit nuk qon peshë. Kur vajzat ngacmohen në rrugë nga të panjohur, ato mësohen të fajësojnë veten për të bëmat e të tjerëve. Kur vajzat martohen, ashtu siç pritet prej tyre, atyre u thuhet se “jeta te burri asht’ e vshtirë, nëse t’mshon nganjiher, ti ule krytë e mos ja merr ftyrën familjes tande” – sepse vlera e një vajze shihet në atë se sa e duron ajo shtypjen dhe dinë ta fshehë vuajtjen. Kur gratë marrin guximin të kërkojnë ndihmë, ato përballen me të njejtit zëra me të cilët janë rritur që u tregojnë atyre se vuajtja jote nuk ka rëndësi, se vlera jote fshihet në ato vuajtje, se ekzistenca jote nuk ka rëndësi. Shumë gra, më shumë se ne duam të besojmë i kanë përbrendësuar këta zëra e një sistem që i shtypë ato. Vuajtjet e tyre as edhe nuk definohen si shtypje nga to. Përderisa kemi këtë mendësi, gratë do të vazhdojnë të dhunohen e të vriten, dhe pas numrave që paraqesin krimet ndaj tyre, do të vazhdojnë të fshihen tregimet e tyre të pathëna.
Ky shkrim është shkruar nga Mirishahe Syla, Këshilltare për Çështje Gjinore në SIT për “Koha për Gratë”.