As Malisheva nuk i ka shpëtuar sfidës së (pa)barazisë gjinore

Nga njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë të punësuar në komunën e Malishevës vetëm tridhjetë janë gra.

Situata nuk dallon shumë as në komunat e tjera: hulumtimet e bëra nga Agjensia për Barazi Gjinore, Instituti për Politika Zhvillimore INDEP dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore vëjnë në pah një pabarazi të madhe gjinore në institucionet edhe në komunat e tjera të Republikës së Kosovës.

Sipas drejtorit për Administratë në Komunë, Hajrulla Mazreku në Komunën e Malishevës vetëm 14.7% e personave të punësuar janë gra.

“Nga numri i përgjithshëm 176 punonjës në komunën e Malishevës 146 prej tyre janë burra dhe 30 prej tyre janë gra, pra qe nënkupton se përqindja e grave në pozitat vendimmarrëse është vetëm 17.4% ku 3 prej tyre janë në pozitën e menaxheres”,  ka thënë Mazreku.

Nga njëmbëdhjetë drejtoritë e kësaj komune vetëm Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport (DKRS) drejtohet nga një grua.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Milazim Morina arsyeja e vetme se pse mbizotëron një numër më i madh i burrave në drejtoritë e kësaj komune është mungesa e shkollimit të grave.

“Arsyeja e vetme është niveli arsimor, shkollimi më i vonshëm i gjinisë femërore”, thotë ai.[1] 

Mirëpo bazuar në hulumtimin “Udhëheqja dhe pjesëmarrja e grave në politikë”  përqindja e grave të diplomuara në Kosovë përkatësisht në vitin 2012 ka qenë 39%  nga 75.213 persona me diplomë bachelor. Prandaj dhe sot punësimi i grave nuk lidhet me përgatitjet e tyre apo diplomën që e posedojnë, kjo ka te bëjë më shumë me paragjykimet dhe diskrimimin gjinor që bëhet në secilin institucion, e në secilën pozitë.

Drejtoresha për Rini, Kulturë dhe Sport, Besarta Kryeziu – Ramaj, ndërkaq thotë se kolegët e saj dhe kryetari i Kuvendit të Komunës nuk hezitojnë t’iu ndihmojnë sa herë që ajo apo dikush tjetër përballet me vështirësi në punë.

“Kur kemi ndonjë vështirësi, në të cilën nuk mund t’ia dalim vetë, gjithmonë kemi përkushtim edhe nga kolegët tanë edhe nga Kryetari i Komunës”, ka potencuar Kryeziu–Ramaj.

Profesori i Sociologjisë në Gjimnazin e këtushëm “Hamdi Berisha”, Rrustem Berisha thotë se punësimet krahas gjinisë kanë edhe karakter politik.

“Normalisht që komuna jonë nuk ka kapacitete tjera të punësimit përveç arsimit dhe administratës. Shpeshherë për shkak të konkurencës së madhe për një vend pune ka pasur edhe preferenca të punësimit kryesisht me bindje të përafërt politike”, pohon ai.

Në një hulumtim të bërë nga Agjencia për Barazi Gjinore në vitin 2014 “Pjesëmarrja, roli dhe pozita e grave në institucionet qendrore, lokale, dhe në partitë politike në Kosovë”, doli se nga 157 e numrit të përgjithsëm të të punësuarvë në këtë komunë  131 prej tyre janë burra kurse vetëm 17% prej tyre ishin gra.

Sipas hulumtimit, “Gratë në vendimmarrje në institucionet publike në Kosovë” nga Instituti për Politika Zhvillimore INDEP përqindja e grave në pozita vendimmarrese nëpër komuna gjatë viteve 2017-2019 është shumë më e ulët krahasuar me përqindjen e burrave të punësuar në pozitat e njëjta.

“Në vitin 2017, përqindja e grave në pozita të larta vendimmarrëse brenda drejtorive komunale ishte 19%, ndërsa në 2018 ishte 19.83%.”, thuhet në hulumtim.

Mungesa e respektimit të barazisë gjinore në komunat e Kosovës, përfshirë edhe atë të Malishevës dëshmohet në hulumtimin “Pjesmarrja e Grave në Vendimmarje në Kosovë” e realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore. Sipas këtij hulumtimi pjesëmarrja e grave në pozitat drejtuese në vitin 2014 ishte vetëm 4% në krahasim me burrat të cilët posedojnë 96% të këtyre pozitave, ndërsa statistika të përaferta janë edhe ato të vitit 2015 ku gratë zotërojnë vetëm 10% të pozitave drejtuese në komuna në krahasim me burrat të cilët kanë 90%.

Kosova tashmë ka një ligj sipas të cilit gjinitë kanë të drejta të barabarta në jetën politike, por edhe më gjerë, dhe në nenin 6 pika 8 përcaktohet decidivisht se në të gjitha organet ekzekutive, gjyqësore dhe legjislative përfaqësimi duhet të jetë 50/50 në mes gjinive.

Mbi autoren: Blendrita Avdiu është studente e vitit të dytë në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo ka qenë pjesë e grupit të dytë në programin “Gazetaria Transformuese” në KosovaLive. Blendrita, përveç, fakultetit, është e interesuar edhe për praktika që kanë lidhmëri me gazetarinë, sepse ajo thotë se në këtë mënyrë mund t’i përforcojë  edhe më shumë njohuritë rreth profesionit të saj në të ardhmen.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KosovaLive dhe SIT dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrimi BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.

en_USEnglish