Jeta dhe sfidat e nxënësve pas braktisjes së shkollës në Podujevë
“Edukimi është çelësi i të ardhmes, e nesërmja i përket atij që punon për të sotmen” Malcolm X
Se si përkufizohet termi “braktisje e shkollës” ndryshon prej një shteti në shtetin tjetër, studiuesve dhe organizatave të ndryshme. Në Kosovë, termi “braktisje e shkollës” përkufizohet si “ndërprerja e parakohshme e shkollimit të detyruar” sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, neni 2 pika 1.13. Në Republikën e Kosovës Arsimi i Mesëm i Lartë në Ligjin për Arsim nuk është i obligueshëm.
S.G. është një 24 vjeçare nga Podujeva e cila tregon për pamundësinë e saj për të vazhduar shkollimin si dhe sfidat që e presin atë. Ajo ka qenë në Shkollë të Mesme të Lartë në klasën e 11-të kur e ka ndërprerë shkollimin. Ajo shprehet: “Unë po e shprehi mendimin duke u bazuar në jetën time, unë në moshë te re jam martuar dhe Zoti deshti që të mbes shtatëzanë menjëherë. Andaj për shkak të sfidave pas martesës nuk kam pasur mundësi të vazhdojë më tutje. Ndikimi që do të ketë braktisja e shkollës nuk është aspak i mirë pasi që edhe me shkollim për të arritur diqka në të ardhmen është e vështirë e aq më pak për një individ që nuk është i përgaditur për tregun e punës.”
Disa vite më vonë S.G. ka filluar procesin për të vazhduar shkollimin aty ku ka mbetur por për disa arsyje nuk ka mundur që vazhdoj.Ajo shprehet që në të ardhmen e afërt do të vazhdoj shkollimin aty ku ka mbetur dhe do të pajiset me diplomën e shkollës së mesme të lartë.
S.G. tani në kërkim të një vendi të punës, tregon për përvojat e saj të mëhershme në kohën kur kishte punuar në disa markete në Podujevë ku edhe ishte përballur me padrejtësi, siq tregon ajo ”Në njërin prej marketeve kam punuar tri ditë si punë provuese pra nëse tregohem e mirë në punë, më pranojnë në punë me orar të plotë me pagesë. Kjo puna provuese në fillim nga ky market është deklaruar që është me pagesë por pasi ka kaluar koha e punës provuese nuk më kanë pranuar në punë dhe nuk më kanë paguar për ato tri ditë që kam punuar. Nuk e kam kërkuar pagesën se u bëra nervoz që nuk më pranuan në punë dhe nuk deshta të bëjë fjalë me ta. Po ashtu kam punuar në një market tjetër për një javë dhe nuk jam paguar. Kam punuar për disa muaj për një market me një rrogë minimale prej 200 euro, janë sjell shumë keq madje as në iftar të ulem dhe të ushqehem nuk më kanë lënë.” Përkundër kësaj, ajo shprehet e gatshme që sërish të punoj në ndonjë nga marketet e mëdha apo butiqet pasi që sfidat janë shumë të mëdha pa një vend pune.
S.G. është vetëm një prej disa nxënësve që për arsyje të ndryshme largohen nga bankat shkollore pa e përfunduar atë nivel shkollor, duke i bërë ata që të jenë më të ndjeshëm ndaj sfidave të jetës siq është qasja e tyre në tregun e punës.Pasi që diploma e shkollës së mesme të lartë është një nga kualifikimet parësore që kërkohen. Duke ju paraqitur kështu probleme në jetën e tyre.
Cili është raportit i nxënësve që kanë braktisur shkollën e mesme të lartë ndërmjet komunave në Republikën e Kosovës dhe raportit ndërmjet gjinive?. Për të dhënë këtë përgjigje do të duhej të bëhej krahasimi ndërmjet të dhënave të braktisjes së shkollës së mesme të lartë ndërmjet komunave të Republikës së Kosovës dhe si Komuna e Podujevës qëndron në këtë drejtim.
Kërkesës për qasje në dokumentet zyrtare, Zyrtari për qasje në dokumente në Komunën e Podujevës është përgjigjur “Kërkesën e kam dërguar në Drejtorinë e Arsimit dhe në momentin që do të kam ndonjë dokument do ua përcjell”. Kjo përgjigje është dhënë me 10 Mars 2020. Kurse Zyrtarja për qasje në dokumente zyrtare në Ministrinë e Arsimit dhe Teknologjisë nuk është përgjigjur në dy email-at. Email-li i dytë është dërguar me 13 Mars 2020.
Niveli i Arsimit të Mesëm të Lartë në Republikën e Kosovës është i organizuar në shkolla të mesme të larta (gjimnazet dhe shkollat profesionale) që janë shkolla të profilizuara. Gjimnazet ndahen sipas drejtimeve në: shoqërore, të përgjithshme, të shkencave natyrore, matematikë-informatikë dhe të gjuhëve. Ndërsa shkollat e mesme profesionale ndahen sipas drejtimeve në: teknike, bujqësore, ekonomike, të mjekësisë, të muzikës, të tregtisë, teologjike, të artit dhe në qendra të kompetencës. Duke ofruar një mori drejtimesh që nxënësit mund të zgjedhin.
Duke u mbështetur në “Statistikat e Arsimit të Kosovës për vitin shkollor 2018-2019” nga Ministria e Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë në Republikën e Kosovës për vitin shkollor 2018/2019 ishte 81,041 nxënës, prej tyre 49% janë nga gjinia femërore kurse 51% janë nga gjinia mashkullore. Në Komunën e Podujevës në Arsimin e Mesëm të Lartë në të njëjtin vit shkollor ishin gjithsej 4468 nxënës, prej tyre janë 51 % nga gjinia femërore dhe 49 % nga gjinia mashkullore.
Prej këtyre 81,041 nxënësve të arsimit të mesëm të lartë 1.8% janë nxënës që kanë braktisur shkollën pra 1459 nxënës në tërë Kosovën. Në krahasim me vitet tjera shkollor, në viti shkollor 2018/2019 ka mbetur niveli i njëjtë i nxënësve që kanë braktisur shkollën. Për vitet shkollore 2017/2018 dhe 2018/2019 ka qenë përqindja e njëjtë sipas Raporteve vjetore statistikore me tregues arsimorë të MAShT-së për vitet shkollore 2009/2010 deri në 2018/2019.
Krahasimi i përqindjeve (%) të nxënësve që kanë braktisur shkollimin e mesme të lartë në Kosovë nëpër vite shkollore
Krahasimi i përqindjeve (%) të nxënësve në Kosovë ndërmjet dy gjinive nëpër vite shkollore
Ato që e shtyjnë një nxënës të marrë vendimin për të ndërprerë shkollimin janë të natyrës më tepër sociale por lidhen edhe me jetën shoqërore të nxënësit dhe ndikimin që e kemi ne si shoqëri ndaj tyre. Kjo më së miri pasqyrohet në rastin e A.J. nga Podujeva i cili thotë se arsyeja pse ai ndërpreu shkollimin ishte pikërisht rrethi jo i përshtatshëm shoqëror. “Mora rrugë të keqe, shoqëria e keqe dhe vendosa të ndërprejë shkollim” shprehet ai.
Kjo vërehet edhe në të gjeturat e hulumtimit Braktisja e shkollimit në Arsimin e Mesëm Profesional të Kosovës nga Insituti Pedagogjik i Kosovës të vitit 2011: “42% e braktisin shkollën për arsye të suksesit të dobët në mësime, 31% për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe 10% për shkak të nevojës për punësim poashtu ikja e nxënësve nga orët e mësimit mendohet se mund të jetë një ndër karakteristikat e nxënësve potencialë për braktisjen e shkollimit, sidomos kur kjo ikje është e shpeshtë dhe e pajustifikueshme. Nga gjithësej nxënës që janë intervistuar prej tyre janë përgjigjur vetëm 2 % që ikin shpesh prej orëve”.
Varësishtë prej shkollës ku vijon mësimet dhe vendit prej të cilit vijnë shkaqet që nxënësit e ndërpresin shkollimin janë të ndryshme mirëpo një gjë është universale, dukuria e braktisjes së shkollimit.
Edhe pse kushtet për të vijuar shkollën janë çdo herë në përmisim kjo dukuri vazhdon të mbetet shqetësuese I.S. nga Podujeva shprehet që:
“Kohëve të fundit në shumicën e shkollave të Kosovës është bërë dukuri pothuajse normale që të braktisen shkollat, si në shkollimin fillor, ashtu edhe në atë të mesëm. Shumica e këtyre rasteve të braktisjes vijnë si rezultat i problemeve të shumta ekonomike në vend. Bazuar në të dhënat që ka shkolla jonë, thuhet se shumica e nxënësve që e kanë lëshuar shkollën tonë kanë shkuar në shkolla të tjera. Ky fenomen i braktisjes kryesisht është bërë për shkak të ndërrimit të vendbanimit. Një numër i madh i nxënësve që tashmë kanë shkuar nga gjimnazi ynë lidhet edhe problemin e shkuarjes në botën e jashtme, si në: Gjermani, Itali, Kroaci e në ndonjë tjetër vend të BE-së. Krahasuar me tri vitet më parë, kur ne bënim regjistrimin e nxënësve në vitin e parë në gjimnaz, numri i të regjistruarve ishte 32 nxënës në një klasë, kurse tri vjet më vonë, ky numër i të regjistruarve ka rënë në 27, bile në ndonjë klasë edhe deri në 25 nxënës. Thuhet se shumica e këtyre nxënësve e kanë braktisur shkollën e mesme për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në familjet e tyre, si dhe duhet të punojë për t’i ndihmuar familjet e veta.”
Braktisja e shkollës është problem kompleks dhe që kërkon shqyrtim të gjithëanshëm mirëpo në këtë dukuri secili ka një rol të caktuar si në parandalimin po ashtu në “ndihmën” indirekte që ju jepet nxënësve. Andaj, cili është roli i prindërve dhe familjes në parandalimin e kësaj dukurie? Kur e mendojmë rolin e prindërve dhe familjes nuk mund të injorojmë dhe anashkalojmë rolin e shkollës (mësimëdhënësve, psikologut, shokëve dhe shoqeve) dhe ndikimin që e ka shkolla sidomos kur e dimë që pothuajse shumicën e kohës nxënësit e kalojnë në ambiente shkollore.
I.S. nga Podujeva mendon që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, do të ishte një nga mekanizmat për parandalimin e nxënësve nga braktisja e shkollës : “Si mekanizma kryesor për parandalimin e braktisjes, duhet të jenë organet përgjegjëse të MAShT-it, të cilat duhet të marrin vendime me anë të të cilave nxënësve tanë do t’u afroheshin mundësitë e punësimit sapo ta kryenin shkollimin e mesëm. T’u ndaheshin bursa edhe gjatë shkollimit të mesëm sepse me krijimin e kushteve më të mira materiale do t’u siguroheshin edhe mundësitë më të mira për shkollim, gjë që do të ndodhte edhe frenimi i braktisjes së shkollave tona. Një mekanizëm tjetër besoj se është edhe hapja e shkollave profesionale, të cilat do të ndikonin në uljen e braktisjes së shkollave ngase me të mbaruar shkollimin e mesëm ata do ta kishin mundësinë që të punësoheshin. Pothuajse shumica e nxënësve që e kanë braktisur shkollën tonë janë djem sepse ata shkojnë jashtë vendit që të punojnë si punëtorë krahu, derisa pjesa tjetër, që janë numër më i vogël, janë femra, të cilat shkojnë nga gjimnazi në shkollat profesionale, sidomos të mjekësisë. Thuhet se më të mbaruar shkollimi i mesëm,(vajzat) shkojnë në perëndim për t’u punësuar në fushën e infermierisë. Kushti kryesor për parandalimin e braktisjes së shkollave tona është zbatimi me shumë rreptësi i të dhënave me anë të të cilave do ta saktësonim problemin e braktisjes së shkollave tona.”
Vlen të theksohet që sipas Ligjit për Arsim Parauniversitar neni 15 pika 1: ” Vijimi i shkollimit të detyruar nga ana e nxënësit është një përgjegjësi kryesore e prindit”.
Nga pyetësori ndaj mësimdhënësve në hulumtimin e IPK-ës për Arsimin e Mesëm Profesional të viti 2011 kanë dalur këto të dhëna: “30% e mësimdhënësve arrijnë t’i përfshijnë të gjithë prindërit në takime të rregullta, 59% e mësimdhënësve vetëm me prindërit e nxënësve të cilët i kontaktojnë ata bashkëpunojnë rregullisht me disa prindër kurse 10% e mësimdhënësve thonë se bashkëpunojnë vetëm me prindërit e nxënësve të cilët i kontaktojnë ata.”
Ndërsa se sa është komunikimi me prindër të nxënësve që kanë shenja të braktisjes së shkollës janë gjetur këto të dhëna: “59% e mësimdhënësve bashkëpunojnë përmes takimeve të rregullta me prindër të nxënësve që kanë shenja të braktisjes së shkollës. Po ashtu, të dhënat tregojnë se vetëm 4% e mësimdhënësve bashkëpunojnë me prindër të nxënësve që kanë shenja të braktisjes së shkollës përmes emalit apo formave tjera të letërkëmbimeve, kurse 21% e mësimdhënësve bashkëpunojnë me prindër vetëm përmes drejtorit të shkollës. Një argument tjetër mjaft i ndejshëm është fakti se 15 % e mësimdhënësve nuk bashkëpunojnë fare me prindër të nxënësve që kanë shenja të braktisjes së shkollës, për arsye se nuk kanë qasje në komunikim me ta. Gjithashtu, përqindja e mësimdhënësve që fare nuk bashkëpunojnë me prindërit e nxënësve që kanë shenja të braktisjes së shkollës afërsisht përputhet me numrin e nxënësve që tashmë e kanë braktisur shkollën”.
Pra, rezultati i mos komunikimit ndërmjet shkollës dhe prindërve është braktisja e shkollës nga nxënësit.
Dukuria e braktisjes së shkollës është në fokus të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, kjo është arritur përmes planeve strategjike për Arsim, kampanjave dhe aktiviteteve që ka hartuar dhe zbatuar kjo ministri si dhe Ligjit të Arsimit Parauniversitar dhe akteve nënligjore p.sh. Doracaku për ekipet shkollore për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit në arsimin e obliguar nga MAShT-së botuar Dhjetor 2014, Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017-2021 nga MAShT-së.
Fushata “MOS E BRAKTIS SHKOLLËN” nga Grupi Për Familjet në Nevojë ka arritur që në Shtatorin e vitit 2019 të i bëjë të lumtur 406 fëmijë duke i paisur me paisje shkollore, kjo është vetëm një nga fushat e ndërrmarra nga shoqëria civile, duke n’a bërë të kuptojë se se cili prej nesh mund të japim kontribut sa do i vogël që është ai por për këta fëmijë do të thotë shumë.
Nëse i krahasojmë të dhënat në 10 vitet e fundit prej viti shkollor 2009/2010 deri në vitin 2018/2019, ku në 2009/2010 përqindja e nxënësve që kanë braktisur shkollën është 3.1% kurse në vitin shkollor 2018/2019 është 1.8% në nivel të shtetit të Kosovës.
Viti Shkollor | Përqindja e nxënësve |
2009/2010 | 3.10% |
2010/2011 | 2.90% |
2011/2012 | 2.50% |
2012/2013 | 2.31% |
2013/2014 | 1.06% |
2014/2015 | 1.70% |
2015/2016 | 2.10% |
2016/2017 | 1.60% |
2017/2018 | 1.80% |
2018/2019 | 1.80% |
Në Komunën e Podujevës në vitin shkollor 2018/2019 vijuan shkollën e mesme të lartë gjithsej 4468 nxënës, prej tyre janë 51% nga gjinia femërore dhe 49% nga gjinia mashkullore. Gjithsej, janë tri Shkolla të Mesme të Larta,ato janë: Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani”, Shkolla Profesionale Ekonomike “Isa Boletini” dhe Shkolla Profesionale Teknike “Fan S. Noli”. Në vitin shkollor 2017/2018 në gjimnaze janë 1837 nxënës kurse në shkolla profesionale 2932 nxënës.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës Agim Blakqori, nuk pranoi kërkesën për intervistë për këtë artikull. Kërkesës për intervistë për këtë artikull, ai iu është përgjigjur kështu“Shkollat merren me këtë çështje dhe janë të informuar më hollësishtë, mundeni të bisedoni me shkollat”.
Sekretari i Shkollës Profesionale Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë Agim Dibrani shpjegon dukurinë e braktisjes në këtë shkollë: “Arsyjet janë të shumta: shkaqet ekonomike, migrimi, mosinteresimi për shkollim por më e theksuar është që nxënësit për shkak të suksesit të dobët humbin vitin shkollor dhe aty e ndërprejnë shkollimin. Së pari Kujdestari i klasës e vëren mungesat e nxënësit pastaj bëhet komunikimi me prindër për të ditur arsyjen, ku pastaj arrihet një përfundim lidhur me rastin. Për shembull kemi pasur rast kur një prind për arsyje të caktuar e ka ndalur nga shkolla nxënësin.”
Ndërsa sa i përket gjinisë Sekretari Agim Dibrani shprehet: “Te gjinia femërore është më e shprehur kjo dukuri kurse për këtë vit shkollor 2019/2020 nuk kemi pasur nxënës që e kanë braktisur shkollën por kemi nxënës që kanë shkuar në shtete të Bashkimit Evropian dhe nxënës që e kanë ndërruar shkollën për arsye të ndryshme kurse për vitet e tjera nuk kemi të dhëna shumë të sakta sepse ka nxënës që migrojnë, ndërrojnë vendbanim. Këta nxënës nuk do të gjenden mirë në tregun e punës sepse atyre ju duhet një profesion për punë. Nuk e dinë shumë rëndësinë e shkollimit për moshën që e kanë. Kemi pasur rast kur një nxënës që e ka lënë shkollën e shumë vite më pas kur kemi komunikuar është shprehur që “Ta kisha kthyer kohën pas” por tashmë është vonë.”
Kur merret një vendim me kaq rëndësi që do të ndikojë të gjithë të ardhmen dhe jetën e një individi, nuk është hap i pakthyeshëm nëse ka vullnet të mirë dhe arsimi është gjithmonë një prioritet. Duke u nisur në këto parime kjo shkolla ka arritur që një nxënëse të i jap një rast të dytë për jetë, Sekretari Agim Dibrani vijon duke shpjeguar:“Po kemi pas raste, për shembull një vajzë në klasën e 10-të e ka ndërprerë shkollimin për shkaqe ekonomike por ne si shkollë jemi organizuar dhe ajo nxënëse ka vazhduar shkollimin.” Ai thekson se: “Motivimi për mësim te nxënësit ka rënë mirëpo në qoftë se pas përfundimit të shkollës veqanrishtë shkollave profesionale nxënësit do të mund të punësoheshin atëhere kjo do të bënte një ndryshim të madh edhe motivimi i nxënësve do të rritje kur do e dinin që pas përfundimit të shkollës i pret një punë. Mirëpo ka prej atyre që nuk e shohin jetën e tyre në Kosovë ,ne si një shoqëri jemi në krizë por çdo nxënës ka një talent dhe aftësi për punë”
Drejtoresha e Shkollës së Mesme të Lartë Teknike “Fan S. Noli” në Podujevë, Vlora Ceraja Hajdini, nuk ka pranuar të intervistohet për këtë artikull kurse sa i përketë të dhënave për këtë vit shkollor 2019/2020 (në datën 14.02.2020 kur kjo përgjigje është dhënë) Drejtoresha Vlora është shprehur “28 nxënës më nuk vijojnë shkollën, prej tyre një pjesë shumë e madhe janë nga gjinia mashkullore por nuk janë të dhëna katë sakta sepse ka nxënës që kthehen prapë në shkollë, ka që migrojnë.Mirëpo ka nxënës që pas komunikimit dhe bashkëpunimit me ta i kemi kthyer në shkollë andaj nuk mund të flasim për saktësi të dhënave”
Pedagogja e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” Florie Shala Saihu dhe nxënësit gjatë pushimit në këtë gjimnaz.
Pedagogja e Sh.M.L. Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë Florie Shala Salihu shpjegon mekanizmat se si bëhet komunikimi me prindër kur shkolla merr informacionin që një nxënës po tregon shenja të braktisjes së shkollës:“Kujdestari njofton që nuk ka ardhur nxënsësi i caktuar në shkollë për një kohë të caktuar pastaj thirret prindi në telefon dhe bëhet komunikimi për çfarë arsyje ka munguar në shkollë nxënësi ose bëhet komunikimi me prindin dhe nxënësin në shkollë”.
Ajo tregon sa shqetësuese është fakti që gjinia femërore sidomos nxënëset e klasve të 12-ta janë ato që në shumicën e rastve e braktisin shkollën edhe pse janë një hap larg diplomimit “Vajzat janë ato që më shumë e braktisin shkollën, shumica prej tyre janë maturante.Vajzat janë ato që braktisin shkollën për arsyje të ndryshme siç është martesa e hershme kurse djemtë më tepër migrojnë. Çdo klasë në shkollën tonë ka pasur 32 nxënës kurse tash ka 30 nxënës e gjithë kjo mundet të ndikojë në të ardhmen tek numri mësimëdhënsve edhe pse tani kjo gjë nuk vërehet.”
Duke u mbështeur në të dhënat e shkollës nga viti 2014/2015 deri në 2019/2020 në datën 14.02.2020 kur kjo intervistë është dhënë janë 18 nxënës që kanë braktisur Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani”. Prej tyre janë 17 nxënëse dhe vetëm një nxënës. Kurse në këtë vit shkollor 2019/2020 janë gjithsej katër nxënëse që e kanë braktisur shkollën. Arsyet tjera që nxënësat më nuk vijojnë këtë Gjimnaz janë shkuarja në vendet e BE-së, ndërrimi i shkollës në qytet, ndërrimi i vendbanimit zhvendosja në Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Kur i shikojmë të dhënat vërehet që një numër i madh nxënësve që nuk vazhdojnë të vijojnë më mësimet në këtë gjimnaz ndodhë sepse kanë emigruar. Në vitin shkollor 2018/2019 gjithsej 47 nxënës më nuk i vijojnë mësimet në këtë Gjimnaz, prej tyre pesë nxënës kanë braktisur shkollën, 19 kanë shkuar në vendet e BE-së dhe 23 kanë ndërruar shkollë.
Raporti ndërmjet nxënësve që e kanë braktisë shkollimin në këto vite shkollore dhe të dhënat sipas gjinisë.
Pedagogia Florie Shala Salihu tregon rastet kur mundohen të i bindin nxënësit që mos të braktisin shkollën: “Kjo më së miri mund të sqarohet me një rast kur edhe pas bisedimit me nxënëset ato prapë kanë vazhduar me idenë me braktisë shkollën. Ne kemi biseduar me nxënëset, jemi munduar që t’i bindim të vazhdojnë shkollën sepse edhe pak muaj kishin mbetur deri në përfundim të klasës së 12-të dhe ato do të përfundonin shkollën dhe do të merrnin diplomën. Gjithashtu, do të mund të vazhdonin shkollën kurse pjesën tjetër të ditës të punonin. Edhe pas përpjekjeve tona maksimale ato kanë braktisur shkollën me vetdëshirë sepse nuk ka qenë për arsyje ekonomike që kanë hapur biznesin. Pa pasur diplomën e shkollës së mesme të lartë nuk mund të i qasesn tregut të punës ku kërkohet diploma dhe do të kesh vështirësi pastaj.”
Duke i krahasur të dhënat prej vitit shkollor 2014/2015 deri tani në vitin 2019/2020 në këtë shkollë përfundohet që shumica e nxënësve që kanë braktisur shkollën janë në klasën e 12-të, kjo e gjetur është për t’u habitur sepse një nxënës që ka vijuar shkollën për thuajse tre vite, në përfundimin e saj heq dorë nga shkolla dhe nga gjithë ajo punë që ka bërë deri atëherë.
Roli i famlijes në parandalimin e kësaj dukurie, në përgjithësi në edukimin e fëmijëve është esencial dhe me rëndësi. Prindërit janë mësuesi i parë i fëmijëve andaj janë element kyq për zhvillimin, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve mirëpo secili fëmijë – nxënës ka mendim dhe botëkuptimin e tij, në fund pavarësisht edukimit, këshillimit dhe përpjekjes të prindërve e tërë që mbetet është respektimi i dëshirës dhe vullnetit të tyre.
“Ka shume faktor që ndikojnë në braktisjen e shkollës, ndoshta varfërija, shoqëria e keqe, puna e hershme e shume shkaqe tjera. Por sa i përket vazhdimit të shkollimit pas ndërprerjes, mendoj që nëse një herë shkëputesh nga bankat shkollore një i ri/e është e vështirë që të kthehet sërish. Prioritet i domosdoshëm është sot përfundimi i shkollës së mesme të lartë por mos kryrja e saj do të thotë që përvec që je mbrapa me dije, je mbrapa edhe në punësim por edhe në jetë, pasi që në këtë shekull prioritet është dija” shprehet V.J. familjar i një nxënësi që ka braktisur shkollimin.
Ne si shoqëri se si i trajtojmë dhe a i paragjykojmë këta nxënës V.J. shprehet: “I shohim me një sy më ndryshe pasi i llogarisim si njerz të paditur dhe paperspektivë”
Secili prej nesh ka ëndërrat dhe aspiratat e tyre, mirëpo shkollimi është esencial për zhvillimin dhe të ardhmen e secilit individ, andaj nuk duhet të mjaftohemi vetëm ta kemi këtë të drejtë por edhe ta ushtrojmë atë. Të mendojmë dhe të ndihmojmë që edhe të tjerët të kenë mundësi që të bëjnë zgjedhje për jetën e tyre e jo të mbesin një shifër në statistika.Edhe pse mund të themi që vendimi i fundit dhe përgjegjësia i takon vetë individit, duhet ta kemi parasysh që të rinjtë në këtë moshë kanë nevojë për përkrahje të madhe dhe këshillim për vendime të tilla.
Çfarë e shtyn një nxënës të moshës 15-18 vjeqare të largohet nga bankat shkollore dhe të kërkojë dikund tjetër të ardhmen e tij/saj është një çështje që të gjithë duhet të i preokupojë.
Baza e një shoqërie të shëndoshë është një rini e arsimuar.

“Mbi autoren: Ermira Sfishta është pjesëmarrëse në programin “Gazetaria Transformuese” që është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.”